Pranvera, të lumtur pa arsye dhe për çdo arsye

Pranvera, të lumtur pa arsye dhe për çdo arsye
Nga Meri Dishnica 

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press dhe www.afp.al

Një mbrëmje, teksa shkoja në një darkë me miqtë, parkova makinën larg vendit të takimit. Pata kështu mundësinë të ecja ca, në një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Ndjeva një fllad të lehtë të ngarkuar me një aromë ndryshe, aromë lulesh dhe qetësie, aromë që më bëri të zgjas rrugëtimin duke falënderuar në heshtje, të gjithë ata që kishin zënë parkimin pranë vendit ku po shkoja. Ndihesha mirë dhe në mendje më erdhën të gjitha fjalët e bukura që thonë për pranverën… madje, thonë se ka një lidhje të fortë mes pranverës dhe dashurisë, por nuk ishte kjo ajo që po kërkoja në ajrin e asaj mbrëmjeje. Ishte më tepër një dëshirë për të jetuar, për tu gëzuar, për të ndenjur zgjuar…

Pranvera është stina nëpërmjet të cilës natyra na tregon se ka një mënyrë për tu pastruar nga copëza dimri në jetën tonë, për të rinisur ciklin e jetës… Ndërsa kanë rënë gjethet dhe pemët janë shndërruar në pjese dërrase pa jetë, kjo fazë e ëmbël e natyrës i jep edhe një mundësi gjetheve, jetës, rifillimit… Në pak a shumë të njëjtën mënyrë, njerëzit duket se ia “kopjojnë” natyrës këtë ritual të bukur. Quajeni thjesht “spastrim emocional” dhe përdoreni në jetën tuaj. Nuk është çudi që më vonë do të “lulëzoni”, brenda dhe jashtë, në nivel hormonal, emocional, shpirtëror. Mbi të gjitha, kujtoni një gjë: Pavarësisht sesa i ftohtë, i fortë, i gjatë ka qenë dimri, sa do kohë të vështira të keni kaluar, jeni lodhur dhe stërmunduar, pranvera kthehet gjithmonë… Ndaj inkurajohuni prej saj dhe merrni fuqi të rifilloni, ose të mbyllni ndonjë faqe … Rëndësi ka të gjeni forcën të ecni përpara, stinë pas stine…

Dhe nëse njëra anë e pozitivitetit të pranverës lidhet me energjinë pozitive, ana tjetër lidhet patjetër me romancën. Nuk mund të ishte ndryshe, nuk mund të bëjmë sikur nuk e ndiejmë “motivimin për socializim” apo tjetër gjë.

Ah, pranvera…! Është koha e duhur për të lënë mendimet tona “të hallakaten”…, ndërsa dita bëhet më e gjatë dhe ajri të deh… Është pikërisht ajo dehje e bukur që nuk na lodh kurrë të nesërmen, dhe kështu ditë pas dite, derisa e gjejmë veten krejt pa e kuptuar “kokë e këmbë” në dashuri, me jetën, me njerëzit, me ty… (Nuk po them se është virus, ndaj nuk është e nevojshme të merrni asnjë masë parandaluese, gjithsesi ruajuni!)

Ashtu si pemët nisin të çelin dhe të gjallërohen prej dimrit të gjatë, ashtu edhe njerëzit interesohen drejt flirteve, romancës dhe pasojave të tyre… Thuajse kanë qenë të mbyllur brenda, gjithë dimrin… Është në ajër ndryshimi që ka shumë gjasa të jetë për mirë. Përfitoni nga energjia pozitive e pranverës, merrni gëzim nga pjesë të vogla të ditës, dhe, në fund të saj, do të ndiheni më të lumtur. Ndryshimi i humorit nuk vjen njëherësh, por gradualisht, ca rreze diell, një fllad, ca lule, një buzëqeshje. Kujdes! Është në ajër!!!

Dua të bëj me ty, çfarë bën pranvera me pemën e qershisë!

Pablo Neruda

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: