Prezantohet ndihmësi i De Biasit, entuziast për aventurën e re kuqezi

Prezantohet ndihmësi i De Biasit, entuziast për aventurën e re kuqezi
U prezantua sot zyrtarisht ndihmësi i trajnerit Gianni de Biasi, i cili zuri vendin e Tramezzanit pas largimit të këtij të fundit në drejtim të Zvicrës për të drejtuar Luganon.

Marco Veronese, ish-sulmuesi i rritur në Akademinë e Inter do të jetë krahu i djathtë i trajnerit De Biasi, të paktën deri në fund të kontratës që skadon në tetor. Ai u shpreh entuziast për aventurën e re dhe faktin që do të debutojë pikërisht kundër Italisë.

“Jam i lumtur që jam bërë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe fakti që luaj kundër Italisë, që është një prej skuadrave më prestigjoze më botë, është një stimul për mua, ashtu si edhe për ekipin. Atmosfera në Palermo do të jetë shumë e bukur. Jam i motivuar dhe shpresoj që entuziazmin dhe dëshirën për të bërë një punë të mirë t’ia transmetoj edhe skuadrës.”

Ai zbuloi se kishte kërkuar vetë të ishte pjesë e stafit kuqezi falë njohjes me Gianni de Biasin dhe e ka lumturuar mjaft fakti që  kjo dëshirë i është realizuar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: