Kroati i “artë” i futbollit shqiptar!

Kroati i “artë” i futbollit shqiptar!
Pero Pejiç feston titullin kampion me Kukësin por me një arritje personale, si golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Shqipëri.

Kroati shtatlartë është ndër lojtarët e huaj, që në dekadën e fundit shkroi emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar. I ardhur në futbollin shqiptar 10 vjet më parë te Dinamo, ekip me të cilin fitoi titullin e parë kampion, 34-vjeçari i lindur në Makarska duket se po kalon një rini të dytë.

Me golat e tij kanë rezultuar vendimtarë jo vetëm gjatë këtij sezoni por edhe në kapitullin e tij të parë me Kukësin.

Në vitin 2010 ai u rikthye në futbollin shqiptar me fanellën e Tiranës ku në 28 ndeshje realizoi 14 gola. Pejiç me fanellën e Skënderbeut u aktivizua në vitet 2012-2014 ku fitoi dy tituj dhe shënoi 32 gola, pothuajse që të gjithë vendimtarë për sukseset e mëdha të skuadrës korçare në arenën e futbollit shqiptar.

Te Kukësi u zhvendos në vitin 2014. Në 35 ndeshje, 31 gola të shënuar me fanellën e Kukësit gjatë një sezoni. Ai tërhoqi vëmendjen e klubeve të huaja. Iranianët e Estehgal e detyruan të pranonte ofertën e tyre, por pas një sezoni pa pritshmëritë e tij të larta në Iran, Pejiç rikthehet te Kukësi gjatë verës së shkuar.

Kur ka mbetur edhe një ndeshje nga mbyllja  kampionatit, pas 35 javëve, me 28 golat e shënuar në favor të Kukësit, Pejiç feston një tjetër titull kampion.

Në total 4 tituj kampion të fituar në Shqipëri, 1 Kupë dhe 2 Superkupa. Dy herë fitues i Këpucës së Artë, trofe personal që edhe këtë sezon do të shkojë pikërisht për Pero Pejiç, i cili ka realizuar plot 12 gola më tepër se vendi i dytë, që mbahet nga Ekuban.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: