Kruja: Protesta vuri në lëvizje ndërkombëtarët dhe çoi në marrëveshje

Kruja: Protesta vuri në lëvizje ndërkombëtarët dhe çoi në marrëveshje
Intervistë me deputetin e Partisë Demokratike, ish Prefektin e Tiranës, Keltis Kruja

Si do ta komentoni kompromisin e arritur, a ishte brenda kauzës së çadrës? E kishit menduar zgjidhjen në këtë kohë, kur jemi afro një muaj para zgjedhjeve?

Marrëveshja mund të them se ishte brenda kërkesave tona, brenda kauzës tonë. Të gjitha ndryshimet përputheshin me kërkesat tona për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndryshimet në qeveri thuajse janë të përafërta me një qeveri teknike dhe aty mblidhen thuajse kërkesat tona kryesore.

Pra me një fjalë kauza juaj kryesore u përmbush?

Po, përgjithësisht u arrit. Përpjekja jonë kishte këtë synim që zgjedhjet të kishin besueshmëri. Ndryshimet janë të tëra në funksion të kauzës sonë. Komentet mund të jenë të ndryshme por synimi jonë ishte bërë i qartë dhe u mbyll i tillë.

Ndryshimet e ministrave ishin në kauzën e çadrës?

Sigurisht. Për këto lëvizje filloi protesta, që të besonim në zgjedhje. Ishin kërkesat tona për këto ministri.

Arritja e këtij kompromisi, e kësaj marrëveshje është meritë e ndërkombëtarëve apo e vetë politikës shqiptare? Kush ishte shtysa e kësaj marrëveshjeje?

Presioni i ndërkombëtarëve, ndikimi dhe shtimi i lëvizjeve të tyre erdhi pas protestës së madhe tremujore të opozitës. Besoj se ndërkombëtarët nuk do të shqetësoheshin kaq, nuk do të bënin kaq, pa protestën tonë, pa bërjen të qartë të problemeve që shqetësonin vendin tonë, ndërkombëtarët nuk do të sensibilizoheshin. Ishte ajo çadër, ishte ajo protestë disa mujore që bëri që ndërkombëtarët të reagonin. Reagimi dhe presioni tyre erdhi pas reagimit dhe protestës sonë.

Tashmë jeni plotësisht të qetë se zgjedhjet janë të garantuara? Mendoni se zgjedhjet do të jenë të ndershme pasi dhe Ministri i Brendshëm do të jetë teknik?

Tani u besojmë letrave nesër zbatimit të marrëveshjes. Pra nuk do flemë gjumë. Jemi në hapat e para të marrëveshjes dhe përditshmëria do të na bëjë të jemi vigjilentë dhe të shohim si do rrjedhin ngjarjet, sa dhe si do zbatohen. Procesi nuk mbaron këtu, por përfundon me përfundimin e zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre. Tani duket se çdo gjë është në rrugë të mbarë dhe ne morëm atë çka kërkuam për tre muaj. Situatat ndryshojnë dhe ne do ti ndjekim me seriozitet pasi nuk duhet të zhgënjejmë elektoratin tonë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: