Përparim Spahiu: Secila parti duhet të matë forcat e veta

Përparim Spahiu: Secila parti duhet të matë forcat e veta

INTERVISTË/ Flet deputeti i LSI, Përparim Spahiu: Jam për një trashëgimi vlerash, investimesh,  në çdo parti por në sinkron me situatën

Albert Z. ZHOLI

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kërkesë për tu regjistruar e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Kur nuk pritej nga të dyja palët PS-LSI nuk pati ndonjë tentativë serioze për një marrëveshje për aleancë parazgjedhore. Por sipas deputetit Përparim Spahiu kryesore për këto zgjedhje ishte pjesëmarrja e PD në zgjedhje, ku LSI ka bërë përpjekje maksimale. Në këtë bisedë Spahiu vë në dukje se çdo parti ka strategjinë e saj dhe kërkesat e saj për kandidatët  dhe se mos arritja e një aleance para zgjedhore me PS, do të sjellë matjen e forcave të secilës parti.

Si do ti komentonit mos kandidimin e disa figurave qendrore në radhët e PD? A do ndikojnë ato në zgjedhjet e 25 qershorit?

Këto janë llogari që bëjnë të gjitha partitë politike.  Personalisht jam për një trashëgimi vlerash, investimesh,  në çdo parti por në sinkron me situatën. Por kjo në fund të fundit është çështje e brendshme e një partie që çdo gjë e vlerëson me situatën që kalon. Ndaj nuk mund të them se bëri mirë apo bëri keq Lulzim Basha, ajo i takon strategjisë së partisë dhe rregullave që ka çdo parti për të zgjedhur kandidatët. Ne si LSI kemi strategji tjetër, japim dhe marrim llogari duke marr dhe mendimin e votuesve. Vetë ndarja jonë nëpër qarqe e tregon këtë. Psh kryetari Vasili u caktua në fillim të ishte në krye në Tiranë, por ai tha jo do shkoj të jap llogari në Fier. Shezai Rrokaj do japi llogari në Vlorë, Agron Çela në Shkodër, Nasip Naço në Berat, unë në Dibër, Lefter Koka në Durrës, Monika Kryemadhi në Elbasan, Edmond Panariti në Korçë, e kështu me radhë.

Ju jeni caktuar në listën e deputetëve të LSI i pari në Dibër, si duket mbështetja juaj në këtë zonë?

Mund të them se organizimi ynë duket në ditën më të mirë. Nga kontaktet e para që kam marrë shohim se kemi mbështetje pasi kemi mbajtur një lidhje të vazhdueshme me elektoratin tonë.

Si do ta cilësonit marrëveshjen PS-PD, dhe çfarë solli marrëveshja?

Tashmë marrëveshja kaloi dhe jemi në momentet e fillimit të fushatës. Kjo marrëveshje solli në fund të fundit, atë çka kërkuar LSI që opozita të futet në zgjedhje. Besoj se ishte dhe këmbëngulja jonë që u arrit futja e opozitës dhe aleatëve të saj në zgjedhje. Pra marrëveshja e realizoi atë çka kërkonim.

Si do ta cilësonit, zgjedhjen e Metës President, a do ndikoi kjo zgjedhje në elektoratin e LSI?

Ishte zgjedhja më e duhur, këtë e kam thënë kohë më parë se të zgjidhej dhe sigurisht që do ndikojë në elektorat. Prezenca e tij do bëj që ne të dalim forcë e parë.  Në Dibër ne kemi shumë mbështetje.

Tashmë në këto zgjedhje nuk keni aleancë parazgjedhore PS-LSI, a është në favor të LSI kjo lloj fushate?

Fakti që ka dalë vetëm LSI nuk do të thotë që s'ka dalë vetëm PS. Por në fund të fundit secila parti duhet të matë forcat e veta. Secila parti ka strategjitë e veta, por sistemi proporcional ka dhe vështirësitë për shkak të ndryshimit që sjell në vende të ndryshme për të marrë një deputet në raport me votat.

Kë shikoni rival në Dibër?

Ne nuk kemi rival në Dibër as PD as PS, por ne luftojmë për një vend të mirë të marrim maksimumin e votave. Besoj se do kemi rezultat më të mirë se në vitin 2013.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: