Borxhi i jashtëm nuk ndalet, rritet deri 9%

Borxhi i jashtëm nuk ndalet, rritet deri 9%
Borxhi i jashtëm i Shqipërisë nuk po ndalet, por po shkon gjithmonë e më shumë drejt rritjes së tij. Dhe kjo e fundit nuk është e pakët, por me një nivel vjetor prej 9% gjatë vitit të kaluar 2016. Dukuri kjo që konfirmohet nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, në tërësi, stoku i borxhit të jashtëm bruto të vendit tonë, arriti vjet, në vlerën totale prej 7.8 miliardë lekësh. Teksa borxhi i ri, i marrë nga e gjithë ekonomia gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2016, rezulton se ka qenë në vlerën e 445.4 milionë eurove. “Në fund të muajit qershor 2016, ai u vlerësua në rreth 75.2% ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u rritur me nivelin prej 9.0% në bazë vjetore”, - citon BSH-ja. Shifra këto që nëse i vëmë përballë numrit zyrtar të popullsisë shqiptare prej 2.8 milionë banorësh, referuar Censusit të Institutit të Statistikave, referojnë për një nivel personal mjaft të lartë borxhi të jashtëm për secilin qytetar. Konkretisht, me një përllogaritje të thjeshtë, i bie që një shqiptar të ketë “mbi kurriz” rreth 2.8 mijë euro, vetëm nga borxhet që qeveria e vendit të tij ka marrë prej të tjerëve.

Themi qeveria, pasi në fakt, ajo rezulton që të jetë edhe huamarrësja më e madhe. Konkretisht, sipas BSH-së, rezulton se në ndarjen e borxhit të jashtëm bruto sipas sektorëve, qeveria e përgjith-shme zë rreth 42.6% ndaj totalit. Kurse korporatat depozituese 16.5%, sektorët e tjerë 16.5% dhe investimet e huaja direkte 23.5%. “Rritja e stokut të borxhit të jashtëm bruto, është udhëhequr nga thellimi i huamarrjes totale të sektorit publik (qeveria e përgjithshme dhe banka qendrore). Ai u zgjerua me nivelin prej 18.9% në bazë vjetore, me një kontribut prej 7.5% në rritjen vjetore të borxhit të jashtëm bruto”, - saktësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, sa i takon afatit kohor të përcaktimit të borxhit të jashtëm si i tillë, kjo e fundit pohon se në fund të gjysmës së parë të vitit 2016, 80.9% e stokut të borxhit, vlerësohet të ketë qenë borxh afatgjatë, (përfshirë këtu edhe investimet e huaja direkte), kryesisht në formën e huave. Kurse borxhi afatshkurtër, zë një peshë më të vogël dhe vlerësohet të ketë qenë në rreth 19.1% ndaj totalit. Për të vijuar me detajin tjetër se, sa i takon llojit të investimit, në stokun e borxhit të jashtëm dominojnë huatë dhe investimet në monedha e depozita.

 

RËNIA

Po bie aftësia e vendit për ta shlyer borxhin

Aftësia e Shqipërisë për të shlyer borxhin e jashtëm po shfaqet në rënie e sipër. Këtë e faktojnë të dhënat më të fundit statistikore, sipas të cilave rezulton eksporti i mallrave dhe i shërbimeve, i cili është një fluks i vazhdueshëm të ardhurash valutore nga jashtë në një ekonomi dhe paraqet, në fakt, aftësinë e pagesës së borxhit të jashtëm të një vendi, ka qenë një tregues në rënie. Duke identifikuar në këtë mënyrë rënien edhe të potencialit pagues të shlyerjes së borxhit të jashtëm të Shqipërisë si të tillë. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i këtij treguesi sinjalizon një zvogëlim të aftësisë afatgjatë ripaguese të një vendi. “Që prej tremujorit të tretë të vitit 2011, treguesi i borxhit të jashtëm bruto kundrejt eksportit të mallrave dhe të shërbimeve, ka tejkaluar pragun teorik optimal të propozuar nga institucionet ndërkombëtare financiare”, - citojnë ata. Duke vijuar më tej me shifra konkrete të tilla si ajo që, në fund të tremujorit të dytë të vitit 2016, vlera e këtij treguesi ishte rreth 221.4%, duke u zgjeruar me +18.1% në nivel vjetor”, - shtojnë ekspertët.

Ndërkaq, duhet ditur se gjithashtu, fluksi i të ardhurave fiskale ndihmon në ndërtimin e dy treguesve të tjerë që matin aftësinë ripaguese të borxhit të jashtëm  të një vendi. Këto flukse duhet të mjaftojnë për të mbuluar një raport të caktuar të borxhit të jashtëm bruto dhe të stokut të borxhit të jashtëm, të qeverisë qendrore. “Treguesi i parë monitoron hapësirën që gëzon qeveria qendrore për të mënjanuar humbjen e besueshmërisë së vendit tek kreditorët e huaj, në kohë krize. Ndërsa, treguesi i dytë monitoron rrezikun që të ardhurat fiskale të rishpërndahen nga shpenzime publike në fonde për amortizimin e borxhit të jashtëm publik”, - sqarojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

 

 

RAPORTI

Amortizohet më shumë borxh i vjetër, apo krijohet borxh i ri?

Po amortizohet më shumë borxhi i jashtëm i vjetër, apo po krijohet një borxh i ri i jashtëm? Një pyetjeje të tillë, Banka e Shqipërisë i përgjigjet me analizën se treguesi i raportit të amortizimit të borxhit të jashtëm kundrejt tërheqjes së borxhit të ri, mat pikërisht zëvendësimin e pjesës së borxhit të ripaguar me tërheqje të re borxhi.

Për këtë tregues, sipas BSH-së, raporti nën kufirin prej 100%, tregon një tërheqje më të përshpejtuar të borxhit të ri të jashtëm, krahasuar me pagesat e kryera për amortizimin e tij. “Raporti i zëvendësimit të borxhit të jashtëm, ishte në nivelin 106.1% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit dhe mesatarisht 66.9% për katër 3-mujorët e fundit”, - citon BSH-ja, lidhur me një fakt të tillë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: