Abuzimet në “Albpetrol”, naftëtarët takohem me kreun e KLSH

Abuzimet në “Albpetrol”, naftëtarët takohem me kreun e KLSH
Kryetari i KLSH-së (Kontrolli i Lartë i Shtetit), z.Bujar Leskaj realizoi një takim pune me drejtues të Unionit të Punonjësve të Shqipërisë, fokusuar në kërkesën e sindikalistëve lidhur me pushimin nga puna të 410 naftëtarëve nga Kompania “Albpetrol”.

Në emër të sindikalistëve, Prof.Dr.Gjergji Foto, një inxhinier gjeolog dhe pedagog me përvojë 40 vjet në fushën e shfrytëzimit të burimeve të naftës, evidentoi problematikën në fushën e industrisë së naftës në dy dekadat e fundit.

Foto u ndal veçanërisht në menaxhimin pa strategji zhvillimi, keqadministrimin, shpërdorimin dhe shkatërrimet e qëllimshme të vendburimeve të nxjerrjes së naftës, gazit dhe përpunimit të tyre për qëllime përfitimi personal nga ana e disa firmave të dyshimta.

“Punonjësit e industrisë së naftës, - -vijoi prof.Foto, - janë të shfrytëzuar, duke punuar për vite me radhë në kushte të vështira dhe aktualisht nuk po përfitojnë as dëmshpërblimin që u takon për largimin me pa të drejtë nga puna.

Prof. Foto, theksoi faktin që i janë drejtuar KLSH-së për zgjidhje sepse vlerësojnë punën profesioniste të audituesve të këtij institucioni, më së shumti auditimet e realizuara në vitet e fundit në AKBN dhe në Albpetrol, rekomandimet e të cilave janë shumë profesionale, të drejta dhe të bazuara në ligj.

Rekomandimet e këtyre auditimeve do të vlerësohen nga UPSH dhe sindikalistët për ta zgjidhur problemin në favor të punonjësve të industrisë së naftës.

Kryetari i KLSH-së në fjalën e tij falënderoi përfaqësuesit e sindikatës për besimin që kanë në institucionin që ai drejton dhe vlerësoi faktin që në këtë grup bëjnë pjesë edhe profesionistë të shquar dhe të ndershëm të fushës së hidrokarbureve si Prof.Dr.Gjergji Foto.

Zoti Leskaj theksoi se pavarësisht auditimeve të kryera në këto fusha nga KLSH në 3-4 vitet e fundit, institucioni do të thellojë auditimet në periudhën në vijim dhe do të vazhdojë të trajtojë problemet e ngritura nga sindikatat e punonjësve, duke i vlerësuar si çështje me interes të madh publik.

Punonjësit e industrisë së naftës kanë të drejtën e tyre të ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore, duke përdorur pa dyshim edhe zgjidhjet konkrete të propozuara nga KLSH, si institucioni më i lartë shtetëror për auditimin e jashtëm në Shqipëri. /afp.al/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: