AKU: Tregtarët informalë, rrezik për qytetarët

AKU: Tregtarët informalë, rrezik për qytetarët
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konfirmon ekzistencën e problematikës së tregtimit në mënyrë informate, të produkteve ushqimore

" Vlen të theksohet, problemi në lidhje me subjektet tregtues informalë, pra, që ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Këto subjekte, përveç faktit të evazionit fiskal, përbëjnë rrezik potencial për sigurinë ushqimore, ndër të tjera dhe për mjediset e papërshtatshme”

Tregtarët informalë të produkteve ushqimore, pra, ata që e ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme, përbëjnë rrezik të vërtetë për sigurinë ushqimore si të tillë. Këtë fakt e konfirmojnë vetë specialistët e Autoritetit Kombëtar i Ushqimit (AKU), sipas të cilëve, ata përbëjnë rrezik, ndër të tjera, edhe "për mjediset e papërshtatshme, shpeshherë, të improvizuara si dyqane apo tezga në tregje rrugësh, që nuk ofrojnë asnjë kusht minimal për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore".

Konkretisht, në një prononcim për "Albanian Free Press", lidhur me gjendjen aktuale në të cilën gjenden tregjet dhe, në tërësi, produktet ushqimore që tregtohen në to, specialistët e këtij institucioni pohojnë faktin se, aktualisht, tregjet e hapura paraqesin me shumë probleme, sa i takon kushteve të ruajtjes dhe të tregtimit të tyre. "Duke patur parasysh tregtimin e produkteve ushqimore në mjedise të hapura si dhe ndjeshmërinë e tyre nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kushteve atmosferike, i nxehti, pluhuri, gazrave që çlirohen nga automjetet etj., rrezikshmëria e këtyre produkteve ushqimore, është më e madhe", - citojnë ata.

Duke shtuar, lidhur me këtë, se kontrollet e AKU-së të ushtruara në periudhën e muajve prill-maj 2016, u fokusuan pikërisht në verifikimin e plotësimit të kushteve të higjienës, në lidhje me ruajtjen dhe tregtimin e këtyre produkteve ushqimore, me kërkesat që duhet të respektohen edhe për mjediset e hapura (si: tenda, tregje ose kioska të lëvizshme etj.). "Nga ana e AKU-së, në rastet e evidentuara, janë marrë masat për përcjelljen e informacionit në lidhje me subjektet e paregjistruara, organeve përkatëse tatimore", - sqaron gjithashtu AKU-ja. Duke argumentuar në fund se, sa i takon ushqimeve bio, rëndësinë e madhe të rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit të qytetareve, për t`u orientuar vetëm drejt produkteve ushqimore dhe subjekteve tregtuese që ofrojnë siguri, por edhe cilësi të lartë të këtyre produkteve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: