Anila Konomi vesh dashurinë për Shën Valentin

Anila Konomi vesh dashurinë për Shën Valentin
Anila Konomi është stiliste e mirënjohur për mbi 25 vjet. Ajo, Nila, me idetë e qarta që zgjedh materialin, përqafon detaje nga kostumografia jonë, që qëndron besnike e klasit të kthjellët, që vesh zonjat në karrierë por edhe vajzat në profesion, nuset dhe dhëndurët, por që përkrah ka një shok jete i cili me duar të arta, dizenjon, pret dhe qep kostume për burra dhe djem të një cilësie të lartë, e tashmë për këtë është kthyer në një “must” në Tiranë.

 

Anila na flet për natën e Shën Valentinit, për të cilën edhe po punon, sepse zonjat e zonjushat duan të veshin diçka të veçantë, sartorie, sepse duan të jenë vetvetja, por me dritë.

Të dashuruarit vishen nga emocionet, qofshin të rinj apo në moshën e artë të dijes, të dashuruarve ju mjafton buzëqeshja, harmonia, mbresat, tingujt e dashurisë së tyre. Por darka romantike e Shën Valentinit le të ketë një atmosferë të veçantë, le ta lemë për një natë stresin dhe përpjekjet e përditshme jashtë dere, e jashtë mendjes, e le të kushtojmë pak më shumë kohë për veten dhe për partnerin.

 

“Sigurisht që detaji i parë që ju bie ndërmend, është të vishni një fustan të kuq, sepse dhe kupidi të njëjtën ngjyrë ka. Por jo, sot ka disa alternativa ku ju mund të dukeni elegante, tërheqëse dhe plot sharm; pra, ngjyrat që unë sugjeroj janë absolutisht e kuqja, që simbolizon dashurinë dhe sensualitetin e një femre, por dhe roza pastel, ngjyra krem me të cilën ju jepni idenë e një femre të freskët, si dhe e zeza e pa rezistueshme dhe mjaft seksi, nuk duhet lënë pa u parë si mundësi, por gjithmonë e shoqëruar me një detaj të kuq, i cili mund të jetë aksesor si këpucët, çanta ose rripi i fustanit,  dhe sigurisht nuk mungojnë buzët të cilat duhet të jenë me të kuq të parezistueshëm. Ideale do të ishte që fustani i zi, të ketë ngacmim me material dantellë, ku veshja padyshim bëhet më sensuale.

 

Por një elegancë deri diku komode, sepse je e bukur vetëm për të. Një fustan duhet të rrethojë siluetën tënde, pa e turbulluar atë. Materiale të çmuara; kjo po, patjetër. Janë ato që duhet të bëjnë diferencën. Kashmiri, natyral ose me fije mëndafshi, dantella njëngjyrëshe stil kolonial, një fustan sartorie sipas masës, me rrjedhje mbi trup, por sigurisht diskret. Kjo natë është për të folur sytë dhe zemra. Komoditet sepse duhet të bisedoni, të kujtoni, të zhvilloni emocione.

 

Dua të ndaloj pak tek stili sport klas, ku duhet të theksoj se është mjaft koherent, trend i cili po parapëlqehet shumë në ditët e sotme nga të rinjtë. Këtu sugjeroj p.sh., një palë pantallona në stil tutë, me një bluzë te kuqë me supe jashtë dhe të shoqëruar padyshim me taka 12 cm.

 

Nuk duhet të lë pa përmendur xhinset të shoqëruara me bluzë dantellë  ose dhe me një bust, ku bukuria e shpatullave të një femre do tërhiqte padyshim vëmendjen e partnerit.

 

Stil që do të ishte shumë perfekt të përdorej, nga të gjithë meshkujt,  mendoj se është një palë xhinse dhe një këmishë e zezë me kollare të kuqe.  Theksoj se meshkujt të kuqen duhet ta përdorin më shumë në detaje si p.sh., kollare, shami, shall etj.

 

Partneri elegant dallon me ngjyra të ngrohta, blu navy, jeshile ushtarake, një kravatë gazmore pse jo me pika, mbi një këmishë me inicialet e veta.

 

Për aksesorët, stilistja Konomi na fton ti reduktojmë ato, një palë vëth perlë, ose vëth “solidar” dhe një orë bizhu, që me ndriçim të thyejë monokolorin e fustanit, duke ppërfunduar me këpucë dekolte ngjyrë “nude”.

 

Por Anila Konomi është e qartë kur thotë se, këto janë një vlerë e shtuar e kësaj nate, por edhe nëse pranë një zjarri, mbi divan, e me një gotë verë në dorë, kur dy njerëz duhen, çdo gjë përreth merr sharm e bukuri, sepse dashuria lëviz botën.

 

loading...
loading...