Biznesi me 1-4 veta, “mban gjallë” ekonominë

Biznesi me 1-4 veta, “mban gjallë” ekonominë
Punësojnë e shumta deri në 4 persona, si një biznes i vetëm. Kryesisht familjarë dhe persona të rrethit të afërt. Por, ama, nëse i mbledh të gjithë bashkë, rezulton se ata përbëjnë jo pak, por rreth 33.2% të të gjithë të punësuarve në ndërmarrjet që janë aktive në rang vendi. Fjala është pikërisht për ato me vetëm 1-4 persona të punësuar, të cilat në fakt rezultojnë me një vlerë të shtuar e mjaft të rëndësishme për ekonominë shqiptare në tërësinë e saj.

Dhe kjo, pasi jo vetëm që i sigurojnë asaj një normë të lartë punësimi, por në të njëjtën kohë, i krijojnë edhe një gjenerim të madh të ardhurash, derisa xhiroja e tyre vjetore përbën një nivel të konsiderueshëm. Konkretisht, referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbëjnë rreth 89.3% të ndërmarrjeve gjithsej, në rang vendi dhe realizojnë deri në 14.3% të shitjeve.

Shifra këto që janë krahasimisht më të larta po të marrim parasysh faktin se për të njëjtën periudhë që merret në studim nga INSTAT-i, rezulton se ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar, përbëjnë vetëm 1.0% të ndërmarrjeve aktive. E argumentuar kjoj pikërishtj me lehtësirat fiskale që gëzon një biznes i vogël me deri në 1-4 persona dhe që deklaron një nivel të ulët individual xhiroje, por që kthehet në një nivel të lartë, po të bësh totalin e gjithë bizneseve të këtij lloji. Të tillë siç mund të jenë bizneset e kudogjendshme në territorin e vendit, si bar-kafe, pizzeri, loto-bast etj.

Që të gjitha, biznese që nuk kërkojnë në fakt një normë të lartë investimi fillestar, por ama që sigurojnë një xhiro të sigurt, sado e vogël qoftë kjo. Jo më kot, bizneset me vetëm 1-4 të punësuar mbizotërojnë kryesisht në sferën e shërbimeve. Kurse për ndërmarrjet me 10-49 të punësuar raportohet se janë më të shumta në sektorin e tregtisë, sepse këto kërkojnë edhe më shumë punonjës për të realizuar funksionet e caktuara.

“Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, është i vetmi sektor ku ndërmarrjet me 1-4 të punësuar realizojnë përqindjen më të madhe të vlerës së shtuar. Ndërmarrjet me 10-49 të punësuar, realizojnë përqindjen më të madhe të vlerës së shtuar për sektorin e tregtisë. Në sektorët e tjerë, ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar, realizojnë përqindjen më të madhe të vlerës së shtuar”, - sqarojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me një dukuri të tillë.

 

 

KRAHASIMI

Nga 104.534 ndërmarrje në

total, 93.376 me 1-4 persona

Nga 104.534 ndërmarrje që figuronin në total në rang vendi, gjatë vitit 2015, 93.376 prej tyre ishin vetëm me 1-4 persona të punësuar. Duke folur kështu për një nivel mjaft të lartë të tyre, krahasuar me vetëm 1.031 të tilla që numërohen si ndërmarrje me mbi 50 të punësuar. Apo vetëm 4.300 ndërmarrje me 10-49 persona të punësuar. Sikundër, nga shifrat zyrtare që referojnë institucionet, rezulton se dhe numri i bizneseve me 5-9 persona të punësuar është, gjithashtu, mjaft i vogël, nuk i kalon 6 mijë të tillë. Për të treguar kështu se një biznes në Shqipëri, mendohet mirë para se të nisë rrugëtimin si i tillë, sidomos lidhur me aspektin e punësimit. Duke preferuar që të rrezikojë më pak dhe punësuar sa më pak veta.

Shtohen sipërmarrjet,

sidomos të shërbimeve

Në Shqipëri po shtohen sipërmarrjet private. Kjo faktohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilit, rezulton se numri i atyre aktive për vitin 2015, në vendin tonë, u rrit me një nivel të konsiderueshëm, deri në 22.7%. Edhe në këtë aspekt, bizneset me natyrë shërbimi renditen të parët, duke marrë meritën e rritjes së këtij treguesi. Konkretisht, me një kontribut prej 20.8% në nivelin e rritjes së sipërmarrjeve. Ndërsa si numër biznesesh, ai me numrin më të madh të tyre rezulton se është i tregtisë, përkatësisht me nivelin prej 43.1%, i ndjekur nga sektori i sektori i akomodimit dhe restoranteve me 17.8%. Kurse sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive në rang vendi në vitin 2005, me vetëm 626 ndërmarrje, të cilat zunë 0.6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Por sektori i tregtisë rezulton në të njëjtën kohë edhe me nivelin më të lartë të shitjeve neto, respektivisht prej 48.3% të totalit. Sikundër ai rezulton edhe si një sektor me normë gjithashtu të lartë punësimi, deri në 25.7% të totalit për vitin 2015.

 

Sa më i madh të jetë biznesi, aq më

i madh është investimi që ai kryen

Sa më i madh të jetë një biznes, aq më i madh është investimi që i nevojitet atij të kryejë për vazhdimësinë e tij. Këtë e faktojnë dhe shifrat, sipas të cilave, rezulton se sektori që ka kryer më shumë investime, deri në 63% është pikërisht ai me mbi 50 të punësuar. Konkretisht, raportohet se sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, me plot 60 miliardë lekë për vitin 2015, duke zënë 28.6% të investimeve gjithsej. Kurse realizuesit e shërbimeve, ku thamë se përfshihet kryesisht biznesi me vetëm 1-4 persona, në fakt thuhet se ka kryer vetëm 38.3% nivel investimesh, krahasuar me totalin. Për të vërtetuar kështu se përse ai është edhe më i preferuar për t’u hapur nga shqiptarët. Teksa thuhet se rënie ka patur treguesi i investimit, kryesisht në sektorin e ndërtimit, me -8.8%.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: