Emigrantët drejt Kanadasë pas urdhrit të presidentit Trump

Emigrantët drejt Kanadasë pas urdhrit të presidentit Trump
Frika e një ashpërsimi të klimës së ksenofobisë ka detyruar shumë azilkërkues në Shtetet e Bashkuara të marrin rrugën e Kanadasë.

Krerët e komunitetit somalez në zonën e Minnesotës janë dëshmitarë të rritjes së ndjeshme të numrit të njerëzve që kërkojnë të kalojnë kufirin me çdo kusht. Vendimi, edhe pse i pezulluar i Donald Trumpit për t’u ndaluar hyrjen qytetarëve nga 7 vende, përfshirë dhe Somalinë, i ka shtyrë emigrantët të nisen drejt veriut edhe me rezerva të pakta me vete.

Në disa raste nuk dihet as nëse mbijetojnë.

“Ku janë këta njerëz? Kush e di çfarë ka ndodhur me ta”, tha Omar Jamal, kreu i komunitetit somalez në Minnesota.

Azilkërkuesit ndjekin përgjatë kufirit rrugën që kalon mes Dakotës së Veriut dhe provincës kanadeze të Manitobës. “CBC” intervistoi njërin prej personave që ndihmojnë kalimin e emigrantëve në anën tjetër, ai preferoi të ruajë anonimatin.

“Rruga në Dakotën e Veriut është shumë e keqe”, rrëfen burri. “Emigrantët më thonë: vetëm na hidh nga ana tjetër, vetëm këtë bëj”. Nga 1 nëntori deri më 25 janar, agjencia e refugjatëve në Manitoba ka ndihmuar 91 vetë, e kjo shifër është më e madhe nga çfarë regjistron ajo në një vit.

“Në këtë mënyrë marrin mbi vete një rrezik të madh, duke pasur parasysh dhe të ftohtin e acartë. Por e bëjnë sepse mendojnë që ia vlen mundimi, përndryshe nuk do t’i hynin asaj rruge”, tha Omar Jamal.

Zyrtarët thonë se Kanadaja do t’u ofrojë strehim të përkohshëm çdo udhëtari të bllokuar nga urdhri ekzekutiv i Trumpit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: