Euro në "pikiatë", monedha evropiane në nivelin më të ulët

Euro në "pikiatë", monedha evropiane në nivelin më të ulët
Nëse keni lënë mënjanë kursime në monedhën europiane më mirë mos i këmbeni këto ditë në lekë, kursi është i mjaft i ulët dhe nuk ju leverdis

Eglantina NASI

135.34

Lekë u shënua dje niveli i këmbimit të monedhës europiane, euro, me atë vendase, duke vijuar trendin rënës të saj të ditëve të fundit në vend

Nëse keni lënë mënjanë kursime në euro, përpiquni të mos i këmbeni këto ditë, pasi nuk do të përfitonit shumë lekë. Dhe kjo, pasi monedha europiane gjendet aktualisht në "pikiatë". Konkretisht, referuar të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, ditën e djeshme, euro shënoi nivelin e saj më të ulët të këmbimit në tregun valutor, prej 135.34 lekësh. Duke vijuar, në këtë mënyrë, trendin rënës të vlerës së saj, vënë re, gjatë ditëve të fundit, në këtë treg. Kështu, vetëm dje, gjithmonë sipas BSH-së, norma rënëse në tregun valutor e monedhës euro ka qenë përkatësisht në nivelin prej -0.09%, duke folur për një përkeqësim të kuotimit të saj përballë lekut.

E duke shënuar një rënie të fortë, në fakt, po ta krahasojmë me një vit më parë kur në të njëjtën periudhë të vitit, ajo këmbehej saktësisht, me 138.5 lekë. Një nivel i konsiderueshëm ky i monedhës europiane, sidomos për pjesën e pas festave të fundvitit, kur në vend, ka një ofertë të madhe të saj nga emigrantët shqiptarë që vijnë në vendin e origjinës. Ndërkaq, në terma praktikë, një euro e dobët, për qytetarët që e disponojnë atë, do të thotë më pak lekë në xhepat e tyre teksa e ndryshojnë pranë pikave të këmbimit valutor. Por, nga ana tjetër, edhe më pak lekë të nxjerra prej tyre teksa u duhet të kryejnë pagesa në euro. Këto të fundit mund të jenë, fare mirë, pagesat e kësteve të kredive që mjaft qytetarë i disponojnë në monedhën europiane. Por edhe të tjera të tilla që, tashmë, kryhen përmes tyre, si blerja e biletave të avionëve, pagesat e ndryshme të shërbimeve spitalore etj.

Në këtë këndvështrim, një euro e dobësuar e këtyre ditëve, mund të përdoret pikërisht nga këto kategori për të nxjerrë përfitime konkrete. Gjë e cila, në fakt, nuk mund të thuhet për ata që e disponojnë në formë likuide euron dhe u duhet ta kthejnë patjetër në lekë atë, që të kryejnë pagesa përmes këtij të fundit. Teksa një panoramë të ngjashme, duket se ofron edhe monedha amerikane e cila, gjithashtu, ka shënuar një rënie në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Konkretisht, dollari amerikan ka zbritur dje nga niveli i këmbimit prej 127.5 lekësh në 126.9 lekë, duke referuar një rënie respektive prej -0.88 lekësh. Duke na treguar kësisoj se këto nuk duken kohë fort të mira për tregun e këmbimit valutor dhe se qytetarët shqiptarë, duhet të presin ditë më të mira për të pretenduar të fitojnë më shumë lekë, ndërsa shkojnë pranë tij për të thyer eurot apo dollarët që zotërojnë.

Ekspertët: Rënia, edhe nga efektet sezonale

Rënia e nivelit të këmbimit të monedhës europiane, euro, në tregun e brendshëm valutor, vlerësohet nga ekspertët, para së gjithash e lidhur me efektet sezonalë. Konkretisht, sipas tyre, në pjesën e parë të vitit, aktivitetet private shënojnë një rënie të tyre, menjëherë, pas një rritjeje të xhiros së tyre për festat e fundvitit. Por, nga ana tjetër, aktorët në tregun e këmbimit e lidhin dukurinë e rënies së kuotimit të euros edhe me rënien e saj në tregun ndërkombëtar të këmbimit valutor.

Parashikimi: Euro do të vijë në rritje

Ndërsa monedha e përbashkët euro gjendet, tashmë, në nivelin më të ulët të saj, gjatë javëve në vijim pritet një përmirësim i saj në tregun e brendshëm valutor. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e këtij të fundit, sipas të cilëve, kjo lidhet me pritshmërinë e një përmirësimi të aktivitetit të biznesit privat në vendin tonë, gjatë javëve në vijim, edhe pas pagesës së sigurimeve. Teksa pritet, në të njëjtën kohë, edhe një rritje e nivelit të konsumit, pas atij të festave të fundvitit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: