Fakte përgjatë 95 viteve marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA

Fakte përgjatë 95 viteve marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA
Nga Roland QAFOKU

Ky dosier është shkruar posaçërisht për Albanian Free Press

K 1922-2017 a një rregull të pashkruar në historikun e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-s. Edhe pse diplomatët amerikanë, kanë përfaqësuar interesat e SHBA-s dhe kanë punuar për këto interesa, çfarëdo të kenë bërë dhe çfarëdo të ketë ndodhur, historia i ka dhënë të drejtë përherë SHBA-s. Kështu ndodhi atyre gjashtë muajve gjatë konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, kur, me një të rënë të lapsit, shuheshin dhe lindnin kombe të rinj. Ishte koha kur pasi na kishin hequr pavarësinë, serbë, grekë, bullgarë dhe rusë, kërkonin ta copëtonin Shqipërinë tonë të gjorë, si të ishte një lopë. Por shpëtimtari ynë i madh, ishte presidenti i SHBA-s, Woodrow Wilson, duke na e rikthyer këtë pavarësi përmes doktrinës së tij të vetëvendosjes. Kështu ndodhi, atë 7 prill 1939, kur Ahmet Zogu refuzoi ofertën e ambasadorit amerikan në Tiranë, Hugh Grant, i cili i ofroi tre pasaporta amerikane atij, Geraldinës dhe Lekës dyditësh. Kështu ndodhi atë vjeshtë të vitit 1947, kur zyrtarët amerikanë u detyruan të largohen nga Shqipëria edhe pse SHBA-s kërkuan ta ndihmonin vendin tonë të varfër, por fodullëku i komunistëve dhe përqafimi i Lindjes sovjetike, solli ndërprerjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve dhe për gjysmëshekulli dhe SHBA-s u cilësuan armiku numër një në botë i shqiptarëve. Kështu ndodhi edhe në ngjarjet e vitit 1997, kur rrëzimi i skemave piramidale bëri që disa zyrtarë të lartë shqiptarë, të arrinin të bënin fajtore SHBA-s, por në fakt rezultoi se ishte kjo e fundit ajo që, jo vetëm ndihmoi Shqipërinë, por madje, dy vjet më, pas sulmoi Serbinë duke i dhënë pavarësinë Kosovës. Këto ditë, debati midis kryeprokurorit, Adriatik Llalla, dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu, gati ka lënë pa frymë opinionin. Si populli më proamerikan në botë, i kishim harruar deklaratat kundër diplomatëve amerikanë. Gjithsesi, pavarësisht argumenteve pro dhe kundër, pavarësisht pyetjes së madhe se i kujt është faji, ne shqiptarët kurrë nuk do të mund t'ia kthejmë atë nder të madh që SHBA-s kanë bërë për ne ndër vite, dekada dhe shekuj. Më poshtë janë 50 momentet më të rëndësishme, në historikun e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-s. Mjafton të lexosh këtë historik për të kuptuar shumë.

1. Presidenti i 28-të i SHBA-s, Woodrow Wilson, nëpërmjet teorisë së tij të vetëvendosjes, ishte ai që gjatë konferencës së Paqes në Paris, nga janari deri në qershor të vitit 1919, t'i rikthente Shqipërisë pavarësinë e hequr nga fqinjët dhe fuqitë e mëdha europiane.

2. Shqipëria dhe SHBA-s, vendosën marrëdhënie diplomatike më 28 korrik të vitit 1922, pas përgatitjeve dyvjeçare që mori ky vendim. Që prej vitit 1920 deri në këtë moment SHBA, dërguan disa zyrtarë dhe diplomatë në Tiranë të cilët hartuan raporte dhe kryen takime me përfaqësues të shtetit shqiptar.

3. Që nga viti 1992 e deri më sot, SHBA-s kanë dërguar 18 ambasadorë dhe të dërguar me punë në Shqipëri.

4. Diplomati i parë i SHBA-s që ka ardhur në Tiranë, ka qenë Maxvell Black. Në gusht të vitit 1922, ai u emërua kreu i diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar. Si seli e parë e ambasadës amerikane në Tiranë, shërbyen ambientet e familjes Toptani, aty ku sot janë ende sarajet e Esad Toptanit.

5. Diplomati Black shënoi suksesin më të madh të tij, kur nënshkroi marrëveshjen sipas së cilës Shqipëria fitonte statusin e vendit më të favorizuar për SHBA-në.

6. Diplomati i dytë i caktuar nga SHBA-s ka qenë Ullysses Grant Smith, në detyrën e ambasadorit, i cili u emërua më 22 shtator 1922, dhe mbërriti në Tiranë më 4 dhjetor 1922. Ambasadori Smith e mbaroi misionin më 8 shkurt 1925.

7. Ulysses Grant Smith ka qenë i pari diplomat që i ka dërguar një raport të plotë Departamentit të Shtetit, për dy politikanët më të rëndësishëm në atë kohë në Shqipëri, Ahmet Zogun dhe Fan Nolin.

8. "Ky vend është shumë i varfër, njerëzit në përgjithësi janë të pashkolluar dhe të paushqyer, por çuditërisht përpara meje ndodhet kryeministri Fan Noli, i cili flet një anglishte harvardiane, shumë më të mirë nga e imja dhe unë ndihem keq përpara tij", shkruan Smith në kujtimet si ambasador në vendin tonë.

9. Ngjarja më e rëndë e cilësuar në historikun e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA-s, është vrasja e dy turistëve amerikane Robert Coleman Lewis dhe George De Long, më 6 prill të vitit 1924 në Mamurras, përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Shkodër.

10. Ngjarja bëri jehonë të madhe në SHBA duke u bërë lajm i parë në shumë gazeta. Ambasadori Grant Smith deklaroi pas kësaj ngjarjeje se, më këtë krim të kryer, Shqipëria bëri njëmijë vjet prapa.

11. Lidhur me këtë ngjarje, një gjykatë Amerikane e dënoi Ahmet Zogun me vdekje, pas organizimit të pritës ndaj dy turistëve. Një vendim i tillë u tërhoq më vonë pas zbardhjes së ngjarjes. në të cilin të implikuar ishin shërbimet sekrete serbe.

12. Diplomati i dytë i dërguar në Shqipëri nga SHBA-s ishte Charles Heart. Gjatë kohës që në Shqipëri shërbeu ambasadori Charles Heart, u realizua liberalizimi i vizave mes SHBA-s dhe Shqipërisë.

13. Gjatë kohës që i dërguar ishte diplomati tjetër Charles Wood, mund të përmendim arsimimin e disa të rinjve në SHBA-s dhe që, më pas, u bënë personalitete të jetës shqiptare.

14. Gjatë kësaj kohe përmendet vërshimi i tendencës perëndimore në mënyrën e jetesës, si organizimi, për herë të pare, i disa ballove në Tiranë, futja e disqeve dhe gramafonëve.

15. Ambasadori tjetër i dërguar në Shqipëri, ishte Herman Bernstein, gazetar i gazetës "New York Times" me origjinë hebreje. Gjatë kohës që shërbeu si ambasador, Herman Bernstein, përmendet nisja e aktivitetit të shkollës teknike më drejtor, Harry Fultz.

16. Një tjetër e veçantë gjatë ushtrimit të mandatit të Bernstein, është ndihma që SHBA-s i dhanë Shqipërisë për tharjen e disa kënetave që, përveç sipërfaqeve të tëra moçalishte, ishin edhe burim i sëmundjeve si malaria.

17. Në vitin 1929, Herman Bernstein është ambasadori amerikan që përuroi selinë e re të ambasadës në Tiranë. Kjo është godina e parë që Departamenti i Shtetit e ndërtoi jashtë kufijve të SHBA-s pas një ligji të vitit 1926, i cili i jepte këtë të drejtë Departamentit të Shtetit.

18. Selia e ambasadës amerikane në Tiranë, u projektua nga Nathan Wyeth dhe Sullivan, të frymëzuar nga shtëpitë e shekullit XVIII në Virginia. I pari është edhe projektues i zyrës ovale të Shtëpisë së Bardhë.

19. Projekti i dy arkitektëve me fame, u zbatua duke ndihmuar edhe nga nxënësit e shkollës teknike amerikane në atë kohë në Tiranë, me drejtor Harry Fultz-in.

20. Ambasadori tjetër i dërguar në Tiranë, ishte Hugh Grant. Gjatë kohës së tij si ambasador, Hugh Grant përmendet si menaxhoi momentin e pushtimit të Shqipërisë nga It më 7 prill, 1939.

21. Ambasadori Grant kishte lajmëruar autoritetet shqiptare dhe mbretin Zog, 20 ditë përpara 7 prillit për sulmin e Italisë ndaj Shqipërisë.

22. Grant i ofroi mbretit Zog tri pasaporta për vete, mbretëreshën dhe të birin Leka, dyditësh, për t'u futur në ambasadë dhe për të fituar azil politik, por Zogu refuzoi. Historia do të shkruhej ndryshe, nëse Zogu do pranonte ofertën amerikane.

23. Ambasada amerikane në Tiranë, u mbyll zyrtarisht më 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant, u largua më 27 shtator të po atij viti.

24. Që nga viti 1939 e deri në tetor 1991, Shqipëria dhe SHBA-s nuk kanë patur marrëdhënie diplomatike. Zyrtarisht, regjimi komunist i Enver Hoxhës e cilësonte SHBA, armikun numër një në botë.

25. Më 28 shkurt 1991, u përpilua akti i parë i rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-s. Më 15 mars 1991, ky akt u zyrtarizua duke bërë që, këto marrëdhënie, të cilësoheshin zyrtare.

26. Ambasada e SHBA-s në Tiranë, u hap më 1 tetor 1991, dhe Chrtistopher Hill u caktua nga departamenti i shtetit si i ngarkuar me punë Ad interim.

27. Kandidati i parë për të qenë ambasador pas 52 vjetësh, ishte Van Christo, një shqiptar i ardhur në SHBA-s nga Korça, në moshën njëvjeçare. Christo u propozua në atë kohë, nga kongresmeni i Massachusetts, Joh Kerry, por nuk mori votat e duhura.

28. Kongresi votoi duke i dhënë OK, kandidatit tjetër William Rayrosn. Më 21 dhjetor 1991, ambasadori i SHBA në Shqipëri, Rayrson, paraqiti letrat kredenciale te presidenti Ramiz Alia.

29. Zyrat e para të stafit diplomat amerikan kanë qenë dy dhoma në hotel Dajti, ku u sistemua një personel mjaft i vogël, që nisi punën në Shqipëri.

30. Pak muaj më vonë zyrat u zhvendosën në godinën e dikurshme të ambasadës, e cila, edhe sot, është në rrugën e Elbasanit.

31. Nga viti 1947 deri në vitin 1991, pra për 54 vjet, godina e ambasadës amerikane iu dha me qira ambasadës italiane në Tiranë.

32. Më 11 qershor 1991, sekretari amerikan i shtetit, James Becker, vizitoi Tiranën, në një pritje të jashtëzakonshme, në një miting ku folën drejtuesit e shtetit dhe politikës së asaj kohe. Populli i Tiranës shtroi tapet të kuq në hyrje të sheshit "Skënderbej", ku do të kalonte Becker.

33. William Rayerson veçohet për mbështetjen që i dha opozitës së asaj kohe, veçanërisht Partisë Demokratike, lidhur me rrëzimin e komunizmit dhe ardhjes së saj në pushtet. Vetë Rayerson ka qenë pjesëmarrës në disa mitingje të PD-së.

34. Ambasadori Joseph Lake, është i pari ambasador amerikan që ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas asaj që u cilësua si mosarritje kompromisi. Media shkroi se Lake nuk arriti të "këmbente" një vizitë të Berishës në SHBAs me mosshkarkimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Zef Brozi.

35. Momenti më i keq diplomatik, në marrëdhëniet midis Shqipërisë me SHBA-s, cilësohet kur, më 19 korrik 1996, presidenti Sali Berisha, refuzoi të takojë nënsekretarin e Shtetit Timothy Wirth që kishte mbërritur në Tiranë.

36. Gjatë kohës që shërbeu ambasadorja Mariza Lino, u bë menaxhimi i ngjarjeve të vitit të mbrapshtë 1997, kur, si pasojë e trazirave, u shkatërruan institucionet e shtetit.

37. Lino do të mbahet mend për refuzimin e vizës amerikane që i bëri bosit të VEFA-s, Vehbi Alimuça, në fund të vitit 1996, duke paralajmëruar, në një farë mënyre, rrëzimin e skemave piramidale.

38. Së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Dan Everts, Marisa Lino ka menaxhuar edhe ngjarjet e 12 dhe 14 shtatorit 1998, në Tiranë, kur u vra ish-kryetari i PD-së dhe deputeti Azem Hajdari dhe pas kësaj u shkatërruan të gjitha institucionet qendrore të qeverisë.

39. Një tjetër ngjarje që ka menaxhuar Lino, ka qenë rreziku islamik dhe terrorist i xhihadit islamik në Shqipëri, si pasojë e penetrimit të tyre nëpërmjet shoqatave humanitare.

40. Gjatë kësaj kohe për herë të parë u mbyll ambasada amerikane, si pasojë e informacioneve se godina e kësaj ambasade do të sulmohej nga terroristët.

41. Arrestimi në Tiranë i tre terroristëve në vitin 1998, të akuzuar për vrasjen e kryeministrit të Egjiptit, solli largimin e tyre dhe më pas ekzekutimin me varje në Kajro të Egjiptit. Të gjithë operacionin e arrestimit dhe transferimit të tyre në Kajro, e kanë kryer marinsat amerikanë.

42. Pikërisht për t'u hakmarrë ndaj kësaj ngjarjeje, kryeterroristi numër një i botës, Osama Bin Laden, organizoi grupe terroriste të Al Qaedës dhe hodhi në erë ambasadën amerikane në Dar Es Salam të Tanzanisë dhe Najrobi të Kenias, duke shkaktuar 250 amerikanë të vdekur.

43. Ambasadori tjetër, Robert Frowik, mbahet mend për negociatat, duke arritur të kthejë në kuvend Partinë Demokratike, e cila prej një viti nuk merrte pjesë në seancat plenare.

44. Joseph Limpreht cilësohet si një nga diplomatët amerikanë që e ka dashur më shumë Shqipërinë. Fati e deshi që edhe të vdiste pikërisht në tokën shqiptare të cilën e deshi aq shumë.

45. Më 10 qershor 2007, cilësohet edhe kulmi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBAs nëpërmjet vizitës së presidentit të parë në detyrë në vendin tonë, George W. Bush.

46. Gjatë fjalës së tij në prani të personaliteteve dhe një pritjeje spektakolare nga populli i Tiranës, presidenti Bush deklaroi pavarësinë e Kosovës.

47. Ambasadori Aleksandër Arvizu veçohet për menaxhimin e ngjarjes së rëndë të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues të opozitës.

48. Gjatë fushatës elektorale për presidentin e 45-të të SHBA, kryeministri Edi Rama, doli hapur pro kandidates Hillary Clinton, duke deklaruar publikisht një frazë aspak diplomatike: Mos e dhëntë Zoti dhe fiton Trump!

49. Ambasadori Donald Lu veçohet për angazhimin e tij maksimal për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

50. Përplasja mes Lu dhe kryeprokurorit Llalla është e para e këtij lloji në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ambasadori e cilësoi Llallën se kishte qenë kundër reformës, ndërsa           kryeprokurori deklaroi se Luja, i ka bërë shantazh dhe ka përdorur interesa personale.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: