Falje fiskale, kush përfiton

Falje fiskale,  kush përfiton
Një masë e madhe e detyrimeve tatimore dhe doganore, edhe pse kanë qenë objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur ende në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë fshirë prej tyre. Por me projektligjin e ri të qeverisë, fshihen ato të cilat u përkasin periudhave tatimore, para 6 vjetëve

Eglantina NASI

J eni një individ apo biznes që u keni mbetur borxh, prej vitesh, tatimeve apo doganave? Duhet të gëzoheni! Sepse një falje fiskale, miratuar, dje, nga qeveria, ju lehtëson nga barra e trashëguar e tyre. Konkretisht, fjala është për të gjithë ato detyrime tatimore apo doganore të papaguara para dhjetorit të vitit 2010, të cilat, falë këtij projekti të qeverisë, do të fshihen.

I bërë, tashmë, gati për depozitim në Kuvend, ai përcakton saktësisht se “do të fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatë-vonesën dhe gjobën, për periudhat përpara dhjetor 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara”. Më në detaje, projektligji i miratuar dje “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në Doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”, - sqaron se do të fshihen gjobat dhe kamatë-vonesat për periudhën e viteve 2011-2014, por me kushtin që brenda periudhës 6-mujore, nga hyrja në fuqi e tij, të paguhet i plotë tatimi, taksa, tarifa apo kontributi.

Nga ana tjetër, ai parashikon edhe fshirjen, me të njëjtat kushte, të detyrimeve tatimore qendrore , si edhe atyre vendore , por dhe detyrimeve të pagueshme në doganë. Por duhet pasur parasysh mirë fakti se nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij projektligji, subjektet që kanë detyrime fiskale të papaguara dhe kanë në fakt një vendim gjyqësor të formës së prerë, të marrë ndaj tyre si të dënuar penalisht për evazion fiskal dhe kontrabandë.

Ndërsa, një zë interesant i kësaj faljeje është edhe fshirja nga regjistrat e detyrimeve të papaguara në doganë për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016. Sakaq, nuk duhet harruar fakti se në këtë projekt të faljes fiskale, është përfshirë edhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore shëndetësore.

Por kjo, gjithsesi, duhet ditur se do të bëhet me kushtin e pagesës së kontributit. E kjo, argumentuar nga ekspertët me faktin se ai është kontribut që i është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllim të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit. Nuk duhet harruar, se do të falen edhe gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin. Bëhet fjalë për ato gjoba që qytetarët mbajnë mend, në qershor 2016, kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik online dhe fshirja e gjobave për deklarimin e kontributeve ishte një premtim i qeverisë. “Përfshihen edhe rastet e gjobave referuar neneve të shfuqizuara nga Kushtetuesja”, - saktëson projektligji.

Në fund, u lë hapësirë edhe disa operatorëve shtetërorë të sektorëve të ndryshëm, jo vetëm individëve dhe bizneseve për të përfituar nga falja fiskale e detyrimeve të prapambetura. Konkretisht, fjala është për operatorët e sektorit elektor-energjetik me kapital 100% shtetëror dhe sektorit të ujësjellës-kanalizime, të vlerësuar si sektorë strategjikë të ekonomisë dhe në një reformë të thellë.

Për këtë arsye, atyre do t’u falen shumë borxhe të akumuluara ndaj tatimeve dhe doganave. “Nisur nga situata e detyrimeve të akumuluara ndë- rmjet operatorëve , kemi parashikuar që për ta, të fshihen edhe detyrimet tatimore të papaguara, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe detyrimet e vetdeklaruara nga këta operatorë, dhe që u përkasin periudhave janar 2011, deri dhjetor 2013”, - saktëson projektligji. Duke shtuar se, po për këta operatorë, për janar 2014-dhjetor 2014 do të aplikohet fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht pagesën, brenda 6muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit, e tatimit, taksës, tarifës apo kontributit.

AFATET

Detyrimet e prapambetura tatimore dhe doganore u falën në fakt nga qeveria, sepse rezultonin si të pambledhshme, duke qenë se është tejkaluar afati ligjor prej 5 vitesh nga data kur ato duhej të paguheshin

Shpërndajeni me miqtë tuaj: