Greva e personelit të “Alitalia”, anulohen dy fluturime Romë - Tiranë

Greva e personelit të “Alitalia”, anulohen dy fluturime Romë - Tiranë
Shoqëria ajrore Alitalia ka anuluar gjatë ditës së sotme e do të anulojë gjatë paradites së nesërme rreth 60 % të fluturimeve kombëtare e ndërkombëtare, kjo për shkak të grevës së shpallur nga personeli i saj.

Mes fluturimeve të anuluara janë dhe dy udhëtime të linjës Romë-Tiranë, planifikuar gjatë ditës së enjte, 23 shkurt. Fluturimet janë të përcaktuara me numër AZ 584 e AZ 510.

Nën zërin e sindikatave, pilotët e punonjësit e Alitalia, protestojnë kundër situatës ekonomike në të cilën ndodhet aktualisht kjo shoqëri e cila ka mbyllur vitin 2016 me një defiçit prej 600 milionë euro.

Kjo kompani parashikon për vitin 2017 një reduktim prej 160 milionë euro të shpenzimeve të saj.

Por mbi të gjitha personeli i Alitalia-s proteston ndaj mungesës së një plani industrial për rimëkëmbjen e shoqërisë si dhe vendimit të marrë nga drejtuesit e saj për të ndryshuar kontratën e punës së punonjësve nga një kontratë kombëtare, në një kontratë të bazuar në një rregullore të brendshme të Alitalias.

Ky vendim do të hyjë në fuqi në muajin mars dhe ka nxitur grevën e personelit të kësaj shoqërie.

Ministri i zhvillimit ekonomik në Itali, Carlo Calenda, ka thirrur në takim përfaqësuesit e shoqërisë së fluturimit “Alitalia ku mësohet se ndër të tjera u ka thënë se kompania e tyre është një shoqëri private me probleme të dukshme në administrim, por që kjo nuk duhet të rëndojnë mbi punonjësit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: