Hipokrizi e dobishme!

Hipokrizi e dobishme!
Nga Juela Meçani

Erdhi Shën Valentini edhe për këtë vit. Heshtur heshtur erdhi. Nën zë fare. Nuk u skuqën fasadat prej xhami të butikëve nga veshjet e kuqe, nuk nxituan parfumeritë të ekspozonin parfumin europian të rradhës me emër sensual dhe një superyll në foto. Ca tullumbace pamë shpërndarë, se helbete kushtojnë pak dhe vetëm dyqanet e luleve tejmbushur me trëndafila të kuq na kujtuan disi që është Shën Valentin. Fundiviti na e tregoi por festa e dashurisë edhe më shumë. Dashurinë e ka zënë kriza ekonomike, por edhe konsumizmin. E kjo nuk është ndonjë e keqe e madhe, mendoj. Ndoshta çdo e keqe e ka një të mirë.

Do nxitojmë si fillim të bëjmë shaka me kolegët, me ata të dashuruarit fringo ose të sapomartuarit, ata po që kanë ende kërshëri të zbulojnë hiret e dashurisë, më pas do hapim adresat tona në rrjetet sociale e do të kërkojmë ndonjë shprehje të gatshme që ngre në piedestal dashurinë, të tipit “dashuria ime je ti” ose “dashuria është ushqim për shpirtin” ose “kush dashuron për interes nuk e njeh dashurinë”. Kjo sigurisht bashkë me një foto, edhe kjo e gatshme nga ëeb-i që sjell pak estetikë të induktuar mes nesh, të stresuarve të metropolit. Në drekë një kafe me shoqet, se duhet patjetër të tregojmë se sa special është partneri, se ai është kujtuar për ty, që në mëngjes.

Do të mbyllemi më pas këtë natë në shtëpi, pas pune do të vrapojmë të rregullohemi ca e shpejt e shpejt mbi divan të shijojmë familjen. Me siguri do të gjejmë kohën të përgatisim kek me arra, një verë të kuqe, fëmijët në gjumë dhe deri vonë një film romantik.

E ja ku magjia u krye. Si kurrë më parë mungesa solli plotësim. Shakatë e fatit, lojërat e kohës që jetojmë.

E padëmshme kjo hipokrizi që fluturon në ajër këtë ditë. Le të jetë aty, fundja një ditë është, do të kalojë. Është ndoshta e vetmja ditë kur nuk e ke problem se do të kalojë shpejt, e mezi do të presësh të vijë e nesërmja. Dhe e dini se përse?

Dashuria nuk është perfekte, ajo nuk duhet të jetë perfekte. Ka tjetër mision të mbartur me shekuj. Ajo është aty pikërisht për të qenë imperfekte, sepse vetëm ashtu thyen mitet. Dashuria nuk është e fortë, ajo nuk duhet të jetë. Duhet të jetë e brishtë, e të na forcojë teksa përpiqemi ta ruajmë, ta ushqejmë, ta rinisim atë.

“Dashuria ime je ti” le të thuhet, do besohet pak nga disa e shumë nga disa, por le të thuhet sa më shumë. Ajo që në këtë ditë duhet të mendojmë është se kanë rënë legjendat urbane se dashuria ecën mbi taka sa një pallat apo të “lag me shampanjë”. Vetë robërit e saj i kanë rrëzuar mitet dhe kanë kuptuar, më mirë të themi, jetuar se jeta o vëlla e o motër është shumë e shkurtër, e se dashuria pa kushte, ajo e kthjellëta, të bën më të mirë e sigurisht më të bukur. Kjo është jeta, në fund të fundit!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: