Blogeret sfidojnë gazetaret!

Blogeret sfidojnë gazetaret!
Nga Juela Meçani

Java e modës në Milano sapo u mbyll. E si pas çdo aktiviteti me këtë rëndësi për industrinë e modës, erdhi koha që të bëhen llogaritë dhe të renditen sukseset dhe dështimet. Me sytë nga Milano është e tërë moda në çdo vend të botës. Por këtë vit epiqendra nuk ishin veshjet, as tendencat.

Ajo që habiti ishte që të gjithë gazetarët më në zë të modës u shprehën me shumë rreshta mbi blogeret e modës, duke dhënë mesazhe aspak entuziaste.

Një luftë frontale nga gazetarët më të njohur në botë ndaj një fenomeni i cili po krijon një lidhje shumë të ngushtë midis personave të thjeshtë ndjekës të modës dhe stilistëve më të njohur në botë, të cilët po shikojnë gjithnjë e më shumë një tjetër mundësi fitimi.

Sally Singer, Drejtoresha e krijimtarisë në Vouge e quan “situatë skizofrenie, aspak pozitive” popullaritetin e blogereve të modës. Edhe më rëndë shprehet Sarah Mower, Shefja e kritikës në Vogue që thotë se kategoria e blogereve dhe e fotografëve që i ndjekin kudo është “e tmerrshmë”.

Drejtoresha e Vogue Runway shpreh zemërimin e saj për mburrjen e këtyre blogereve si dhe për markat e njohura që u shkojnë nga pas.

Por çfarë është gjithë ky demonizim i këtij fenomeni? Pse pranohet me kaq xhelozi të hapur, që tashmë turmat e vajzave të reja dhe jo vetëm ndjekin tendencat tashmë vetëm më një klikim në një blog që preferojnë?

Sherri dhe kualiteti mes blogereve të modës dhe gazetarëve nuk është diçka e re. Dhe arsyeja është vetëm një. Blogeret e modës kanë përkrahur një formulë të thjeshtë që lexohet shpejt nga publiku dhe njerëzit e thjeshtë. Ato arrijnë që me një foto dhe pak tekst të diktojnë tendenca, pavarësisht se sa me të vërtetë marrin vesh nga moda. Kritika e përpunuar e një gazetareje të modës është e vështirë për tu perceptuar nga të gjithë, e mbi të gjitha nuk mund të arrijë deri aty sa të bëhet influencuese në masë.

Të bukura, të reja, të kompletuara, të superfotografuara, në rresht të parë në çdo event, me adresa në rrjetet sociale që kanë më shumë ndjekës se një aktor hollivudi. Dhe kjo e arritur vetëm më një celular, një shkrepje, një veshje, një ambientim interesant. Kaq dhe u krye. Ndërkohë gazetaren duhet të nxjerrin stilolapsin, bllokun e shënimeve, të vëzhgojnë, të krahasojnë, të kritikojnë, të intervistojnë.

Një sistem i quajtur “i sëmurë” nga gazetarët e Vogue por që tashmë me revanshin që kanë marrë blogeret në mbarë botën, duket një betejë e humbur.

Në këtë panoramë, Shqipëria ka një veçanti. Nuk ka një industri mode të mirëfilltë, nuk ka aktivitete mode periodike, edhe ato që nisin mbyllen shpejt. Si rrjedhim nuk ka gazetari mode e as gazetarë mode. Pra në Shqipëri, Blogeret e modës janë një aset, sepse të gjithë janë me sy nga ato,nga  Estela Ujka, Irena kita, Armina Mevlani etj. Me miliona vizita në adresat e tyre, janë të ftuara kudo, në çdo event apo sfilatë por në ndryshim nga kudo jashtë kufirit, kanë konkurrencë vetëm mes vetes. Këtu gazetare të modës që të shkruajnë mbi tendencat nuk ka.

Por kjo nuk shmang paragjykimet. Pak kohë më parë, Suada Sherifi, misi nga Vlora do të shprehej shumë djegëse dhe shigjetuese:  “Mendoj që asnjë blogger nuk funksionon si i mirëfilltë këtu tek ne, ashtu siç në fakt funksionon jashtë vendit, ku kushdo që ka një emër madje edhe paguhet për të qënë present në evente. Mendoj se mund të investohet më mirë në një profesion të vertetë, sesa të bëjë famë në këtë formë në një treg të vogël si Shqipëria.”

E megjithatë, duhet të pranojmë se blogeret shqiptare nuk dallojnë shumë nga blogeret e huaja, sa i përket shijes dhe stilit. Madje pak kohë më parë një vajzë shqiptare doli blogerja më e  mirë në Austri.

 

 

 

 

 

 

loading...
loading...