Islami: Meta është përballë protestës qytetare

Islami: Meta është përballë protestës qytetare
 Intervistë për Albanian Free Press me deputetin e PD Kastriot Islami: Opozita s’kërkon pushtetin në tavolinë, por kërkon zgjedhje të lira e të ndershme

Protesta e PD-së ka hyrë në ditën e nëntë të saj. PD-ja i bëri ftesa të gjitha partive politike, për t’iu bashkuar protestës, por, më tepër, pritej reagimi i Metës. Sipas deputetit Islami “Meta, aktualisht, është përballë protestës qytetare. Protesta qytetare ka vetëm një objektiv, sa të thjeshtë aq edhe madhor, realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa Ramën kryeministër dhe me një qeveri që mbështetet nga të gjithë forcat politike të angazhuara për zgjedhje të lira e të ndershme”. I pyetur për mënyrën e zhvillimit të protestës, qëllimin, mënyrat e funksionimit, ai shprehet si më poshtë.

 Z. Islami, tashmë, PD-ja është futur në ditën e 7 të protestës, a do të vazhdojë kjo protestë dhe deri kur?

 Kjo është një protestë qytetare, për shumë nga hallet e shqetësimet e tyre nga keqqeverisja katërvjeçare e rilindjes, paqësore dhe pa kthim deri në (vetë)largimin e Ramës nga posti i Kryeministrit dhe formimin e Qeverisë që do të përgatisë zgjedhjet e ardhshme, të lira e të ndershme, përmes të cilave qytetarët kanë besimin e palëkundur se do të mund të zgjedhin qeverisjen e realizimit të interesave të tyre.

Raportuesi për Shqipërinë, Fleckenstein si dhe komisionari Hahn, deklaruan se janë kundër bojkotit të Parlamentit. A do merret në konsideratë nga PD-ja, kjo deklaratë?

 Përgjigjen e plotë të kësaj pyetje e kanë dhënë qytetarët në protestë, duke mos lënë asnjë hapësirë për komente për cilindo qoftë, shqiptar apo ndërkombëtar. Përgjigje domethënëse për mbështetjen e kauzës së opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, e cila do të realizohet përmes largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe krijimit të qeverisë që do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme e dha përfaqësuesi i OSBE-së, ndonëse i kërcënuar nga drejtuesi i oligarkisë Rama apo kryekanabisti Tahiri, një përgjigje që duhet lexuar e çiftuar me deklaratën e prokurorit italian të Antimafias. Të dy së bashku, mund të thuhet, deklaruan se në Shqipëri, gjatë tre vjetëve të qeverisjes Rama, qarkullojnë 6 miliardë euro - 2 miliardë euro - tha ambasadori i OSBE-së dhe tre herë më shumë tha prokurori italian i Antimafias - që do të përdoren për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Ky është një fakt i pamohueshëm, tashmë, dhe një akuzë që opozita e ka artikuluar para 3 vitesh, si dhe një nga arsyet madhore përse qytetarët janë në protestë. Ndërkohë ky është edhe një mesazh i qartë e shumë i fortë që shpreh jo vetëm solidarizimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë me shqetësimin për zgjedhje të lira e të ndershme, por njëkohësisht është edhe një mbështetje e fuqishme për protestën qytetare, mbështetje që vjen nga OSBE-ja ose thënë ndryshe nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Britania dhe gjithë vendet e tjera të BE-së, anëtare të OSBE-së. Më vjen mirë që ky mesazh alarmi, jepet nga përfaqësuesi i OSBE-së, pra, i të gjithë vendeve demokratike që merret pikërisht me zgjedhjet dhe sigurinë. Sepse, nëse preken zgjedhjet, stabiliteti dhe siguria, cenohen rëndë. Natyrisht, unë besoj se ky mesazh alarmi që vjen nga qytetarët shqiptarë, nga opozita dhe i përforcuar nga përfaqësuesi i OSBE-së, është lexuar nga të gjithë kancelaritë e vendeve demokratike në SHBA dhe vendet e BE-së, përfshi edhe eurodeputetët, madje, edhe ata që mbulojnë Shqipërinë, pavarësisht se Fleckenstein dhe Hahn artikuluan qëndrimin tradicional të radhës. Tanimë është, fatmirësisht, e qartë për të gjithë eurodeputetët, përfshi Fleckenstein dhe Hahn, e zgjedhjet e lira e të ndershme dhe siguria në Shqipëri, janë të cenuara rëndë, veçanërisht nga kultivimi i kanabisit dhe përdorimi i parave të pista nga trafiku i kësaj lënde narkotike, për blerjen e votave dhe të mandateve parlamentare. Po ashtu, duhet kujtuar se kur në 2014, opozita dha të gjithë argumentet për praninë e kriminelëve në parlament dhe në administratën publike, bartësit e të cilit i solli Rama në grupin e tij kuvendor për të fituar karrigen e kryeministrit, u desh një farë kohe derisa kjo kauzë të kuptohej dhe përqafohej nga i gjithë Parlamenti Europian. Kjo është arsyeja përse opozita do të qëndrojë me qytetarët deri në largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, përse është e bashkuar në kauzën e tyre të drejtë, duke u shpjeguar të gjithëve, shqiptarëve e ndërkombëtarëve, gravitetin e situatës dhe arsyet që kanë shtyrë qytetarët të dalin në protestë. Ky është një qëndrim prioritar ndaj interesit publik, ndaj shqetësimit qytetar, ndaj një kauze të madhe siç është ajo e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Çdo qëndrim tjetër do të ishte i gabuar për opozitën dhe do të detyronte qytetarët të viheshin përballë të gjithëve, siç po ndodh në Rumani e gjetkë. Shumë shpejt, ju do të shikoni se ndërkombëtarët do të mbështesin haptas e fuqimisht kauzën e qytetarëve në protestë.

 Nëse nuk do tolerohet për qëllimin tuaj, pra, qeveri teknike deri në zgjedhje, si do të veprohet?

 Kjo është protestë paqësore, pa kthim, deri në arritjen e objektivit. Asnjë qeveri e korruptuar, e inkriminuar dhe e lidhur me kultivimin e kanabisit dhe trafiqet e narkotikëve, nuk ka mundur të fitojë asnjë herë betejën me qytetarët, madje e kundërta është e vërtetë, gjithnjë qytetarët kanë fituar kauzat e tyre të drejta. Kërkohet, minimalisht, dorëheqja e Ramës për të mos ndërlikuar më tej situatën, sepse Rama do të largohet, pa asnjë dyshim, dhe largimi i tij është vetëm çështje kohe. Me këtë kauzë do të bashkohen çdo ditë e më shumë qytetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, studentë, të gjithë forcat politike, eventualisht edhe mazhorancës, që janë për zgjedhje të lira e të ndershme. Ju do të jeni dëshmitarë se, në fund të kësaj proteste, Rama do të mbetet i vetmuar përballë të gjithëve. Sa me vonë të marrë Rama vendimin për dorëheqje, aq më i fuqishëm do të jetë reagimi qytetar për largimin e tij të padiskutueshëm.

 Rama në Parlament deklaroi se kjo protestë është një manovër për të mos u zhvilluar Vettingu, sa qëndron kjo deklaratë?

 Kjo është një përrallë që s’e beson askush, veç klientelës së tij. Dalja e fundit në kuvend, i frikësuar dhe në panik, ishte shfaqja e radhës prej klouni, pasi ka mbi një muaj që ka braktisur parlamentin. Rama, edhe këtë herë, po tregon se është jo vetëm i paaftë, por edhe qesharak me shpjegimin e tij prej mediokri, duke kujtuar se njerëzit nuk kuptojnë dhe mund të hanë më mashtrimet e hiletë e tij bajate. Po si mund të flasë për Vetting, personi që në informacionet konfidenciale të OSBE-së rezulton me një pasuri prej 200 milionë euro të fshehur në një llogari off shore. Personi që ka sjellë në parlament, mbi 15 për qind të anëtarëve të grupit të tij kuvendor me rekorde të tmerrshme kriminale, ka futur mbi 20 për qind me pasuri të dyshimta, dhe mbi 10 për qind me diploma universitare false. Personi që, ende, mbron kriminelët në kuvend dhe në krye të bashkive. Kjo që bën Rama, pasi ka futur krimin në politikë, pasi ka kapur biznesin, median, shoqërinë civile është përpjekja e fundit për të kapur drejtësinë. Kjo nuk do të ndodhë dhe qytetarët në protestë do t’ia heqin këtë mundësi, duke e larguar nga kolltuku i kryeministrit. Sa për kujtesë, nuk mund të mos pohoj se opozita e votoi të gjithë kuadrin kushtetues të reformës në drejtësi, duke kërkuar konsensus dhe respektim të rekomandimeve të Venecias, pra, opozita e ka shprehur qartë dhe pa asnjë hezitim vullnetin e mbështetjen e saj, pa asnjë rezervë për reformën në drejtësi. Kurse Rama, tinëzisht, në vend që t’i qëndronte marrëveshjes së miratuar me konsensus - paketën e 7 ligjeve të reformës në drejtësi - bëri ndryshimet përmes të cilave synon të vendosë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi do të zbatohet nga qeveria teknike dhe mazhoranca e saj mbështetëse dhe bartësit qeveritar të korrupsionit, krimit e trafiqeve do të jenë “viktimat” e para të drejtësisë së reformuar; kjo e frikëson tmerrësisht Ramën dhe bandën e tij.

 Nëse nuk do të keni mbështetjen e ndërkombëtareve, si do të vazhdojë kjo lëvizje?

 Protestat qytetare zhvillohen të pandikuara, në të gjithë botën demokratike, pa pasur nevojë për mbështetje apo frikë nga pengesat. Në një aspekt tjetër mund të thuhet se deklarata e OSBE-së është një mbështetje e drejtpërdrejtë dhe e fuqishme që vjen nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së. Po ashtu, besoj jeni në dijeni të mbështetjes që ka marrë kauza qytetare nga përfaqësues të kongresit amerikan. Kjo mbështetje do të rritet në ditën në vijim. Nuk ka si ndodh ndryshe. Ramën e njohin, tanimë, në qendrat e vendimmarrjes globale, jo vetëm si politikanin më të korruptuar në Shqipëri dhe personin që solli kriminelët në kuvend, por edhe si personin që ka dhunuar ligjin elektoral të SHBA-së, thjesht për të bërë një foto me ish-presidentin Obama dhe përdorur atë për të mashtruar publikun shqiptar në fushatën zgjedhore; këto fakte i dinë të gjithë zyrtarët e lartë që merren me Shqipërinë në SHBA-në. Rama është i njohur në SHBA dhe në botën demokratike për gafën e famshme, duke sulmuar kandidatin për president të SHBA-së, Donald Trump, si “turpi i njerëzimit” fitorja e të cilit do të çonte në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Ju mendoni se nuk është mbajtur shënim një marrëzi e tillë dhe do të mbyllin sytë ndaj këtij personazhi grotesk, që kërkon të fitojë zgjedhjet duke blerë votat me paratë e korrupsionit, me kërcënimet e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe duke përdorur rrjetin e policisë që kontrollon miliarda euro nga kultivimi i kanabisit. Mjafton të kujtoj se çfarë gjërash të tmerrshme thuhen për Shqipërinë, Ramën dhe Tahirin, si në një shkrim të “The Hill”, ku një ekspert amerikan i sigurisë dhe NATO-s, arsyeton se për shkak të “kultivimit të kanabisit nga Rama, Tahiri e familjarët e tyre, Shqipëria është kthyer në hallkën më të dobët të NATO-s. Ju kujtoni se partnerët do të mbështesin këtë “bandë politike”, përballë qytetarëve në protestë?!

 A keni bërë ndonjë lëvizje për bashkëpunim me Metën në këtë situatë?

 Meta, aktualisht, është përballë protestës qytetare. Protesta qytetare ka vetëm një objektiv, sa të thjeshtë aq edhe madhor, realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pa Ramën kryeministër dhe me një qeveri që mbështetet nga të gjitha forcat politike të angazhuara për zgjedhje të lira e të ndershme. Kushdo që i bashkohet kësaj proteste, është i mirëpritur ndërkohë, kushdo që do të vazhdojë të vendoset përballë kësaj proteste, do të ketë fatin e Ramës. Qytetarët nuk bëjnë negociata me asnjë forcë politike për kauzën e tyre të drejtë, por duke qenë shumë të hapur besoj e kanë ftuar përmes mesazheve të tyre, të gjithë pa përjashtim ti bashkohen kauzës së tyre. Pra, qytetarët ia kanë dhënë mesazhin e qartë edhe Metës: “…nëse je për zgjedhje të lira, të ndershme, shkëputu nga Rama…” që të mos kesh fatin e tij.

 Ju, të enjten, në çadër zhvilluat një seancë plenare parlamentare të imagjinuar, cili ishte qëllimi i saj?

 Kjo, thjesht, do të thotë se deputetët e opozitës ishin të pranishëm në parlamentin e qytetarëve të ndershëm dhe të bashkuar me kauzën e tyre, në parlamentin e demokracisë direkte, të pastruar nga deputetët e korruptuar, të inkriminuar dhe kanabistë. Ndërkohë që, Rama ka qenë prezent në një mjedis ku përqendrimi i të korruptuarve, i kriminelëve dhe kanabistëve, ka qenë në nivelin më të lartë në Shqipëri.

 Mendoni se, kjo është rruga e duhur?

Kjo është e vetmja rrugë që Rama i la opozitës, një rrugë pa kthim, rrugë që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është kërkesa minimale në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE. Nuk do të lejohet më Rama bashkë me bandën e tij, të fitojnë pushtetin duke manipuluar zgjedhjet. Opozita nuk kërkon pushtetin as në tavolinë dhe as përmes rrugës, por kërkon që të gjithë subjektet elektorale të konkurrojnë në zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm kaq e thjeshtë është kërkesa e opozitës. Nuk do të lejohet Rama të fitojë pushtetin siç ndodhi në Dibër. Zgjedhjet e manipuluara do ta bënin procesin zgjedhor ilegjitim. Dhe historia ka treguar se nga legjitimiteti, gjithmonë, vijnë trazirat sociale dhe destabiliteti. Prandaj, në mënyrë logjike, mund të thuhet se qytetarët janë të angazhuar në favor të një procesi legjitim, të një parlamenti legjitim dhe për të siguruar qetësinë e stabilitetin e vendit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: