Jeni biznes pasiv? Ja si mund të riktheheni aktiv

Jeni biznes pasiv? Ja si mund të riktheheni aktiv
"Për tatimpaguesit që riaktivizohen në QKB, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri pasiv, në regjistrin aktiv të tatimeve, bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në të DPT-së, në datën e miratimit të aktivizimit në QKB"

Nëse jeni një biznes që figuron se e keni pezulluar aktivitetin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, mund ta riaktivizoni atë nëse dëshironi. Kjo parashikohet në një udhëzim të posaçëm të ministrisë së Financave, sipas të cilit, "kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv të administratës tatimore, bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e Tatimeve. Teksa, data e aktivizimit do të jetë pikërisht ajo e kërkesës për riaktivizim të subjektit si i tillë. "Për tatimpaguesit që riaktivizohen në QKB, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv të administratës tatimore, bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së, në datën e miratimit të aktivizimit në QKB", - sqaron udhëzimi në fjalë.

Duke shtuar, ndërkaq, edhe faktin tjetër se për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, aktivizimi bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore. "Për të gjithë rastet e aktivizimit, i dërgohet njoftim edhe tatimpaguesit në llogarinë/adresën e tij elektronike apo në një nga mënyrat e komunikimit të përcaktuara në ligj", - pohojnë ekspertët e MF-së. Duke sjellë në vëmendje faktin se çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me dispozitat ligjore.

E duke i paralajmëruar në këtë mënyrë se, nëse kanë zgjedhur ta kenë në gjendje pezull aktivitetin e tyre privat, gjatë kësaj periudhe, ata nuk mund të kryejnë veprime financiare, sepse do të dënohen. Sikundër, i paralajmërojnë me faktin se, gjithashtu, për çdo transaksion të kryer nga një tatimpagues blerës, me një tatimpagues shitës që është në regjistrin pasiv, i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve në listën e tatimpaguesve pasiv, konsiderohet shkelje si për shitësin dhe për blerësin. E thënë ndryshe, ligji ndëshkon edhe atë që ka operuar financiarisht me një biznes në gjendje pasive pranë QKB-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: