Jeni individ? Bankat të japin më lehtë kredi sesa kur je biznes

Jeni individ? Bankat të japin më lehtë kredi sesa kur je biznes
Banka e Shqipërisë konstaton se niveli i kreditimit për individët është më i lartë se ai për bizneset, sikundër dhe kushtet e kredidhënies ndaj tyre janë më të lehtësuara, kundrejt shtrëngimit ndaj bizneseve. Duke parashikuar madje se individët do vijojnë të jenë të privilegjuarit e bankave

Nëse troket te një bankë për të marrë kredi, mundësitë më të larta për ta përfituar atë, duket se i ke nëse e kërkon si individ, sesa si biznes. Të paktën, kështu referojnë shifrat e muajve të fundit, ofruar nga Banka e Shqipërisë. Sipas tyre, në tërësi, kredia e akorduar për individët nga bankat, është më e lartë sesa ajo ndaj biznesit si i tillë.

Sikundër, edhe për kushtet që një bankë ofron kundrejt një kredie, rezulton se ato për individët janë më të lehtësuara sesa ato për biznesin, për të cilin thuhet se janë më të shtrënguara. Në nivel krahasimor konkret, BSH-ja referon se, teksa kredia për individët shënoi një rritje vjetore prej 5.1%, në muajt tetor-nëntor të vitit të kaluar 2016, ajo për bizneset, gjatë së njëjtës periudhë, ka qenë prej 3.2%. "Kredia për biznese u ngadalësua në 2.3%, ndikuar si nga një ofertë e shtrënguar për kredi, ashtu edhe nga një kërkesë e dobët", pohon banka qendrore.

Ndërsa përdor terma më optimiste teksa analizon rastin për individët. "Kredia për individë ka shfaqur përmirësim të ritmeve të rritjes, në muajt tetor-nëntor, krahasuar me normën mesatare prej 3.7% në tremujorin paraardhës", - konstaton Banka e Shqipërisë. Madje, shkon dhe më tej duke pohuar se individët do të vazhdojnë të jenë të privilegjuarit e bankave për të marrë kredi, ndryshe nga bizneset, edhe gjatë muajve të ardhshëm. "Bankat janë shprehur optimiste edhe për zhvillimet e pritshme në tremujorin e parë të vitit 2017, teksa parashikojnë lehtësim të mëtejshëm të kushteve të kreditimit dhe rritje të kërkesës nga individët", - pohon saktësisht institucioni i bankës qendrore, lidhur me një dukuri të tillë.

Gjë që nuk e thotë lidhur me sektorin privat, për të cilin referon se bankat presin që një situatë e ngjashme e vijimit të kushteve të shtrënguara për kreditimin e tij, të vazhdojë edhe gjatë pjesës së parë të këtij viti, edhe pse në fakt ky i fundit po e shton gjithmonë e më tepër nevojën për financim pranë bankave. "Përmirësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe rikuperimi i besimit të bizneseve, në disa nga sektorët e ekonomisë, është reflektuar në kërkesë më të lartë për financim nga bizneset pranë bankave", sqaron BSH.

5.1% Rezultoi rritja e kreditimit prej bankave ndaj individëve gjatë tetor-nëntor 2016, kundrejt 3.2% të akorduar për bizneset të njëjtën periudhë

 

Pse shkojmë "trokasim" tek bankat për të kërkuar një kredi?

Bankat po përkrahin me kredi më shumë sipërmarrjet private në vend të cilat duket se gjenerojnë më shumë stabilitet sipas tyre. "Kredia dhënë bizneseve ka mbështetur sektorin e shërbimeve dhe më pak atë të ndërtimit, ndërkohë që kredia për sektorin e industrisë dhe atë bujqësor është tkurrur", - citon BSH lidhur me këtë. Duke shtuar nga ana tjetër se norma e rritjes së kredisë për sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve është ngadalësuar. Kurse referuar individëve, saktësohet se tek ata është reflektuar zgjerimi i kredisë për konsum, teksa ka shfaqur ngadalësim marrja e kredisë për qëllim blerje banese.

Kredia akordohet më shumë në lekë

Në lekë apo në valutë? Duket se si individët, edhe bizneset preferojnë që ta marrin kredinë në monedhën vendase. Këtë e referon vetë Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, për të dyja këto kategori, kreditë më të shumta rezultojnë të akorduara pikërisht në lekë. "Kreditimi në monedhën vendase, vijon të mbështesë plotësisht zgjerimin e kredisë për individë. Kredia në lekë shënoi rritje mesatare vjetore me 10.8% në muajt tetor-nëntor", - citon BSH-ja.

Për të vijuar lidhur me bizneset, se "e gjithë kredia e dhënë në këto dy muaj ka qenë në lekë, duke kompensuar dhe tkurrjen e kredisë në valutë për biznese". Më tej, ekspertët e BSHsë argumentojnë se një dukuri e tillë lidhet me faktin se si me uljen e kostos së financimit përgjatë vitit, ashtu edhe me natyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kryesisht për likuiditet.

” E gjithë kredia e dhënë në këto dy muaj ka qenë në lekë, duke kompensuar dhe tkurrjen e kredisë në valutë për biznese”

Kujdes, po rriten interesat e kredive

Të marrësh kredi pranë një banke, tani të kushton ndoshta më shumë se më parë për vetë faktin se interesat e tyre po njohin një ecuri progresive. Gjithmonë referuar Bankës së Shqipërisë, rezulton se normat e interesit të kredisë së re në lekë në fundvitin e kaluar, kanë rezultuar më të larta se periudhën e mëparshme. "Interesat e kredive në lekë, në muajt tetor-nëntor 2016, janë më të larta se në tremujorin e tretë, kryesisht për bizneset", - referon BSH-ja. Duke saktësuar më tej se një dukuri e tillë ka qenë e pranishme në fakt edhe me kreditë e akorduara në monedhën europiane, euro. "Interesat e kredive në euro, kanë qenë të qëndrueshme për bizneset dhe kanë shënuar rritje për individët", - citon ajo. Por duke shtuar këtu edhe ndikimin e pashmangshëm të ecurisë së tregut të këmbimit valutor.

” Portofoli i kredisë në valutë është tkurrur, ndikuar nga njëra anë nga forcimi i lekut ndaj euros e nga nënçmimi i lekut ndaj dollarit”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: