Korçë, maternitet i ri dhe një qendër hemodialize

Korçë, maternitet i ri dhe një qendër hemodialize
Në prill, qendër e re e Hemodializës edhe në këtë qytet, për të gjithë ata pacientë që kanë probleme me funksionimin e veshkave

Spitali rajonal i Korçës, do të ketë së shpejti një godinë, tërësisht, moderne të maternitetit, duke rritur në këtë mënyrë, cilësinë dhe standardin e shërbimit. 1 miliard e 360 milionë lekë është fondi i parashikuar për rikonstruksionin e këtij materniteti. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe zv/kryeministri, Niko Peleshi, ishin në spitalin rajonal të Korçës ku u njohën me projektin, punimet për të cilin do të nisin së shpejti. "Janë 1 miliard e 360 milionë lekë të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, për fillimin e rikonstruksionit dhe të shtesës për maternitetin e Korçës. Besojmë se brenda muajit prill, do të fillojmë punimet, të cilat do të zgjasin rreth 12 deri në 14 muaj", - u shpreh Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi, gjithashtu, se ky projekt "është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të afruar shërbim dhe akses cilësor, sa më pranë vendbanimit ku janë njerëzit. Ndërkohë, Beqaj dhe Peleshi inspektuan edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e qendrës së re të shërbimit të Hemodializës në spitalin rajonal të Korçës, një investim i cili do të jetë gati në muajin prill të këtij viti. "Kjo është mundësi shumë e mirë që kush ka nevojë për këtë shërbim jetik dhe jeton në Korçë, mund ti kthehet jetës normale, sepse mund ta bëjë shërbimin pasdite dhe, ndërkohë, paradite mund të vazhdojë punën. Shmangim jo vetëm hallet e pacientëve, që tre herë në javë duhet të vinin në Tiranë, por, përgjithësisht, edhe familjarët të cilët, gjithmonë, duhet ti shoqërojnë", - nënvizoi ministri Beqaj.

Klosi: Sot, 40 mijë vende të lira punë

"Arsimi dhe Formimi Profesional, në bazë të ligjit të ri të miratuar të enjten në parlament, do të jetë nën varësi të Shërbimit Kombëtar të Punës."

Plot 40 mijë vende të lira pune, janë sot në vendin tonë, duke përfshirë këtu si sektorin privat, ashtu edhe institucionet publike. Këto shifra janë bërë të ditura nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, i cili ka pohuar se, përgjatë këtyre viteve, 53 mijë persona janë orientuar drejt tregut të punës. "Gjetëm 153 mijë punëkërkues. Sot, falë reformës së thellë, shndërrimit të zyrave të punës në zyrat e besimit të biznesit dhe qytetarëve, janë orientuar më shumë se 53 mijë qytetarë drejt tregut të punës", - deklaroi ministri Klosi, duke shtuar se, sot, janë 40 mijë vende të lira pune. Sipas tij, fondi i nxitjes së punësimit ka dhënë një ndihmesë të madhe, ku mjaft kompani kanë përfituar duke punësuar punonjës të rinj, dhe duke mos paguar sigurime shoqërore dhe paga për një periudhë kohe, pasi këto i mbuloheshin nga ky fond.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: