Kumbari me shije

Kumbari me shije
 

Nga Meri Dishnica

Dëgjova lajmin se Al Pacino shoqërohej me një femër 40 vjet më të re; personalisht nuk u habita aspak dhe mendova “kumbari paska shije”. 

Është e gjatë lista e 40, 50, 60-vjeçarëve të famshëm që janë shoqëruar apo martuar me femra shumë më të reja se ata. Lista kryesohet nga Al Pacino dhe Lucila Sola, Woody Allen dhe Louisse Lasser me 40 vjet diferencë, vazhdon me Catherine Zeta Jones dhe Michael Douglas me 25 vjet, Harrison Ford dhe Calista Flockhart – 22 vjet, etj., etj.

 Lidhjet me meshkuj më të mëdhenj:

 Arsye dhe mos arsye

Është e vërtetë, lidhjet me diferenca në moshë mund të tingëllojnë çuditshëm për aq kohë sa gjykohen apriori dhe në gjurmët e standardit individual. Sidoqoftë ka vend për habi…, por se çfarë nuance i jepet kësaj lloj habie, kjo vlen për ta diskutuar, sepse askush nuk duhet ti lejojë vetes gjykim sipërfaqësor, për aq kohë sa nuk dëshiron të duket mendjengushtë.

Në realitetin shqiptar dhe jo vetëm, tradicionalisht, parapëlqehet që burri të jetë më i madh se gruaja në moshë (madje çiftet me moshë të barabartë ngjallnin diskutime dikur). Është pothuajse e njëjtë në çdo shoqëri, burri duhet të jetë disa vjet më i madh se gruaja. Kjo, për faktin e thjeshtë, se supozohet të jetë më i pjekur dhe i përgjegjshëm. Po sikur femrat të pranonin me plotë gojë se kanë konstatuar papjekuri të dallueshme jo vetëm te meshkujt e të njëjtës moshë, por edhe tek ata afër moshës së tyre, saqë “janë detyruar” të hedhin sytë edhe më larg, shumë më larg, në dhjetëvjeçarë larg. Se burrat po fillojnë të bëhen gjithmonë e më shumë të papërgjegjshëm dhe një 30-vjeçar duket ende si një “kalama” i llastuar dhe egocentrik?!

Është e vërtetë që femrat maturohen më shpejt, në krahasim me meshkujt e moshës së tyre. Të jetë kjo arsyeja që kërkohet një diferencë më e madhe në moshë për të arritur një lloj kuptueshmërie?! Nuk mund të mohohet tërheqja ndaj maturisë, stabilitetit, inteligjencës, përvojës, - cilësi që nuk gjenden tek bashkëmoshatarët, ose gjenden rrallë, shumë rrallë.

Është interesante sesi femrat ndonjëherë duan të largohen me vrap nga një tufë me hormone të dalldisura siç mund të jenë djemtë e rinj dhe të shoqërohen me meshkuj që atyre mund ti duken me këmbë në tokë dhe “strukturalisht perfekt”, siç mund të jenë meshkujt më të rritur, pa përmendur faktin që këta meshkuj janë më të stabilizuar ekonomikisht, me shumë përvojë dhe në dukje më të zgjuar. Kjo është joshëse.

Me gjithë pretekstin e kuptueshmërisë maksimale, a mund të konsiderohet një lidhje e tillë e pranueshme?!

Mjaft femra e gjejnë veten të tërhequr fizikisht nga meshkuj më të rritur dhe për këtë fakt shpesh gjykohen dhe etiketohen mizorisht, kurse këta meshkuj etiketohen si fitimtarë të një trofeu të ri, që e ekspozojnë me mburrje (mund të jetë edhe kjo). Por nuk ka rast për përgjithësime, nuk do të kishte vlerë të hynin në detaje dhe të shohim nëse është e drejtë apo e gabuar; apo me keq, të përpiqemi të gjejmë arsye edhe aty ku nuk ka, thjesht të përpiqemi ti shohim si dy njerëz të rritur që e pëlqejnë njëri-tjetrin dhe e bëjnë këtë lidhje të funksionojë. Në fund të fundit, pse të mos jetë e pranueshme?! (shqetësues do të ishte fakti nëse vajza është ende shumë e re, p.sh., poshtë të 25-ve dhe pa përvojë, është e qartë që po gabon të lidhet me një mashkull shumë më të rritur)

Përparësitë dhe jo përparësitë

Janë të dukshme përparësitë dhe jo përparësitë që shoqërojnë këtë lidhje, duke filluar që nga fakti që kanë lindur në periudha të ndryshme kohore, në breza të ndryshëm. Duke shtuar faktin sesi një person është rritur, si është mësuar ti shohë gjërat, a është mjaftueshëm fleksibël apo tërësisht tradicional.

Sigurisht që të dy kanë çfarë të mësojnë nga njëri-tjetri, madje edhe nga këndvështrimet e tyre të ndryshme (meshkujt e rritur mund të jenë një enciklopedi e hapur, kanë jetuar dhe kanë parë shumë). Pra, edhe pse janë të ndryshëm, kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të arrijnë në një nivel kuptueshmërie, sepse nëse ka vërtet tërheqje në një marrëdhënie të tillë, ata do të bëjnë të pamundurën ta bëjnë të funksionojë, edhe pse ndahen nga dhjetëra vite diferencë…sikurse mund t’u ndajnë shumë gjëra, p.sh.:

– ai nuk pëlqen “të hallakatet” mbrëmjeve,

– mund të ketë probleme shëndeti,

– mund të tentojë të të ndryshojë ty dhe të bëjë të dukesh më e madhe

– ti mund të duash të kesh fëmijë, ndërsa ai nuk do (sepse mund të ketë nga martesa e parë)

 

 Reflektime dhe këshilla

Një nga gjërat që duhet marrë në konsideratë kur dilni me një mashkull më të madh, është ajo çfarë njerëzit do të mendojnë për ju (duke pasur parasysh që njerëzit mund të dalin në përfundime të nxituara, madje para se të njohin personin dhe dinamikën e situatës, në të cilën të dy personat janë gjendur dhe janë pëlqyer). Nuk është çudi që shumë nga gjykimet të jenë të gabuara, prandaj është tepër e rëndësishme të jeni gati për gjykimet e njerëzve dhe, si të thuash, ta keni mbledhur mendjen që “nuk ju bëhet vonë”. Çështja është t’i injoroni të gjithë ata që mendojnë se po del me atë përveçse pëlqimit dhe atraksionit.

Shumë i rëndësishëm është fakti që ju mund të doni gjëra të ndryshme në jetë, por mos u trembni, gjithçka mund të funksionojë nëse jeni të sinqertë dhe shprehni hapur pritshmërinë tuaj për marrëdhënien që po ndërtoni (nëse doni martesë, fëmijë apo tjetër gjë) që, në fund të fundit, asnjëra palë mos të ndihet e papërgatitur kur njëri të ikë nga kjo lidhje. Nëse jeni të qartë çfarë prisni nga kjo marrëdhënie, atëherë pak rëndësi ka nëse është afatshkurtër apo afatgjatë, rëndësi ka të jeni fleksibël dhe praktik, dhe do të shihni se çfarë gjërash të mrekullueshme mund të arrihen nëse ka kompromis. Por një gjë është e sigurt, bëni kompromis, por jo aq shumë sa ti largoheni idealeve tuaja… Ose thjesht mund të shijoni momentin, mund të jeni të ndershëm me ndjenjat tuaja dhe ta lini veten të lirë, - flasim për vajza të pjekura, të paktën mbi 25 vjeç.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: