Loresa Hamitaj: Ëndërroj të jem një engjëll i “Victoria’s Secret”

Loresa Hamitaj: Ëndërroj  të jem një engjëll i “Victoria’s Secret”
Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Juela Meçani

 

 

Loresa, ti je një vajzë e vogël, vetëm 11 vjeç. Por dukshëm një personazh për të cilën një ditë, ka shumë gjasa që do të flitet gjatë. Sa kohë ke që merresh me modeling?

Sfilata ime e parë ka qenë në moshën 4-vjeçare, kam marrë pjesë në një sfilatë me fustane nusesh  dhe kam veshur një fustan të bukur të bardhë me lule të vogla rozë, të stilistes Statamtina Stefani.

Ndërkohë që tani, kam rreth tre vjet që jam në një agjenci modelingu për fëmijë, me të cilën bëjmë aktivitete të ndryshme. Aktiviteti i fundit ka qenë në nëntor të vitit të kaluar, një shfaqje shumë e bukur dhe me emocion. Gjatë kësaj kohe jam marrë dhe me fotoshooting për katalogë të ndryshëm Joni Peçi, Mimi Memiaj si dhe kam qenë në videoklipin e një kënge të bukur për fëmijë.

 

A të kujtohet sa vjeç ke qenë kur ke dalë në skenë ose ekran, për herë të parë? Ishte pjesë e rastësisë?

Kam qenë shumë e vogël, dalja ime e parë në skenë ka qenë me grupin “Kripmjaltëzat” ku kam marrë pjesë në një këngë që quhej ‘Rroboteci’ dhe unë isha një vajzë e vogël midis robotëve. Po përsëri në këtë kohë kam kënduar një këngë me shoqen time, Iliadën “Pse kukulla na thonë” nuk kishim mbushur ende 4 vjeç.

Dalja ime e parë nuk ishte rastësi. Unë kam qenë në kurs aktrimi në atë kohë dhe më përzgjodhën mes fëmijëve të tjerë që të isha unë tek kënga e Robotecit.

 

Këtë intervistë vendosa ta bëj me ty në prani të mamasë tënde. Si gazetare, më erdhi shumë mirë që në këtë fazë të "karrierës tënde" ndiqesh rreptësisht nga prindërit. Sa të ndihmon mbështetja e tyre?

Është një ndihmë dhe përkrahje shumë e madhe që vjen nga prindërit, jam shumë e lumtur që i kam krah meje në çdo moment, më këshillojnë dhe më mbështesin në çdo hap në rrugën që kam nisur.

 

Pse vendose të merresh në kohën e lirë me këtë pasion? 

Është si diçka e lindur, që vjen natyrshëm, mënyra si ecën, si sillesh para aparatit, si buzëqesh, si të shohin rrugës, fotot që postonte mami në rrjetet sociale, reagimi i ndjekësve ndaj fotove te mia.. të gjithë thoshin, kjo vajzë është e lindur për në skenë, është e lindur për modele...

 

Në ëndrrat e tua, a bën pjesë modelingu, fotografia ose kinematografia si profesion?

Po, këto janë ëndrrat e mia dhe besoj se me shumë punë dhe me pasionin që kam për to, këto ëndrra do t’i bëj realitet dhe besoj jam në rrugë të mbarë.

Tashmë kam marrë pjesë në disa reklama, në disa sfilata, në filmin me metrazh të shkurtër “Gjurmë të humbura” dhe në disa puntata të “By Pass” show në Vizion plus.

 

Unë di që ti, disa herë në javë, ndjek edhe kurse të baletit klasik. Është një tjetër pasion yti apo janë ndihmëse të njëra-tjetrës. 

Çdo gjë që bëj, kurset e aktrimit, baleti, modelingu janë ndihmëse të njëra-tjetrës,  për arritjen e një qëllimi “magjia e skenës”.

 

Ti je në rritje. A ke filluar që tani me kujdesin për ushqimin dhe sa informacione merr për kujdesin e veçantë që duhet të ketë një modele për fizikun dhe paraqitjen?

Po, shoh shpesh video ne youtube për ushtrime të ndryshme fizike, për mënyrën se si të kujdesem për flokët, për ushqimin s’mund të them se jam shumë e kujdesshme, por mund të them që kam një fizik dhe metabolizëm që më ndihmon.

 

Raporti yt me fotografinë është i habitshëm, gati gati të duket se ti e ke aparatin një bashkëbisedues, aq natyrshëm pozon. Kjo të ndihmon kur bën fotografi?

Unë e dua shumë aparatin dhe aparati më do shumë mua, kemi një marrëdhënie të afërt bashkë...

 

Si ndodh në Shqipëri që të kontaktojnë për spote kompanish ose sfilata mode. Di që ke marrë pjesë në disa spote me regjisorë të huaj dhe në mjaft sfilata me stilistë të njohur si p.sh., Joni Peçi.

Po, kam marrë pjesë në disa spote të kompanive të njohura dhe jam vlerësuar shumë nga regjisoret përkatës me shprehjet “kjo vajzë është e lindur për aktore, është e lindur për kamerën... etj”. Herën e parë kam shkuar dhe jam regjistruar në një agjenci reklamash, pastaj me kontakte.

 

Ti je ende shumë e vogël, por jo në konceptin e një modeleje. Kudo në botë modelingu profesionist fillon në këtë moshë e vazhdon më tej. E shikon veten në Shqipëri apo aspiratat e tua janë që një ditë, pse jo të performosh për stilistët më të mëdhenj botërorë.

Ëndërroj që të punoj me stilistë të mëdhenj dhe pse jo, të jem në një të ardhme dhe një ëngjëll i “Victoria’s Secret”.

 

Cila topmodele është muza jote?

Gigi Hadid është modelja ime e preferuar dhe shumë më thonë që kam pak ngjashmëri.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: