Mjekësia ndryshon kriteret, ku penalizohen maturantët

Mjekësia ndryshon kriteret, ku penalizohen maturantët
Vendimi i Universitetit këtë vit, i jep më shumë përparësi lëndëve të thelluara, nxënësit që nuk kanë zgjedhur këto lëndë, më pak mundësi për të fituar

Sonila Isaku

Universiteti i Mjekësisë, me anë të një vendimi të pak ditëve më parë, ka ndryshuar kriteret e pranimit të studentëve të rinj. Sipas këtij vendimi, u është vendosur koeficient lëndëve me zgjedhje, por duke u dhënë më shumë pikë lëndëve me zgjedhje të thelluara.Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi (bërthamë), Fizikë (bërthamë), Biologji (bërthamë), nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.15. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi (e thelluar), Fizikë (e thelluar), Biologji (e thelluar), nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.25. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga lëndë e përcaktuara në germën a) dhe b) të sipërcituara, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1” - thuhet në vendimin e këtij Universiteti.

Por, çfarë ndryshon, tashmë, pas këtij vendimi të marrë. Maturantët të nisur nga mënyra e pranimit të studentëve gjatë vitit të kaluar, këtë vit nuk u kanë kushtuar rëndësi lëndëve me zgjedhje, duke mos i ndjekur gjatë orëve mësimore në shkollë. Po kështu, pavarësisht se ata nuk kanë plotësuar ende formularin A1 dhe A1Z, atyre sërish do t’u duhet të zgjedhin këto lëndë ku koeficienti është më i lartë. Por nëse ata nuk janë nxënës të shkëlqyer në lëndët “shkencë” të kurrikulës bërthamë që është Kimia, Biologjia dhe Fizika, ata nuk mund të kandidojnë pranë Universitetit të Mjekësisë, pasi vendosja e këtyre kritereve, i penalizon ata.

Por nga ana tjetër, Universiteti i Mjekësisë është ndër të vetmit që ka përcaktuar qartë koeficentët e lëndëve me zgjedhje, pasi shumë universitete të tjera, ende, nuk e kanë përcaktuar këtë kriter.

Një nga problemet që u shfaqen gjatë vitit të kaluar dhe që ishte edhe pika nevralgjike ku u bë edhe zhurma e madhe, lidhej me faktin që, pikërisht, universitet nuk e njihnin programin e arsimit parauniversitar. Për pasojë, duke mos e njohur programin e arsimit parauniversitar, shumë maturantë mbetën jashtë universiteteve, pasi nuk mundën të përllogarisin lëndët dhe pikët sipas kritereve.

Pesë provime do të japin maturantët për mbylljen e shkollës së mesme edhe këtë vit, por ndryshe nga vitet e tjera, Gjuha e huaj, këtë vit, është provim me detyrim, sikurse edhe Gjuha Shqipe dhe Matematika. Ndërkohë që dy provimet tjera do të jenë me zgjedhje, sipas preferencave të vetë maturantit. Risi tjetër këtë vit për lëndët me zgjedhje, është dhënia e provimit të standardizuar të Gjuhës së Huaj. Ky provim zhvillohet nga Agjencitë Ndërkombëtare dhe kërkohet i nivelit B2. Dhënia e Anglishtes, Gjermanishtes, Frëngjishtes apo Italishtes me zgjedhje, nuk shmang provimin e detyruar te Gjuhës se Huaj. Datat e provimeve të maturës ende nuk janë shpallur, por duke u nisur nga përvoja e mëparshme ato mbyllen në fund të qershorit për të nisur më pas edhe aplikimet për në shkollat e larta, që finalizohen me shpalljen e fituesve, sipas universiteteve në vend.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: