Motivimi

Motivimi
Nga Apollon Baçe

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press dhe www.afp.al

Sipas kryetarit të sotëm të PD-së Basha “pjesëmarrje të tillë në miting nuk e ka parë kurrë Tirana” dhe sipas kryetarit të djeshëm të PD-së Berisha “mbi 500 mijë shqiptarë (morën pjesë) në funeralin e Rivdekjes”. Përkatësisht 2 herë më tepër se në Bukuresht, çka do të thotë se rrëzimi i pritshëm i qeverisë i nënshtrohet logjikës 1 + 1 = 2.

Ai që dëshiron të njohë realitetin real dhe jo virtual të një mitingu duhet ta shohë nga afër mitingun. Të shohë sa pjesëmarrëse është turma, si reagon ndaj fjalës dhe thirrjeve të folësve dhe kryesorja sa është forca e saj numerike. Shifrat e mëposhtme (duke kërkuar ndjesë për proliksitetin) po i sjell jo për denigrim a humor, por për të vlerësuar atë çka ndodhi dhe ç’pritet të ndodhë.

Hapësira ku u zhvillua mitingu ishte 700 m e gjatë (nga MPB tek tribuna), 42 m e gjerë (bulevardi me trotuaret) dhe sipërfaqja 30.000 m.2.

Rreshti i parë kishte 70 vetë, i mesit 50 dhe i fundit 30. Hapësira mes rreshtave të fillimit ishte 0.5 m, të mesit 1.5 m dhe të fundit 3 m. Si i tillë mitingu kishte rreth 500 rreshta protestuesish me mesatarisht 50 vetë/rresht, çka i përgjigjet një pjesëmarrjeje prej rreth 25.000 vetësh.

Shumë më tepër se qindra vetë siç pretendojnë militantët e PS-së, shumë më pak se 500 mijë vetë sa pretendon Berisha (kjo do t’i përgjigjej dendësisë 18 persona/m2).

Parë me këtë optikë, mitingu i 18 shkurtit 2017 ishte një miting radhe ku ¾ e fundit bisedonin me njëri tjetrin pa dëgjuar çfarë thotë lideri dhe ¼ e fillimit përcillte në korr thirrjet e liderit. Ai nuk ishte as mitingu më i dobët i PD-së, as edhe apex-i, mitingu i mitingjeve të PD-së si mitingjet e fundvitit 2015.

Shpirti i protestës qytetare (jo militante) është motivimi: padrejtësia ndaj personit a familjes dhe jo slogani xhenerik.

Në fundvitin 2015 motivi ishte prezent: Shembeshin shtëpitë e të varfërve, priteshin dritat duke i lënë fëmijët në errësirë e ngricë, arrestoheshin qytetarë për fatura 35 dollarëshe dhe kur varnin veten etiketoheshin hajdutë nga kryeministri. Por në çastin kur mitingjet po fitonin vetitë e ortekut vëllai i deputetit Fuf, i tha Berishës se Meta i kishte thënë, se Saliu i kishte thënë, se Fufi kishte thënë.... dhe treni ndërroj shinat me zhurmën Meta ik, Meta ik, Meta ik dhe çasti humbi (për kapriçio dhe mllef personal). Dhe çasti në politikë (ashtu si në betejë) është vendimtar.

Varja e të afërmit, shembja e shtëpisë, lënia në errësirë e të ftohët e kalamajve janë motive që të nxirrnin në shesh, Meta ik nuk është motiv për të dalë në shesh. Përse ke dalë në protestë pata pyetur një protestues në janar të ’97.

“I vodhën votat, as që më prishet puna, të tyret janë. Tashti më vodhën lekët e fëmijëve, këtë nuk e lejoj” ishte përgjigjja. Ndërkohë Rama, i cili duket se e kishte lexuar thënien e Al Kapones se “qëllimi arrihet më lehtë me një fjalë të mirë, sesa me një fjalë të keqe. Sidomos kur ke një pistoletë në dorë”, hoqi dorë (përkohësisht) nga arroganca, shembjet e shtëpive, arrestimet dhe gjobat, madje dhe bleu ekskavatorë për hapjen e kanaleve për bujqit.

Ndërkohë, parë me kujdes, situata nuk është po ajo, por mjaft më keq se ajo. Fraza më koncize dhe më eksplozive për lidershipin dhe situatën shqiptare, e tipit C 4, i përket librit Decoding Albanian Organized Crime (LA, 2015): “Shqipëria vuan nga korrupsioni politik elitar, klientelizmi qeveritar, uzurpimi oligarkik i pasurive kombëtare, narkopolitika.”

Duke kaluar sërish në lojën e shifrave, sipas Guardia di Finanza-s nga fotografimi i 15 % të territorit janë dokumentuar 250.000 bimë, çka i korrespondon 1.7 milionë bimëve për tërë territorin dhe 2000 tonëve marihuane (me normën 1.2 kg për bimë).

Nisur nga vlera mesatare 15 mijë euro/kg (9 mijë në Pulja, 15 mijë në Stamboll, 21 mijë në Oslo) kjo i përgjigjet 30 miliard eurove. Duke zbritur pjesën e kapur nga policitë (kryesisht të huaja), atë të korrur nga policia dhe fitimet që mbeten jashtë, kjo i përgjigjet 8 miliard eurove: Dy herë sa të ardhurat nga bujqësia, katër herë sa të ardhurat nga minierat, 6 herë sa të ardhurat nga manifaktura dhe vetëm 15 % më të vogël se GDP në total. Kolombia nuk lindi si e tillë, por u bë e tillë dhe sot po u pre preras dega e marihuanës, Shqipëria bie, me qeveri dhe Shqiptarë.

Përse populli vazhdon të mbetet inert ? Përse nuk proteston për korrupsionin e shtetit, shpërdorimin e fondeve, përbuzjen për të, kapriçiot dhe luksin e elitës (nëse mund të quhet e tillë), çmimin e naftës, shërbimin mizerabël shëndetësor ? Për shkak të karakterit të tij të keq (siç thuhet rëndom), filistinizmit të intelektualëve, zëvendësimit të gjakut me limfë në dejet e studentëve, për mungesë të shoqërisë civile (jo të parazitëve të OJQ-ve) ? Por ishin këta studentë dhe ky popull që me rrezik për jetën, në ’91 përmbysën diktaturën më gjakatare në Europë.

Mendoj se këtë e shpjegon shpjegimi i thjeshtë i shoferit të taksisë: “Këta nuk bëjnë fare. Ata nuk ta mbushin mendjen”

Në ’90 pata marrë pjesë në fushatën e SPD-së gjermane, motoja e së cilës ishte “ne jemi më të mirë se CDU-ja”. Motoja e fushatës Shqiptare është “kundërshtari është më i keq se unë”. Nisur nga kjo moto dhe këshilla e Çurçillit “midis dy të këqijave zgjidhet më e vogla” do ti uroja PD-së dhe vetes që PD-ja ta ketë gjetur veten në atë çadër, të ketë vënë mend dhe të ftillohet. Qoftë dhe si e keqe më e vogël, që gjithnjë është më mirë se e keqja më e madhe.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruara nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: