Një jetë në kafene

Një jetë në kafene
nga Juela Meçani

Lexova nëpër lajme që qenkemi me medalje argjendi. Në vend të dytë të botës për diçka. Por jo për ndonjë vlerë, dhunti apo pasuri. Jemi nënkampionë të botës për numrin e kafeneve, na e ka rrëmbyer medaljen e artë Spanja e nxehtë, - e nxehtë edhe në tradita.

Shqipëria numëron 473 bar kafene, për 100 mijë banorë. Pavarësisht krizës ekonomike, edhe pse me dhjetëra bare dhe kafene mbyllen, të tjera mbijnë, menjëherë, në çdo lagje, shesh apo godinë të re.

Ndjeva, në çast, një zbrazëti të madhe kur e lexova, sepse, personalisht, sa herë që kam hedhur sytë mbi grupet e njerëzve që kokë më kokë shoshitin halle e probleme, qejfe e dhimbje, biznese e plane nëpër kafene, kam menduar se është një lloj vdekje e qelizave të trurit në mënyrë gazmore, pa e ndjerë. Ashtu si gjumi i shumtë, kafenetë ballkanike, - se tipar ballkanas është, - marrin qindra orë nga jeta jonë në një boshllëk e kotësi. Orë që nuk na kthehen më, e që grabisin energji, mendim, dije, mundësi ndaj jetëve tona e ndaj njerëzve tanë më të dashur.

Por a jemi ndopak të ndërgjegjshëm sesi fenomeni kafene ndikon në shoqërinë tonë? Në Shqipëri takohesh në kafene, lidh kontratat në kafene, në mungesë të plotë privatësie, politika bëhet nëpër kafene, në të gjitha format, me fëmijën shkon në kafene, gjyshërit veç kafenenë njohin - se parqet e stolat ose nuk janë fare, ose përbëjnë turp e zor, se dukesh për dynjanë si varfanjak e të përflet mëhalla.

Nuk di a ka vend tjetër në botë ku politikanët zbresin nga zyrat e tyre dhe takimet për ndryshime, ribashkime ose përgatitje strategjish, i bëjnë në kafe, holle hotelesh ose restorante, siç ndodh këtu?

Sapo të huajt, turistë, diplomatë ose biznesmenë vijnë në Shqipëri, menjëherë “intoksikohen” nga aroma e kafesë, alkoolit dhe kuptojnë, ose më mirë, ndërgjegjësohen se shija e “ëmbël” e mëkatit që i drejton tek kafenetë apo pub-et e rrugëve tona, është i vetmi “eliksir” që do u dhurojë çelësin e suksesit. Ndryshe, me ne shqiptarët nuk ke dialog.

Në kafe, armiqësitë që shohim në parlament, fyerjet, debatet, shuhen e i habitur dikton se nëpër rrugët e qyteteve jemi të gjithë shokë lagjeje, falemi e duhemi, përqafohemi e zemërimet ia lëmë zyrave.

Kafeneja, për shqiptarët më e shenjtë se besimi, aty ku ndahemi, ku bëjmë krushqi, ku bëhemi të pasur e aty ku marrim borxh. Llamba jonë e Aladinit, ku kërkojmë të na plotësohen dëshirat pa punuar, ku mezi presim të zbrazim marazet e xhelozitë, është si një dritare mbi botën, por mbi botën tonë të ngushtë.

Është si të vdesësh nga pak çdo ditë. Tingëllon pak ekstremiste si ide, fundja nuk i bëhet keq kujt duke ndenjur një orë me një kafe, ndoshta do të thoni. Por një shoqëri në kafene, mbetet një shoqëri në klan. Si dikur kafet e turizmit, ku njerëzit merreshin në qafë, pastërtisht e pafajësisht. Ne kemi mbetur në vend, vetëm se kafenetë kanë, tashmë, luksin e një zengjini të ri kokëbosh.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: