Një Shën Valentin me aromë deti

Një Shën Valentin me aromë deti
Shefi Ndoc Shtjefni, na sugjeron menunë e tij për natën e Shën Valentinit

Imagjinoni një çift, dy të dashuruar, që shohin njëri-tjetrin në sy, në sfond një muzikë romantike, në mes tyre një tryezë e zbukuruar me qirinj, një verë e mirë dhe pjata të shijshme si afrodiziakë, drejt vazhdimit të mbrëmjes diku gjetkë.

Ky është skenari më brilant i mundshëm, për një darkë romantike në Shën Valentin. Për këdo që preferon ushqimin e mirë, i cili përmes shijes dhe aromës, hap shpirtin dhe ndjesitë e zemrës, prodhimet e peshkut janë mrekullia.

Ndaj mjeshtri i gatimit të prodhimeve të peshkut, shefi Ndoc Shtjefni, me gjuhën e thjeshtë, por plot ngjyra dhe shije që profesioni i tij i fal, na jep një ide të saktë dhe ndjellëse se çfarë do të gatuante dhe përgatiste ai vetë, për të ftuarit, në një natë pasioni si Shën Valentini.

Pas një shkollimi të gjatë në Institutin e Kulinarisë në Lezhë, ku diplomohet ndër tre nxënësit më të mirë, si rezultat i mësimdhënies së dy shefave italianë, Ndoc Shtjefni, përsos profesionit, punoi në këtë qytet për më se një vit e më pas vjen në Tiranë ku, për gati 5 vite, shpalos finesën dhe zotësinë e tij për produktet kryesisht të peshkut, në restorantet më prestigjiozë, duke bashkëpunuar me shefat më me emër në Tiranë, ku veçon Bledar Kolën.

Shefi Ndoc Shtjefni, dashuron produktet bio, finesën në gatim dhe servirjen me detaje natyre, ngjyra toke dhe deti. Çdo produkt ai e zgjedh vetë në fermat më të mira shqiptare, që nga vaji i ullirit, frutat e pyllit, perimet, frutat e detit, që vijnë më shumë nga Shëngjini, toka e tij e dashur.

Ju prezantojmë menunë që do të përgatisë për natën më romantike të vitit, shef  Ndoc Shtjefni:

Aperitiv

Lëng boronice bio, e përgatitur nga vetë shefi, me boronica rreptësisht vendi, brusketa me spec pikant dhe aroma.

Antipasta

Oktapod karpaço me narden kumbulle dhe konjak.

Pjatë e parë

Linguine me karkalec dhe koriandër

Pjatë e dytë

Salmon me bajame, gatuar me Dissaronno dhe shoqëruar me perime sote

Ëmbëlsirë

Shën Valëntin, një tartë me boronicë, biskotë, krem pastiçerie dhe luleshtrydhe.

Gatimet shoqërohen nga një verë e mirë e bardhë, nga kantinat më të mira shqiptare, në respekt dhe vlerësim të produkteve tona.

Ju bëftë mirë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: