Pagat e bluzave të bardha, sa do të rriten prej 1 marsit

Pagat e bluzave të bardha, sa do të rriten prej 1 marsit
Mjekët e reanimacionit dhe ata të urgjencave, në të gjithë vendin, do të përfitojnë rritje të pagës mujore deri në 25%, përveç shtesës 10 % të parashikuar për gjithë kategorinë e tyre

"Infermierët, paga rritet me 6 mijë lekë

Paga e infermierëve do të ndryshojë duke filluar nga 1 marsi. Sot, një infermier që punon në spitale apo poliklinika, ka një rrogë prej 39.786 lekë, duke hequr këtu përfitimet e vjetërsisë në punë. Me shtesat dhe rritjet e pagave që do të nisin nga 1 marsi, një infermier në sektorin publik do të ketë një pagë mesatare prej 45.561 lekë në muaj. Ndërkohë që shtesa më e madhe, do të shkojë për sanitaret që sot kanë një pagë prej 27.300 lekë. Rritja e pagës së tyre, sipas tabelës së pagave, do të jetë me 35%. Me këto ndryshime parashikohet që një sanitare të ketë një pagë mesatare prej 36.800 lekë në muaj."

Sonila ISAKU

Nga 1 marsi, pagat e mjekëve dhe infermierëve do të pësojnë rritje. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë referimit të tij në Këshillin Kombëtar të Punës të zhvilluar ditën e djeshme, ka pohuar se pagat e mjekëve do të pësojnë një rritje prej 10%, ndërsa për një pjesë tjetër të tyre, kjo rritje do të jetë deri në 25% . "Shpërblimi për mjekët e rojës do të dyfishohet, kurse për mjekët të cilët punojnë në shërbimin e urgjencës dhe reanimacione do të ketë rritje page deri në 25%. Në shërbimin e urgjencës do të futen edhe mjekët të cilët bëjnë pjesë në Urgjencën Kardiake dhe ata të Stroke Unit", - ka pohuar ministri Beqaj. Kjo rritje page do të shkojë edhe për mjekët që punojnë në shërbimet e urgjencës në çdo spital, por edhe në QSUT, Spitalin e Traumës, Spitalin "Shefqet Ndroqi" si dhe në dy maternitetet në Tiranë.

Një mjek i cili ofron shërbim shëndetësor në Spitalet Universitare, do të paguhet me pagë mbi 100 mijë lekë, ndërsa ai në spitalet rajonale, do të paguhet 93.400 lekë. Nga ana tjetër, do të nisë të aplikohet edhe dyfishimi i pagesës së rojës që bëjnë mjekët në spitale sot. Por, sa do të shkojë vlera e pagesës në 93.400 lekë në muaj kur një mjek sot paguhet vetëm 54.000 lekë? Sot, paga e një mjeku është 54 mijë lekë dhe me rritjen 10% që do pësojnë pagat e të gjithë mjekëve, ajo shkon tek 59.400 lekë. Ndërkohë, pagesa mujore që marrin mjekët sot nga shërbimi roje në muaj, është rreth 17 mijë lekë, duke kryer mesatarisht 6 roje në muaj.

Dyfishimi i pagesës së rojës shkon në 34 mijë lekë në muaj për çdo mjek. Pra, totali i një mjeku shkon në 94.400 lekë në muaj. Mjekët reanimatorë dhe ata që punojnë në shërbimet e urgjencës, do të kenë një pagë mujore prej 108.250 lekë. Këta janë mjekët të cilët do të hyjnë në ato grupe të profesionistëve të cilët do të përfitojnë edhe një shtesë tjetër prej 25 %, pra, janë të gjithë ata mjekë dhe infermierë të cilët punojnë në çdo reanimacion dhe në urgjencat spitalore. Kategoria tjetër që përfitojnë rritje të pagesës, janë edhe mjekët të cilët kanë pranuar të shkojnë nga Tirana nëpër rrethe si specialistë, por edhe ata që do të pranojnë, do të kenë paga deri në 200 mijë lekë. Rritja e pagave të mjekëve ku përfitojnë rreth 4.650 mjekë dhe 13.750 infermierë, përllogaritet në 1.3 miliardë lekë. Kjo është edhe rritja më e madhe e pagave në këtë sektor, që nga viti 2011, kur pagat e mjekëve dhe infermierëve pësuan rritje të ndjeshme. Po kështu, rritje tjetër, kjo kategori, ka pasur edhe në vitin 2014, kohë kur u kryen edhe ndryshimet e taksimit të pagës në Shqipëri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: