Provim i detyruar për nxënësit e klasave të pesta, nga viti i ardhshëm

Provim i detyruar për nxënësit e klasave të pesta, nga viti i ardhshëm
Duke filluar nga viti i ardhshëm të gjithë nxënësit e klasave të pesta, do të testohen për njohuritë e tyre, para së të kalojnë në vitin pasardhës. Gjuha Shqipe, Matematika dhe Ditura e Natyrës janë lëndët ku nxënësit do të zhvillojnë provim. “Vlerësimi i klasave të pesta do të bëhet si pjesë e vlerësimeve në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar duke iu shtuar provimeve të arsimit bazë dhe provimeve të Maturës Shtetërore. Ky provim do të nisë fill pas kryerjes së ndryshimeve ligjore në arsimin bazë. Ky provim nuk do të vlerësohet me notë, por është një vlerësim për arritjet e tyre deri në atë nivel të shkollës” ka pohuar Zamira Gjini, Drejtoreshë e Arsimit parauniversitar në MAS.

Vendosja e provimeve të detyruara në klasë të pestë, fillimisht jo penguese për të kaluar në vitin pasardhës, do të jetë test edhe për nivelin e mësuesve. Nga raporti më i fundit, rezultoi se nxënësit e klasave të pesta kanë mangësi të theksuara në shkrim, nuk dinë të shprehen dhe as të kuptojnë atë që lexojnë. Ndërsa më shumë se gjysma e të testuarve, nuk dallojnë dot vlerat më të vogla dhe më të mëdha të numrave.

Sipas këtij raporti arritjet e nxënësve së 5­të rezultojnë të jenë pranë nivelit mesatar të arritjeve. Vetëm rreth 7.41 % e nxënësve zotërojnë njohuri të nivelit të lartë dhe 49 % e tyre zotërojnë njohuri që i përkasin nivelit mesatar. Diferencë në rezultate ka edhe mes nxënësve të fshatit dhe atyre të qytetit, ku këta të fundit kanë rezultate më të larta.

 

S.I

Shpërndajeni me miqtë tuaj: