Pse nuk zhvishet Greta Koçi

Pse nuk zhvishet Greta Koçi
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Gretën e takova në një bar në bllok. Ajo nuk del shumë, sepse angazhimet nuk e lenë, turne dhe koncerte, klipe dhe takime çdo ditë. Vjen me të motrën, këngëtaren Eni Koçi. Nuk mund të ndodhte ndryshe, Eni ndodhet në Tiranë, për të punuar edhe ajo mbi një klip të ri. Greta më thotë duke qeshur: “Nuk ndahem dot prej saj, kur është këtu, e dua pranë vetes çdo minutë.” E natyrshme, dashuri protektive prej motre më të madhe. Eni ka një takim me mikeshën e saj, Ronela Hajati, dhe shkëputet e na lë vetëm. Më bëri përshtypje, menjëherë, sa thjeshtë ishte veshur Greta, me një grim të lehtë, gati të padukshëm, me të zeza, pa supertaka, aspak aparishente. Me shumë thjeshtësi flet për veten edhe pse janë qindra mijëra klikime brenda 24 orësh, për këngën e saj më të re, “Atij”.

AFP: Greta, teksa jemi të ulura bashkë, fansat nga e gjithë bota të dërgojnë me qindra video ku ata interpretojnë këngët e tua. Ti kujdesesh ti përshëndesësh të gjithë. Si ndihet një artist kur arrin në këtë fazë, që këngët, sa dalin në qarkullim, përqafohen nga mijëra persona?

Kanë kaluar vetëm 24 orë nga publikimi i këngës së re dhe kur marr mesazhe nga fansat, duke kënduar këngën apo duke e dëgjuar në makinë, ndiej kënaqësi shumë të madhe, sepse duhet thënë që një artist, edhe pse nuk duket e shumë nuk e dinë, lodhet shumë për të nxjerrë një këngë dhe një klip. Është një angazhim shumë i madh, jo vetëm i imi, por i një grupi profesionistësh, i stafit që punon për këngën dhe kur ajo ka sukses, unë mendoj që ia ka vlejtur gjithë lodhja dhe mundimi.

AFP: Sapo ka dalë në treg hiti “Atij” që ngatërroi dynjanë, sepse, sapo ti në rrjetet sociale vure një hashtag #atij, të gjitha mediat e morën të mirëqenë se ia dedikoje dikujt. Është, në të vërtetë, një këngë dashurie. Sot, a mendon që kjo këngë e ka “veshur” rininë dhe dashurinë siç ti doje?

Këngët e mia, në përgjithësi, nuk kanë të bëjnë me histori të miat personale, rrallë janë ato këngë që ne artistët ia dedikojmë vetvetes. Përpiqem gjithmonë të përçoj në tekst atë që publiku do më shumë. Temat e dashurisë dhe të ndarjeve kanë ndikimin e vet dhe shoh që është pëlqyer nga të rinjtë. Unë e postova hashtagun #atij dhe menjëherë u përfol për një lidhje dashurie, derisa e sqarova. Ha ha ha..., i lashë disa ditë të flisnin, pastaj e sqarova; por e them përsëri, nuk ka asnjë lidhje me jetën time personale, është thjesht art dhe muzikë që ka lidhje me pëlqimet e publikut.

AFP: Je me origjinë nga Shkodra, publiku pjesërisht e di. Ke ende lidhje me këtë qytet? Mendon se si djep i kulturës, të kanë ndikuar rrënjët e tua?

Sigurisht, më kanë ndikuar. Jam rritur në Shkodër, në lagjen e Parrucës së Vogël fare. Është e çuditshme, unë këndoj në gjithë botën, por kënaqësinë që marr në Shkodër, pritjen që më bën publiku atje, nuk e gjej askund. Ata sikur e ndiejnë që jam pjesë e tyre. E them me krenari që jam shkodrane, edhe pse një pjesë e imja është nga jugu. Pak e dinë, por unë kam lindur në Kuçovë, mamanë e kam andej dhe qëlloi të lindja atje, sepse nëna ishte në muajin e nëntë.

AFP: Por ti edhe këngët e jugut i këndon bukur, të kam dëgjuar live dhe dukesh sikur je nga jugu. Të ftojnë shpesh në jug për të kënduar?

Një artist i mirë duhet të dijë të këndojë gjithçka, pop, xhaz, popullore qytetare nga çdo krahinë. Unë kam një fat të mirë, i këndoj këngët popullore, por i këndoj saktë, mjaft artistë përpiqen t’i përpunojnë, por nuk tingëllon si duhet. Është fat dhe vlerë ti këndosh këngët popullore siç e do tabani ynë. Me jugun, që ti përmende, shumë më thonë se, Greta, ti je nga Vlora? Aq bukur i këndon këngët, sa tingëllon sikur je vlonjate!

AFP: Të jesh “enfant prodige” si i thonë, ta kesh nisur që 13 vjeç me një hit, e ta vazhdosh me hite, e të mos njohësh rënie për kaq shumë vite, siç ndodh në këto raste, si ia ke arritur?

Për ata që nuk e dinë, kam filluar të këndoj që në moshën 6 vjeç në një radio në Shkodër, kam pasur klipin e parë 6 vjeç, drejtoja dhe emisionet e fëmijëve në Shkodër. Më pas, nëna ime është marrë shumë me mua. Nuk është rastësi, kam një nënë flautiste, pra, kemi lidhje familjare me muzikën. Unë nuk kam bërë shkollë muzike, por e kam pasur shkollën në shtëpi. Ndonjëherë, mendoj që është edhe pak çështje fati, nuk diskutohet që duhet talenti, por duhet edhe fati. Sot, kur kthehem pas në kohë, them kam punuar shumë për të arritur deri këtu. Por fati ka luajtur rol. Kur unë u lançova me këngën e parë që u bë hit, tregu nuk ishte i mbingarkuar siç është sot, nuk kishte një Greta apo një stil të një këngëtareje që kishte disa komponentë bashkë - se ndikon, duhet ta themi, që të jesh edhe e paraqitshme. Muzika edhe dëgjohet edhe shikohet, dhe ndoshta unë plotësoja të gjitha kriteret e të qenit një yll i vogël në përpunim e sipër, na to kohë. Kam pasur një staf shumë të mirë që më menaxhonte, suksesi erdhi edhe sepse dy prindërit, janë marrë shumë me mua, kam zgjedhur të punoj me më të mirët. Ky është çelësi i suksesit tim, me tekstshkruesit më të mirë, me kompozitorët më të mirë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Kam punuar me të gjithë më të mirët. Kur punon me më të mirët, ke hap tjetër. Do edhe investim të madh, që duhet ta kenë parasysh të rinjtë që duan të merren me art dhe kanë talent. Unë isha e vogël dhe Adrian Hila, mbaj mend, u tha prindërve “kjo vajzë ka yllin në ballë”, pra, ka dashur të thotë që artist duhet të jesh që në qëndrim, në shikim, në impostim, duhet ta zotërosh skenën, se nuk mjafton vetëm të këndosh bukur. Të jesh artist dhe të jesh këngëtar, ka diferencë të madhe.

AFP: Me këtë yllin ka lidhje tatuazhi që ke bërë së fundmi?

Ha, ha, ha, ... “Born to be a star” (e lindur për të qenë yll) po, është tatuazhi im i parë dhe mendoj i fundit.

AFP: Të rikthehemi te kënga e fundit, po i përmbush pritshmëritë e tua?

Kemi arritur gjysmë milion klikime në 24 orë, është shumë mirë, madje, nga klikimet e shumta, shpesh bllokohet, sepse e shohin dhe nga jashtë. Transmetohet nëpër televizione dhe radio, e ndiej nga mesazhet, kritikat dhe urimet edhe nga kolegët, që po shkon mirë. Tani po pres koncertin e parë, ta testoj në publik të gjerë.

AFP: Ti vetë e the që muzika ka lidhje edhe me pamjen. Ti je gjithmonë e kuruar, por ia ke arritur të kesh sukses duke qenë sensuale dhe jo sexy, nuk i kalon limitet, duke qenë shumë e veshur ia ke arritur të jesh sensuale. Përdor misterin për të tërhequr?

E kam ruajtur këtë aspekt me mjaft fanatizëm, është edhe pjesë e karakterit tim, në fakt. Unë p.sh., ndryshoj nga Eni, motra ime që është më e hedhur, më çapkëne, më ekstravagante duke qenë edhe shumë e re. Ndërsa unë e kam ruajtur shumë këtë pjesën tjetër. Mendoj se është një nga arsyet e suksesit të gjatë në kohë. E kam vënë re p.sh., që në koncertet e mia, e kam diskutuar edhe me organizatorët, vjen publik i çdo moshe, Gretën e njeh një i moshuar, por edhe një fëmijë. Kjo për shkak edhe të seriozitetit në skenë, që është me rëndësi. Nuk ka vlerë të zhvishesh, kur ke vokal shumë të mirë, edhe kur ke çfarë tregon. Shpesh, zhveshja përdoret për të mbushur një boshllëk që krijon mungesa e talentit. Ndoshta, do thuash që e bën edhe Rihana. OK, por ne nuk jemi si ato, nuk jemi ai treg e as ai vend. Ne jemi një popull që ka zakonet dhe traditat e veta, e kjo duhet respektuar.

Jam dëshmitare që, në kulmin e punës tënde, në një show tv, ti gjete kohën për një kauzë të mirë, e ftuar, erdhe të këndosh live e papaguar dhe nuk e bëre publike. Kam informacion që e bën shpesh. Nuk e bën asnjëherë publike dhe pakkush e di. Mendon që artistët duhet të jenë më të pranishëm në kauza të mira?

Unë mendoj se ka artistë që e bëjnë, që japin kontribut pa e bërë publike këtë gjë, por mendoj se kjo ndodh, sepse shpesh artistët janë në majë të shkëlqimit dhe harrojnë se kjo nuk do jetë përherë. Në kulmin e suksesit harrojnë të mendojnë për të tjerët dhe shohin vetëm pagesat. Por, mjaft kolegë, gjejnë kohë mes angazhimeve të marrin pjesë në kauza të drejta. Pagesat për ne, janë shumë të mira, - kjo duhet thënë, - por unë e kam në karakter ndjeshmërinë. Lë gjithçka dhe shkoj aty ku duhet kontributi im.

Kujtesa e përgjithshme e kohës, kur merreshe me politikë ishte që, kur zhvillohej një aktivitet i PD, sapo Greta organizonte të rinjtë, i bashkoheshin mijëra prej tyre, të ndiqnin në një mënyrë të habitshme. Ke punuar fort dhe kjo dukej qartë nga të gjithë. Ke marrëdhënie me këta të rinj sot që ke shkëputje nga politika?

Dua ta them, arsyeja pse unë hyra dhe u aktivizova me PD-në, përveç bindjeve familjarisht të djathta, ishte doktor Sali Berisha, se partinë nuk e bëjnë muret e bëjnë njerëzit. Orientimi nga figura e tij më bëri që të afrohem me PD-në dhe strukturat, e të jap kontribut më konkret. Asokohe, mu besua një pozicion i rëndësishëm dhe jam përpjekur të bëj punë të mirë. A ka ndikuar fakti se isha Greta, këngëtarja e pëlqyer nga të rinjtë, që ata të më ndiqnin? Sigurisht, ka ndikuar edhe kjo, sepse, në fund të fundit, aty ishte, gjithçka, vullnetarizëm. Kisha të bëja me një grupmoshë që nuk i bindet ndoshta as prindit të vet. Sot mbaj kontakte me ta, kam kontakte me të gjithë; jo vetëm me të rinjtë, por edhe me gjithë figurat e PD-së. I kam miq dhe kënaqem, sepse më urojnë edhe për çdo aktivitet timin në art. Jam tepër e kënaqur, sepse edhe tani forumi rinor i PD-së, po ecën me hapa shumë të mira.

Në fund, me se po merresh?

Po punoj për një klip të ri, jemi në proces. Ndërkohë, jam mjaft e kënaqur, sepse në muajin mars, nis një turne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa javë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: