Qumështi që zëvendëson gjirin, kushtet e reja për tregtim

Qumështi që zëvendëson gjirin, kushtet e reja për tregtim
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin se, zëvendësuesit e qumështit të gjirit, duhet të jenë të pajisura me etiketa në gjuhën shqipe, të cilat përmbajnë mënyrën e përdorimit, formulën, përdorimin

Sonila ISAKU

Qumështi artificial për fëmijë, tashmë, duhet të tregtohet në subjekte të cilat plotësojnë kushtet e ruajtjes së tij, ndërkohë që firmat importuese, kanë për detyrë ta pajisin me etiketa në gjuhën shqipe, duke dhënë të gjitha informacionet e nevojshme. Në vendimin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, përcaktohet se etiketat e produkteve zëvendësuese të qumështit të gjirit, duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe të jenë vendosur mbi ambalazhin e produktit nga prodhuesi ose nga subjekti tregtar, importues e shpërndarës, i produktit, para vendosjes në treg të produktit. "Etiketa duhet të ketë një tekst ku të përcaktohet se produkti është i përshtatshëm për përdorim të veçantë si ushqim për foshnjat, që nga lindja deri në 6 muaj, kur ata nuk ushqehen me gji.

Po kështu, udhëzimet për përgatitjen, magazinimin, ruajtjen dhe eliminimin e duhur të produktit dhe një paralajmërim mbi rreziqet për shëndetin nga përgatitja dhe ruajtja jo e duhur. Teksti që rekomandon, duhet të tregojë se produkti duhet përdorur vetëm me këshillën e mjekut ose të personelit që ofron kujdes shëndetësor, për nënën dhe fëmijën", - thuhet në VKM. Një tjetër kriter i rëndësishëm, është se, këto produkte, duhet të kenë etiketa me një tekst me shkronja të mëdha, qartësisht të dukshme e të kuptueshme, ku tregohet qartë se produkti është i përshtatshëm vetëm për përdorim të veçantë ushqimor për foshnjat mbi moshën 6-muajshe, dhe se ai duhet të jetë vetëm një pjesë e një diete të larmishme me ushqime shtesë që merr foshnja mbi moshën 6- muajshe.

Qumështi zëvendësues nuk duhet të përdoret si një zëvendësues për qumështin e gjirit gjatë gjashtë muajve të parë të jetës. "Etiketimi i formulës pasuese, duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm mbi përdorimin e duhur të produktit, për të mos dekurajuar të ushqyerit me gji dhe të mos përmbajë termat "i ngjashëm me qumështin e gjirit", "mëmësor", "i përshtatur" apo ndonjë term tjetër të ngjashëm", - përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. Po kështu, informacioni i këtyre produkteve, duhet të përcaktojë se formula duhet përgatitur veçmas, për çdo vakt ushqyerje, me ujë në temperature në ose mbi 70 °C dhe se qumështi formulë, i mbetur në shishe, duhet flakur menjëherë pas çdo vakti ushqyerje. Etiketa e një formule për foshnja, nuk duhet të përmbajë fotografi, piktura, vizatime të foshnjave ose tekste që mund të idealizojnë përdorimin e produktit.

VAKTET

Informacioni i këtyre produkteve, duhet të përcaktojë se formula duhet përgatitur veçmas për çdo vakt ushqyerjeje, me ujë në temperature në ose mbi 70 °C dhe se qumështi formulë i mbetur në shishe, duhet flakur menjëherë pas çdo vakti ushqyerje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: