Rama dhe Basha “lëshojnë pe”, oferta për numërimin elektronik dhe Vetting-un

Rama dhe Basha “lëshojnë pe”, oferta për numërimin elektronik dhe Vetting-un
Alket Aliu

Kuvendi ka zhvilluar punimet, dje, në një seancë të karakterizuar nga një bojkot thuajse i dyfishtë. Opozita nuk ka marrë pjesë në diskutimet parlamentare, ndërsa deputetët e LSI-së janë larguar të gjithë, duke filluar nga Ilir Meta, kur ka nisur të flasë kryeministri Rama. Në sallë mbeti vetëm deputetja Silva Caka, që kishte shënuar emrin për të diskutuar. “Bojkoti” i LSI-së erdhi pas një shtrëngimi duarsh në fillim të seancës ndërmjet bashkëkryetarëve të koalicionit, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ndërkohë, opozita ka ngritur flamurin në një shtizë në hyrje të çadrës së protestës përpara kryeministrisë, duke proklamuar se atje është parlamenti i vërtetë dhe duke ftuar gjithë deputetët të mblidhen në këtë tendë.

Por, pavarësisht klimës së acaruar politike, dita e djeshme shënoi një lëvizje të vogël të dy palëve drejt një afrimi pozicionesh, ndonëse lëvizja duket ende e pamjaftueshme.

Basha ofron Vetting-un

Kryetari i Partisë Demokratike është kujdesur të neutralizojë akuzën e mazhorancës se bojkoti i Kuvendit ka si qëllim bllokimin e Vetting-ut. Ai ofroi rikthimin në parlament për të votuar vetting-un dhe amendimin e shtatë ligjeve, nëse pranohet qeveria teknike.

“Nëse nuk kanë frikë nga Vetting-u, menjëherë pas paktit për qeveri teknike, urdhëroni ta bëjmë Vetting-un dhe të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pa kapur? PD-ja do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Ti hapin rrugë qeverisë teknike, të ndryshojmë së bashku shtatë ligjet e drejtësisë që i bënë përshesh. Nëse jo do t’i zgjidhim me qytetarët shqiptarë”, - tha Basha nga tenda në bulevard.

Sipas Bashës, çështja nuk është te procesi i Vetting-ut, por te kapja e sistemit të drejtësisë. “Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i emërojnë vetë njerëzit e drejtësisë. Nga 27 vende të lira, kanë 29 kandidatë. Pra nuk ka zgjedhje. A mund ta pranojmë ne një drejtësi të kapur nga Edi Rama?”

Kryetari i PD-së shfrytëzoi deklaratën e ambasadorit të OSBE-së për ta paraqitur si një mbështetje për kauzën e opozitës. “Mbrëmë, ambasadori i OSBE, më në fund, lëshoi kushtrimin për kauzën: 2 miliardë euro të pista për të blerë zgjedhjet e shqiptarëve. Para të pista, qeveri e pistë, zgjedhje të pista ne nuk do pranojmë kurrë”, - tha Basha.

Rama ofron numërimin elektronik

Kryeministri Rama ka bërë thirrje për dialog për të siguruar standardet e zgjedhjeve të 18 qershorit. “Nuk di asnjë mënyrë tjetër se si mund të përmirësohen standardet e zgjedhjeve, kur ti nuk ulesh në tryezë për t’i përmirësuar”, - tha ai në parlament.

Njëkohësisht, për herë të parë, kryeministri ka pranuar se numërimi elektronik i votave është i mundur. “Numërimi elektronik është i mundur të bëhet. Patjetër që është i mundur dhe ne s’kemi asnjë problem. Por numërimin elektronik e kompenson qind për qind hapja e kutive, sido që të vijë puna”, - tha kryeministri.

Çështja e votimit dhe numërimit elektronik të votave, është shtruar prej kohësh nga opozita. Në emër të Partisë Socialiste që në shtatorin e kaluar deputeti Taulant Balla, njëkohësisht bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore, kishte deklaruar se votimi elektronik ishte i pamundur, ndërsa numërimi elektronik mund të realizohej vetëm si projekt-pilot.

Por oferta e Ramës ka ardhur ndërsa ai ka refuzuar ofertën e Bashës. “Qeveri Teknike, pastaj rishikim të 7 ligjeve, pastaj vetingun?! Kësaj i thonë duam qiqrra në hell”, - shkruan Rama në rrjetet sociale.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: