Rënia e Flynn, Moska sheh rusofobi në SHBA

Rënia e Flynn, Moska sheh rusofobi në SHBA
”Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë tendosur veçanërisht pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe nisi mbështetjen politike dhe ushtarake për separatistët në lindje të Ukrainës"

Kremlini thotë se dorëheqja e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, për shkak të kontakteve të papërshtatshme me ambasadorin rus në SHBA, është "çështje e brendshme" e Uashingtonit. Kurse jozyrtarisht, politikanë të lidhur me Kremlinin ia faturojnë dorëheqjen "atyre që përpiqen të pengojnë përmirësimin e marrëdhënieve Rusi-SHBA", duke vlerësuar se po përhapet një rusofobi e cila dëmton lidhjet mes dy vendeve.

Figura të larta të establishmentit rus, thanë se presioni mbi z.Flynn kishte si qëllim të parandalonte ngrohjen e marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit. Anëtari i Këshillit të Federatës, Aleksei Pushkov, i cili më herët ka qenë udhë- heqës i Komitetit për Punë të Jashtme në Dumën ruse, thotë se "fushata agresive" e mediave në SHBA ka goditur jo Flynnin, por marrëdhëniet me Rusinë. Të njëjtën gjë pohoi edhe pasardhësi i Pushkovit në Komitetin e Dumës për Punë të Jashtme, Leonid Slutsky. Ndërsa Sergei Kislitsyn, specialist për çështjet e Amerikës Veriore në Akademinë e Shkencave të Rusisë, vlerëson se Flynn "është vetëm një viktimë e luftës që po bëhet midis mbështetësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij". Në përgjithësi, shtoi Kislitsyn, "retorika antiruse është një problem i madh në Shtetet e Bashkuara dhe do të pengojë çdo përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe".

Anëtari tjetër i Këshillit të Federatës, Konstantin Kosachyov, udhëheqës i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, sugjeron se presioni ndaj Flynnit "është më shumë se paranojë, është diçka jashtë mase e keqe". Përkundër qëndrimeve ruse, në SHBA, senatori John McCain dhe republikanë të tjerë thonë se presidentit rus, Vladimir Putin, nuk mund t'i kihet besë. Nga ana tjetër, Vladimir Batyuk, ekspert në Institutin e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, e përshkroi incidentin e Flynnit si "goditje shumë të rëndë mbi besimin e Moskës në administratën e re amerikane". Sipas tij, humbja e besimit "do të ketë pasoja negative për të ardhmen e dialogut rusoamerikan".

SHTËPIA E BARDHË

Presidenti Trump i kërkoi dorëheqjen këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn pasi nuk kishte më besim tek ai, dhe jo për ndonjë arsye ligjore, deklaroi Shtëpia e Bardhë. Ajo pranoi se Flynn e keqinformoi nënpresidentin rreth bisedave të tij me ambasadorin rus në SHBA. Sakaq, disa ligjvënës kanë premtuar të fillojnë një hetim lidhur me çështjen.

 

Presidenti Trump: 2 TV dhe 2 gazetat që gënjejnë

Presidenti Donald Trump ndërmori sulme të reja sot kundër njoftimeve të medias për lidhje të dyshuara mes tij dhe Rusisë, duke fajësuar komunitetin e zbulimit për ato që i quan rrjedhje të paligjshme informacionesh për agjencitë e medias. "Skandali i vërtetë këtu është se informacionet sekrete po jepen në mënyrë të paligjshme nga "inteligjenca" si karamele. Është diçka antiamerikane!" tha zoti Trump. Në një seri komentesh në rrjete sociale, zoti Trump tha se "mediat e lajmeve të rreme po çmenden me teoritë e tyre të konspiracionit dhe urrejtjen e verbër". Zoti Trump tha se dy kanale televizive, MSNBC dhe CNN, nuk "mund të shihen dot", kurse quajti të dështuara, gazeta si "New York Times" dhe "Washington Post".

Shpërndajeni me miqtë tuaj: