Rikthehet bojkoti, zgjedhjet në pikëpyetje

Rikthehet bojkoti, zgjedhjet në pikëpyetje
Opozita organizoi të shtunën më 18 shkurt, një protestë me moton "Zgjedhje të lira dhe të drejta". Për këtë demonstratë ku merrnin pjesë më shumë mbështetës nga i gjithë vendi, opozita me në krye liderin Lulzim Basha kishte më shumë se tre javë që punonte. Kërkesa për këtë tubim kishte mbi dy javë që ishte depozituar pranë Policisë dhe kjo e fundit i kishte dhënë leje opozitës për të demonstruar në bulevardin para Kryeministrisë deri në orën 16.00. Në fakt nuk ndodhi ashtu. Në shumë dalje televizive Basha kishte deklaruar se synimi dhe qëllimi i demonstratës do të nxirrej i plotë ditën e këtij tubimi. Dhe ashtu ndodhi. Kur pritej që protesta të përfundonte Basha lëshoi thirrjen "Në shesh deri në qeveri teknike, pasi nuk besojmë në zgjedhje të lira me Ramën". Por fill pas kësaj, në sheshin para Kryeministrisë nisi të ngrihet çadra e vazhdueshmërisë së protestës. Basha dhe Berisha siguruan se do të jenë përkrah protestuesve ditë dhe natë deri në arritjen e kërkesave të parashtruara në këtë protestë paqësore. Ndaj që nga e shtuna e në vazhdim, protesta vijon me një numër njerëzish që rrinë te çadra dhe pranë saj.Disa thonë se ende nuk dihet objektivi real i kësaj nisme. Për më tepër, disa drejtues të PD, kanë mendime ndryshe për mënyrën e zhvillimit të protestës. Për të pasur një ide për këtë demonstrim nga ana e opozitës, ekskluzive për "Albania Free Press" morëm këtë intervistë me deputetin e PS, Pirro Lutaj, ish grevist urie në çadrat që ngriti Edi Rama për zgjedhjet e vitit 2009.

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. Zholi

AFP: Z. Pirro, dje (e shtunë) filloi demonstrata e PD kundër keqqeverisjes e cila në fillim nuk kishte një objektiv të qartë. Por më pas u vu re se në fjalën e kryetarit të PD Basha u theksua se ne do të rrimë në shesh deri në krijimin e një qeveria teknike. Përkundër lejes së policisë e cila ishte deri në orën 16:00, opozita shpalosi planin e saj të vazhdimit të protestës deri në krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja parlamentare.Cili është mendimi juaj për këtë protestë?

Ashtu siç e ndoqën të gjithë shqiptarët, demonstrata e ditës së shtunë, ishte një demonstratë pa kauzë, pa sens. Pra sipas mendimi tim, reformat e mëdha të ndërmarra nga PS dhe qeveria Rama, kanë prekur disa reforma të vogla, por ne gjithsesi nuk merremi me pjesën e atyre njerëzve që kanë pakënaqësi (që janë një pjesë e vogël) por të dalë lideri i opozitës në tribunë, dhe t'i bëjë thirrje popullit unë jam gati, unë jam gati... Por askush (as unë) deri në atë kohë nuk e mora vesh përse ishte gati. Dhe në fund, pasi disa torollitje frazash, ai deklaroi se ishte gati të qëndronte në shesh. Sipas meje, ky lloj demonstrimi, është pa ide, pa strategji, pa motiv, spontan, pa logjikë dhe ndoshta nga një emocion i çastit. Nisma të tilla duan hollësi, diskutime të mëdha në bazë dhe qendër, duan analizë të plotë dhe një strategji të përcaktuar.Këto thirrje nuk mund të bëhen spontane nga një lider në kohën kur zhvillohet një protestë dhe i gjen të gjithë të pa përgatitur. Aq më tepër këto nisma bëhen të pabesueshme, kur lideri i opozitës kishte në krah aty, personazhe që opinioni publik i njeh mirë dhe e dinë kush janë. Pra në një krah kishte ish-ministrin e Gërdecit, Fatmir Mediun dhe në krahun tjetër kishte një deputet të sapo larguar nga parlamenti për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Kjo është pjesa e parë e skemës, ose e çështjes. Pjesa e dytë që ata këmbëngulin të qëndrojnë në shesh, unë vlerësoj shumë qëndrimin që kanë mbajtur autoritet e pushtetit, Ministrit të Brendshëm, i cili tha qartësisht se ne do të respektojmë, protestën e qytetarëve, do tu shërbejmë atyre që ata të protestojnë qetësisht, do ti mbrojmë ata dhe nuk do të ndodhë kurrë ajo që ndodhi ndaj nesh më 21 janar kur këta zotërinj ishin në pushtet, por do të sugjeronim që edhe protestuesit ti bëjnë një analizë vetes, se çfarë po mbështetin dhe pas kujt po shkojnë.

AFP: Sipas mendimit tuaj, ku "ngujim" pa motiv (sipas jush) do të ketë një farë afati kohor?

Unë jam një nga ish-pjesëtarët e grevës së urisë që organizoi PS disa vite më parë po në këtë shesh. Të them sinqerisht pavarësisht se si u komentua nga të gjithë, ne mendonim se greva jonë në atë periudhë kishte një kauzë. Një kauzë tek e cila ne besonim, sepse e kishim të qartë se çfarë kërkonim. Ndërsa tek kjo lëvizje e opozitës së sotme, nuk dihet se çfarë kërkohet. Mund të them se të bësh një protestë reale në këtë situatë klimaterike është shumë e vështirë, nëse nuk ke një motiv të madh. Ky është një mendimi im personal. Nga sa pamë dje dhe me sa shohim sot, ata që i rrethonin këta lider të opozitës, tregon qartë, se të gjithë ata që janë në çadër nuk janë të motivuar për të rezistuar në këtë lëvizje. Pra u mungon kauza kryesore. Përse e bëjnë këtë rezistencë lind pyetja? Një pjesë e tyre thonë se jemi ngujuar se duam zgjedhje të lira, por nuk kanë asnjë arsye të paragjykojnë se si do të bëhen zgjedhjet. Jemi (por edhe ata janë) konfuz të atyre fjalimeve dhe deklaratave që u bënë dje, ku ndryshe deklaroi Basha, ndryshe tha ish-kryetari Berisha, ndryshe tha kryetari grupit parlamentar Paloka dhe ndryshe tha deputeti Patozi(nuk jemi për fitore në tavolinë).Pra deklarimet dhe kërkesat e tyre janë konfuze, jo të qarta, pa program dhe shumë spontane. Të gjithë liderët kanë mendime të ndryshme që nga strategjia dhe kërkesat. Pra duke parë këto momente, as unë as ata vetë nuk mund të dinë se si, kur dhe sa do të vazhdojë kjo lloj proteste e çorganizuar ku vijnë njerëz për kureshtje. Edhet vetë artikulimi për qeveri teknike, ndoshta ishte kërkesë e rastësishme ose e pavullnetshme, emocionale e Bashës, pasi nuk ishte në një program dhe nuk ishte bërë prezent më parë. Pra Basha doli në tribunë dhe i tha popullit jam, gati, po përse? Jam gati, jam gati, jam gati dhe në fund nuk dinte çfarë të thoshte dhe deklaroi e do të rri me ju në shesh. Kur diçka del spontane nuk ka objekt, nuk ka detaje të specifikuara për rezultat. Më erdhi çudi për deklarimet fare të pa orientuara të Palokës, i cili dhe për mangësi të mënyrës së artikulimit të tij absurd, kërkoi qeveri teknike?! Madje shkoi në absurdin e pa bashkë diskutuar me të tijtë, që nuk largohemi prej sheshit pa qeveri teknike.Si deputet i së majtës, i opozitës, në këtë lëvizje të pa orientuar nuk shoh asnjë shqetësim real. Ajo që duhet të merret në konsideratë është që qeveria aktuale duhet të merret me përcaktimin, evidentimin e problematikës që ka aktualisht në qeverisje - aq pak sa ka - dhe të reflektojmë.

AFP: Kalojmë në një tjetër argument. Komisioneri Hahn, doli kundër letrës së 2 ministrave nga LSI, Vasilit e Gjoshës duke thënë se Bordi i ONM është Kushtetues. Cili është mendimi juaj për këtë letër dhe reagimin e ashpër duke pasur parasysh se ata janë pjesë e qeverisjes?

Unë jam në një linjë me z. Hahn. Edhe brenda mazhorancës ka njerëz të paqartë. Ky është një shqetësim që duhet ta tejkalojmë. Çështja e Vetingut nuk ka më kthim pas dhe kjo nuk ka të bëjë me individë. Shqiptarët po e ndjekin me vëmendje këtë çështje dhe po dallojnë dhe po ndajnë se kush e do Vetingun dhe kush mundohet të bëjë politikë me Vetingun.

AFP: Kjo letër e dy ministrave a ka sjellë krisje në bashkëqeverisjen PS-LSI?

Unë nuk jam në gjendje të them se ka krisje apo jo, nuk është në kompetencën time të jap një deklaratë të tillë, por ka ndodhur që deklarata apo letra të tilla kanë qenë dhe mendime personale të ministrave të veçantë apo individëve që janë brenda një partie apo mazhorancës.Por ajo që dua të them është se çështja e çuarjes në fund të Vetingut është një çështje që nuk negociohet më me askënd. Kjo çështje është në rrugën përfundimtare pa kthim.

AFP: Situata politike duket disi e nderë. Aleanca PS-LSI shihet si e dyshimtë. Në këto kushte a mundet PS të fitojë zgjedhjet e 18 qershorit?

PS është një parti vitale e cila në katër vjet ka udhëhequr reforma të jashtëzakonshme dhe të pamendueshme. Mund të them se ishin dhe me dhimbje, por ishin tepër të domosdoshme dhe mund t'i bënte vetëm një parti si PS siç dhe i bëri, pasi opozita nuk çoi deri në fund asnjë reformë kur ishte në pushtet. Por ne që kemi kontakte të vazhdueshme me qytetarët shqiptarë nga jugu në veri, zëri i tyre është se, kanë qenë pro reformave dhe e shihnin si domosdoshmëri bërjen e tyre.Reforma territoriale, ajo në arsim, në shëndetësi - pavarësisht problematikave që patjetër do ndeshen - unë si përfaqësues i PS dhe si deputet që takoj çdo javë votuesit e mi në Mallakastër, mund të them me bindje se, këto reforma kanë qenë në interes të shumicës së shqiptarëve dhe që pjesa dërrmuese i përqafojnë. Jam i bindur që, zgjedhjet e ardhme. PS do jetë drejtuese e koalicionit të fitores. Ndërsa çështja e koalicionit, nuk është çështje personale e deputetëve, por e strukturave drejtuese të partisë dhe anëtarë- sisë së saj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: