Rikthehet fuqia e vjetër financiare

Rikthehet fuqia e vjetër financiare
Përveç ekzistencës së kanaleve formale të dërgimit të parave nga jashtë, si agjencitë e transferimit apo bankat, qytetarët konfirmojnë ekzistencën, ende, të kanaleve informale për kryerjen e këtij transaksioni: përmes të afërmve, miqve apo edhe duke përdorur format e ndryshme të transportit

Eglantina NASI

Po rikthehet "fuqia" e dikurshme financiare, që emigrantët shqiptarë kanë patur ndaj familjeve të tyre gjatë viteve të tranzicionit, përmes dërgesave të parave, ose atyre që i njohim si "remitancat". Të paktën, kështu duket nga shifrat më të fundit që referon Banka e Shqipërisë, sipas të cilave, rezulton se gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar, ato arritën në një nivel prej 159.1 milionë eurosh. Shifër kjo më e lartë se ajo prej vetëm 139.7 milionë eurosh, e cila rezultoi për të njëjtën periudhë respektove, të vitit pararendës, 2015.

Duke folur kësisoj për një nivel të shtuar të parave nga emigrantët, "armë" e fuqishme kjo në duart e familjarëve të tyre për të luftuar varfërinë; dhe që mbërrin tek këta të fundit përmes kanaleve formale, të tilla si bankat apo agjencitë e transferimit të parave, por dhe atyre informale, si dërgesat në formë "cash" përmes të afërmve, miqve apo qoftë edhe duke përdorur format e ndryshme të transportit, si ai ajror, detar apo edhe urban ndërkombëtar, përmes personave të tretë.

Për këtë të fundit, madje, qytetarët referojnë se, kundrejt shumave të caktuara që u besojnë shoferëve të autobusëve për t'ua dhënë të afërmve të tyre, u lënë dhe një "komision" të caktuar. "Vëllai im m'i dërgon paratë me autobusin e linjës së Greqisë. Nuk e kam problem t'i lë dhe 5 euro shoferit, mjafton që ai m'i sjell në dorë të sigurta", - tregon për AFP.al, qytetari me inicialet T.H., sipas të cilit, prej vitesh, paratë e vëllait të tij kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave të familjes.

Ndërsa, një tjetër qytetar, me inicialet M.S., tregon sesi rastet e festave të vitit të ri apo pushimeve të verës, janë momentet kur ai merr "dorazi" paratë që ia sjell e motra me banim në Gjermani. "Përveçse edhe kur vjen ndonjë mik yni gjatë vitit, këto janë rastet më të mira kur motra më nis pará, që i fiton me punën e saj në Gjermani.

Nëse i kalon me agjenci, duhet të paguajë komision. Gjithsesi, nëse na duhen pará, në mënyrë urgjente, ajo e bën edhe këtë", - sqaron ai. Në këtë mënyrë, qytetarët përmes rrëfimit të përvojave individuale, rrëfejnë ekzistencën, ende, të kanaleve informale të parave që "transportojnë" pranë të afërmve që jetojnë dhe punojnë jashtë, drejt atyre në Shqipëri, e që ende përbëjnë një nivel të konsiderueshëm të remitancave si të tilla.

159.1 Milionë euro rezultoi rritja e dërgesave të emigrantëve shqiptarë, krahasuar me 139.7 milionë euro, për të njëjtën periudhë, një vit më parë.

Niveli aktual i parave që nisin emigrantët, i përllogaritur sipas kanaleve zyrtare

Niveli i parave që emigrantët shqiptarë, nisin drejt familjeve të tyre në Shqipëri, përllogaritet, aktualisht, nga institucionet referuar vetëm atyre që figurojnë përmes kanaleve zyrtare, që do të thotë, në terma më konkretë, se shifrat që publiku ka aktualisht, përmes Bankës së Shqipërisë, apo edhe ndonjë institucioni tjetër rreth këtij treguesi të ekonomisë shqiptare, janë ato "të prodhuara", pikërisht, përmes transaksioneve që rezultojnë të jenë kryer nëpër banka apo agjenci të transferimit të parave nga njëri vend në tjetrin.

Dërgesa këto, lehtësisht, të verifikueshme e që, në këtë mënyrë, japin një ide të përafërt rreth nivelit të parave që emigrantët dërgojnë në vendin e tyre të origjinës. Por që nuk mund të thuhet se janë gjithsesi shifrat reale, derisa ekzistojnë edhe kanalet informale të dërgimit të parave, të pranuara edhe nga mjaft anketime të ndryshme, të kryera mes qytetarëve nga organizma të ndryshme.

Si po rritet migrimi i shqiptarëve brenda vendit

” Numri i emigrantëve u ul nga rreth 41 mijë në 33 mijë, kurse rritja e numrit të imigrantëve ishte nga 21 mijë në 23 mijë, gjatë periudhës së viteve 2015- 2016"

Një dukuri mjaft interesante, që konstatohet, së fundmi, nga ana e institucioneve shqiptare, është pakësimi i emigrantëve shqiptarë që zgjedhin të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Dukuri kjo e cila, në mënyrë të anasjelltë, duket se po përballet me shtimin e numrit të imigrantëve, pra, të qytetarëve që zgjedhin të lëvizin brenda territorit shqiptar e duke shkaktuar kështu, një situatë të re demografike.

"Numri i emigrantëve u ul nga rreth 41 mijë në rreth 33 mijë, kurse rritja e numrit të imigrantëve, vlerësohet të ketë qenë nga rreth 21 mijë në rreth 23 mijë gjatë periudhës së viteve 2015- 2016", - sqarojnë ekspertët e Institutit të Statistikave, lidhur me dukurinë në fjalë. E me gjithë këtë trend të pranuar prej tyre, duket se ai nuk ka ndikuar në rënien e nivelit të parave, që ata dërgojnë pranë familjeve.

Paratë e emigrantëve të orientohen në investime

” Në këndvështrimin e ekspertëve, paratë e emigrantëve duhej të shërbenin më shumë për investime, sesa për një gjendje të mbijetesës socialekonomike të popullatës"

Në mënyrë që dërgesat e emigrantëve të mos mbeten vetëm në nivelin e konsumit apo mbulimit të nevojave emergjente te popullatës, për të luftuar varfërinë, ato duhet të orientohen në investime në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Një fakt të tillë e kanë komunikuar vazhdimisht ekspertë të ndryshëm, sipas të cilëve, kjo është një nevojë emergjente e ekonomisë shqiptare.

Për t'i kthyer kësisoj këto pará, si një faktor jo vetëm për përmirësimin e gjendjes socialekonomike në vend, por, në të njëjtën kohë, ato të marrin dhe një karakter tjetër, atë zhvillimor. Një kontribut ky i cili, në fakt, sipas shifrave të Bankës Botërore, përkthehet respektivisht në nivelin prej 9-10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ka qenë po ky institucion, që ka pohuar se tek ne, paratë e emigrantëve janë përdorur kryesisht si mjet konsumi dhe mbijetese.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: