Seksi provokon neveri dhe të qeshura te "Çfarë pa kryeshërbëtorja"

Seksi provokon neveri dhe të qeshura te "Çfarë pa kryeshërbëtorja"
Juela MEÇANI

Me qëllim ndjekjen sa më shumë të teatrit dhe afrimin e publikut, organizatorët kanë menduar edhe të kenë ditën e Ofertës, kur bileta për shfaqjen e së enjtes do të kushtojë vetëm 300 lekë. Nismë kjo që duhet përshëndetur!

Çfarë pa kryeshërbëtorja", vepra e njohur e dramaturgut anglez, Xho Orton, po provokon publikun shqiptar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental, "Kujtim Spahivogli". Kjo parodi e farsës, që në ditën e premierës së saj, pati jehonë dhe sukses të menjëhershëm me kritika pozitive, pavarësisht temës delikate. Nën përkthimin e Artur Lenës, vjen për spektatorin makthi frojdian i shtypjes seksuale. Seksi, përmes komikes, trondit dhe zgjon dëshira tek publiku, provokon duke sjellë neveri, por edhe të qeshura. Me qëllimin për të sjellë argëtim, por edhe ndriçim të mendjes, "Çfarë pa kryeshërbëtorja" konsiderohet si vepër bashkëkohore që ngrihet kundër sistemit dhe vështrimin mbi autoritetin, në veçanti autoritetin e psikiatërve.

E vënë në skenë, për herë të parë në 5 mars të vitit 1969, mesa duket, kjo pjesë teatrore shihet me mjaft kureshtje në një vend si Shqipëria, që ka ende shumë tabu mbi seksin, kureshtje të madhe mbi të, por edhe shumë frustrim mbi përballjen sociale, me këtë pjesë ndër më të rëndësishmet në jetë. Rivënia në skenë erdhi këtë radhë me risi pasi mban "vulën" e tre regjisorëve, Kiço Londo, Ina Morinaj e Ledian Gjeçi, të cilët ndërthurin profile aktorësh të njohur të skenës shqiptare, si Mehdi Malkaj, Rozi Kostani, Genci Fuga, Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Ilia Kaçi.

Regjisori Kiço Londo, thotë se drama është një arratisje në ndërgjegjen njerëzore të botës moderne, përmes 4 temave të rëndësishme, autoriteti zyrtar shtetëror, psikiatria, individualiteti seksual dhe seksualiteti. Për aktorin Genc Fuga, që në krye, përbënte eksperiment dhe sfidë thënia PO, për këtë rol. Përbënte dhe përbën sfidë, një koordinim që ne edhe si popull nuk e kemi shumë aktiv, - shprehet ai. Ndërsa aktori Mehdi Malkaj, thotë se nuk ka frikë nga dështimi. Sipas tij, të dështosh nuk është hatá, por një përvojë për të ardhmen.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: