Shërbimet publike elektronike, hallet që zgjidhin shqiptarët përmes internetit

Shërbimet publike elektronike, hallet që zgjidhin shqiptarët përmes internetit
Vetëm një klikim larg... dhe qytetari, përveçse e ka marrë informacionin që dëshiron, arrin të kursejë pse jo, edhe kohë apo pará, duke realizuar një shërbim të caktuar. Të cilin më parë, e kryente duke mbajtur radhë dhe për ditë të tëra, nëpër zyra dhe institucione publike

Shqiptarët po shfaqen gjithmonë e më shumë të interesuar për të mbaruar punë përmes një shërbimi publik elektronik. E thënë më thjesht, të zgjidhin një problem të tyrin, pikërisht duke klikuar online tek sitet e ofruara nga organet publike për përdorim të gjerë nga qytetarët. E duke shmangur, kësisoj, radhët e gjata nëpër zyra, e mbi të gjitha kohën dhe paratë për të kryer shërbime të ndryshme.

Një dukuri të tillë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në raportin e saj vjetor për vitin e kaluar, sipas të cilave, rezulton se në tërësi, shërbimet elektronike që ofrohen në portalin e-Albania kanë arritur në plot 465, duke u shtuar me 217 shërbime të reja, krahasuar me vitin pararendës 2015.

Sikundër, edhe numri i institucioneve që janë të lidhura me këtë platformë elektronike, arriti në 42 nga 37 të tilla në vitin 2015, - që do të thotë në praktikë, se qytetarët tani kanë më shumë mundësi dhe alternativa se sa më parë për të realizuar një shërbim përmes saj. E duke qenë kështu, edhe numri i përdoruesve të saj ka shënuar një rritje të konsiderueshme, konkretisht duke arritur në 241.621 të tillë, nga të cilët mbi 71 mijë përdorues të rinj janë regjistruar vetëm gjatë vitit të kaluar, 2016.

Po për çfarë shërbimesh janë realisht të interesuar qytetarët shqiptarë që të kryejnë përmes platformës online? Sipas të dhënave që ofron Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në vend të parë renditet kategoria e maturantëve, të cilët përmes kësaj platforme shohin rezultatet e tyre., Duke u pasuar më tej nga kategoria e qytetarëve të cilët aplikojnë për kartë shëndeti.

Por në të njëjtën kohë edhe nga ajo e atyre që aplikojnë për të marrë një leje ndërtimi. Të mos harrojmë as pagesat e faturave të energjisë elektrike, të cilat zënë gjithashtu një vend të konsiderueshëm në listën e shërbimeve që frekuentohen nga përdoruesit e shërbimeve publike elektronike. Teksa një vëmendje të shtuar prej tyre, duket se po zë së fundmi edhe “hetimi” përmes mënyrës online, nëse punëdhënësi i tyre u ka paguar apo jo kontributet e sigurimeve shoqërore, meqë një mundësi e tillë tashmë ofrohet edhe online.

241.621

Ka arritur numri i përdoruesve të shërbimeve publike elektronike vetëm gjatë vitit të lakuar, nga të cilët, mbi 71 mijë ishin përdorues të rinj

Bizneset, më shumë të

interesuara për bilancin

Arsyeja që i detyron bizneset private t’i drejtohen portalit “E-Albania” duket se është më shumë ai i depozitimit të bilancit të tyre vjetor në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Me plot 68233 aplikime të tilla, vetëm për vitin e kaluar 2016, ky shërbim publik elektronik renditet në krye të atyre që preferojnë të realizojnë bizneset. Pasuar më tej, nga ai i aplikimit të lejeve të ndërtimit, me gati një të tretën e shërbimeve të lartpërmendura, deri 20 mijë aplikime, apo pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe atyre të ujit, gjithmonë përmes internetit. Sikundër përfaqësuesit e bizneseve private interesohen në të njëjtën kohë edhe për të dhënat konkrete të makinave që ata kanë në dispozicion, të tilla si gjobat apo pagesat e taksave. Deri edhe te kontrolli i kundërvajtjeve rrugore, apo edhe certifikata e pronësisë së mjetit.

Arsyeja që i detyron bizneset t’i drejtohen portalit “E-Albania” duket se është më shumë ai i depozitimit të bilancit të tyre vjetor në QKB

 70% e atyre që aplikojnë

online, vetëm nga Tirana

Rreth 70% e të gjithë atyre që aplikojnë në mënyrë online për të përfituar një shërbim publik, rezulton se janë qytetarë apo biznese nga Tirana. Dhe vetëm 30% nga qytetet e tjera. Duke treguar në këtë mënyrë diferencën që ende ekziston mes kryeqytetit dhe rretheve të tjera të vendit, lidhur me adoptimin e qytetarëve kundrejt mënyrave të reja që ofron teknologjia “për të zgjidhur një hall”. Sikundër, mes shifrave, bie në sy edhe fakti se një pjesë e totalit të aplikimeve në portalin “E-Albania” mbërrin nga vende të tjera të botës, jo vetëm nga Shqipëria. Konkretisht, rreth 7% e vizitave në këtë portal rezulton të jetë bërë nga Azia, Evropa deri edhe nga Australia, apo Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut. Duke folur kështu për një interesim ndaj të tilla shërbimeve elektronike, edhe prej shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit tonë.

Rreth 7% e aplikimeve rezulton të jetë bërë nga Azia, Evropa deri edhe nga Australia, apo Amerika e Veriut edhe ajo e Jugut

 Moshat 25-34 vjeç,

ata që frekuentojnë

më shumë internetin

për të marrë shërbim

Me një përqindje prej rreth 33.5%, të rinjtë e moshave nga 25 deri në 34 vjeç rezultojnë më të shumtit që zgjedhin internetin për të përfituar shërbime publike online. Pasuar nga të rinjtë e moshave 18-24 vjeç me një nivel prej 27.50% apo ata që variojnë nga moshat 35-44 vjeç të cilët shënojnë një nivel të ulët të frekuentimit të shërbimeve elek-tronike online. Dhe kurba e këtij treguesi sa vjen dhe ulet, me rritjen e moshës së qytetarëve. Për të arritur në nivelin prej vetëm 6.5% të përdoruesve të këtyre shërbimeve për moshat mbi 65 vjeç.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: