Shqiptarët po pakësohen

Shqiptarët po pakësohen
EUROSTAT: Në Shqipëri, ndryshe nga rajoni, popullsia po pakësohet

Eglantina NASI

Popullsia shqiptare po pakësohet. Pas konfirmimit të kësaj dukurie demografike nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në raportin e tij të fundit, ajo vërtetohet edhe nga shifrat që referon vetë Instituti Evropian i Statistikave (EUROSTAT). Sipas tij, Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend në rajon me një trend të vazhdueshëm rënës të popullatës vendase.

Konkretisht, ky institucion raporton shifrën prej 2.886.026 banorësh për popullatën shqiptare gjatë vitit të kaluar 2016, një nivel ky në rënie, nëse e krahason të paktën me rreth një dekadë më parë, kur ajo e kapërcente nivelin prej 3 milionë banorësh, saktësisht 3.149 milionë të tillë në vitin 2006.

Për të shënuar nga viti në vit një rënie të vazhdueshme, e duke folur kështu për një trend negativ të demografisë së popullatës shqiptare si të tillë. Trend ky i cili, në krahasim me vendet e tjera të rajonit në fakt, nuk është i ngjashëm, pasi thuajse që të gjitha referojnë shifra në rritje të popullatave të tyre vendase. E në tërësi me vetë ecurinë demografike të Bashkimit Evropian si të tillë, e cila rezulton progresive, përkatësisht me një popullsi totale të 28 vendeve të saj anëtare prej 510.2 milionë banorësh vitin e kaluar 2016, krahasuar me 508.5 milionë banorë që ky tregues ishte vitin pararendës 2015.

Ndërkaq, nëse iu kthehemi vendeve të rajonit tonë ku bën pjesë Shqipëria, figuron se vjet popullata e Malit të Zi numëronte një shifër prej 622.2 mijë banorësh, nga vetëm 622 mijë të tillë një vit më parë. Për të vijuar më tej me Turqinë, e cila gjithashtu në vitin 2016 ka reflektuar një shtim të popullatës së saj, përkatësisht me 78.741 milionë banorë, nga 77.695 të tillë një vit më parë. Edhe Maqedonia duhet thënë ka shënuar një rritje të popullatës së saj, në nivel modest, me shifrën prej 2.071 milionë banorësh, nga 2.069 milionë që popullsia e saj shënonte një vit më parë.

Ndërkaq, vende si Serbia apo Kosova, kanë shënuar një rënie të lehtë të popullatës, njësoj si edhe Shqipëria, por ajo që është ndryshe nga rasti i tyre prej kësaj të fundit, është fakti se nëse kjo rënie mund të jetë shënuar vetëm vitin e fundit, në vitet e tjera, popullata e tyre ka shënuar rritje progresive, duke reflektuar kështu trendin në tërësi të gjithë rajonit të Evropës sa i përket aspektit demografik.

I cili mesa duket nuk është i ngjashëm për Shqipërinë, popullata e së cilës rezulton të jetë në një përqindje të madhe jozyrtare ende emigrante. Por në të njëjtën kohë, edhe me një nivel vijues në rënie të lindshmërisë. "Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2017, rezultoi 2.88 milionë duke pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001. Krahasuar me një vit më parë popullsia u rrit me 1 mijë banorë", citon raporti i fundit i Institutit të Statistikave, lidhur popullsinë. Duke shtuar se për herë të parë pas vitit 2001, shtesa natyrore tejkaloi migracionin neto, duke rezultuar në një rritje të lehtë të numrit të popullsisë banuese në 1 Janar 2017. "Përllogaritjet e popullsisë në 1 janar 2017 treguan se vetëm tre qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj.

Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+23.0 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16.5 për 1000 banorë) dhe Vlora (+4.15 për 1000 banorë). Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-30.6 për 1000 banorë), Dibër (-26.9 për 1000 banorë), Berat (-25.8 për 1000 banorë) dhe Kukës (- 21.3 për 1000 banorë). Në total, popullsia banuese e Shqipërisë u rrit me rreth +0.3 për 1000 banorë, në 1 Janar 2017", sqarojnë më tej ekspertët e INSTAT-it trendin e ecurisë së popullatës shqiptare gjatë vitit të kaluar 2016.

2.886 Milionë persona është numri zyrtar i popullatës shqiptare e deklaruar nga Instituti Evropian i Statistikave për vitin 2016, një shifër në rënie nga 3.134 e deklaruar gati një dekadë më parë, që në vitin 2005 prej këtij institucioni

Të moshuarit, po zënë më shumë pjesë në popullatë

Procesi i moshimit si i tillë në Shqipëri ka filluar të jetë prezent në zhvillimin demografik të vendit. Kështu pohon Instituti i Statistikave duke iu referuar për këtë kryesisht uljes së numrit të lindjeve, e cila sipas tij vihet re nga viti 2010 deri në vitin 2016. "Nga ana tjetër rritja e jetëgjatësisë ka bërë më numeroze pjesën që zënë të moshuarit në popullsinë e Shqipërisë, (65+ vjeç)", shtojnë ata lidhur me këtë dukuri.

Varësia nga të rinjtë ka shënuar një rënie

Varësia e popullatës shqiptare nga të rinjtë ka shënuar një rënie, duke i bërë këta të fundit më pak të ndikueshëm në nivelin total saj. Konkretisht, sipas INSTAT-it, në vitin 2016 raporti i varësisë së të rinjve ka shënuar një rënie në krahasim me vitin 2015, nga niveli prej 27.3% në 26.7%. Ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka pësuar rritje nga 18.4.% në 18.9% gjatë të njëjtës periudhë. "Raporti gjinor ka pësuar rënie, nga 102.7 në 102.5 meshkuj për 100 femra", shton INSTAT-i.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: