Sot, provimet e specializimeve te mjekësia, si do zgjidhen fituesit

Sot, provimet e specializimeve te mjekësia, si do zgjidhen fituesit
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar afatet dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët ditën e provimit. Procedura e testimit, për herë të parë, si jepen provimet e shtetit

Sonila ISAKU

Kandidatët të cilët do ti nënshtrohen provimit të specializimeve afatgjata në mjekësi, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit do të zhvillojnë testimin e standardizuar pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ky lloj testimi u jep kandidatëve rezultatin që në çastin e përfundimit të tij, duke anashkaluar, kështu, çdo lloj mundësie për kualifikim të padrejtë të kandidatëve. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, ka pohuar se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit, përzgjedhja e degëve do të bëhet sipas meritës. "Ne kemi ofruar kuota sipas kapaciteteve pritëse që kemi. Sa i takon mënyrës së përzgjedhjes, ajo do të jetë sipas meritës. Kështu, kandidatët do të hyjnë në sallën e provimit, zgjedhin specialitetin e preferuar, kuotën e lirë apo kuotë të mbuluar" - ka pohuar Gjata. Sipas tij, pas rezultateve që do të dalin nga testimi, do të bëhet mbledhja e pikëve edhe me rezultatet e intervistës; më pas do të dalin rezultatet përfundimtare. Duke nisur nga dita e sotme, deri të mërkurën, do të testohen kandidatët për degët e ndryshme të mjekësisë, kurse ditën e enjte, do të jetë provimi për kirurgjinë oromaksofaciale. Kandidatët aplikontë për provimet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë në fushën e mjekësisë, duhet të paraqiten pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, 30 minuta para fillimit të provimit të specializimit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë), për pjesëmarrje në provimin e specializimit (dokumenti origjinal); fotokopje të kartës ID ose pasaportë; në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e përcaktuara nga ky institucion, duke mos mbajtur, përdorur celularin apo mjete të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi. Po kështu, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit. Një nga problemet që hasi këtë vit Universiteti i Mjekësisë, ishte kriteri i ministrisë se Arsimit, ku aplikantët për specializim, njohuritë e gjuhës së huaj,duhet t'i kenë të nivelit C1. Kjo kërkesë detyroi universitetin të shtynte me një muaj zhvillimin e konkurseve. Për vitin e ardhshëm, Universiteti i Mjekësisë do t'i propozojë Ministrisë ndryshimin e këtij kriteri, pasi sipas rektorit Gjata, niveli B2 i njohjes së gjuhës së huaj, është i mjaftueshëm për këto lloj specializimesh. Këtë vit, konkurrojnë 287 mjeke për 187 vende. Ndërkohë nevojat në shërbimin publik shëndetësor janë për 300 mjekë të specializuar në profile të ndryshme. Për here të parë, konkursi i specializimeve në degën e mjekësisë organizohet nga vetë universiteti. Te hënën e kaluar, Universiteti i Mjekë- sisë zhvilloi fazën e parë të konkursit për 278 mjekë të përgjithshëm që synojnë specializimet në profile të ndryshme.

” Pas rezultateve që do të dalin nga testimi, do të bëhet mbledhja e pikëve edhe me rezultatet e intervistës dhe më pas do të dalin rezultatet përfundimtare. Këtë vit konkurrojnë 287 mjekë për 187  vende."

 

Gjuha e huaj, Mjekësia do i kërkojë MAS-it rishikim të udhëzimit

Pas problematikave të shfaqura me nivelin e gjuhës së huaj, Universiteti i Mjekësisë do i kërkojë ministrisë së Arsimit të rishikojë edhe një herë udhëzimin, pasi niveli C1 mund të përdoret vetëm për doktoraturë. "Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se gjuha e huaj është në nivel C1 dhe kjo është bërë mbi bazën e një gjykimi që kanë nivelet e ciklit të tretë. Unë mendoj se C1 për specializimet në mjekësi është shumë i lartë, ndoshta më i lartë se sa është e nevojshme për këtë lloj specializimi", - ka pohuar Gjata. Sipas tij, çdo ndryshim do të vijë duke u mbështetur në baza ligjore dhe modele.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: