Tri lista për 22 ekzekutime, raporti pas bombës në ambasadën sovjetike

Tri lista për 22 ekzekutime, raporti pas bombës në ambasadën sovjetike
Leonard Veizi

 Çfarë ndodhi në javën e tmerrshme të shkurtit të vitit 1951? Nga mbrëmja e bombës së 19 shkurtit, deri në ekzekutimet e 7 ditëve më pas. Si u raportua në Byronë Politike nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, dhe si u vendos për “terrorin e kuq”

Autorët e vërtetë vazhdojnë të cilësohen si “të paidentifikuar”, por shpërthimi i një bombe në territorin e Legatës së ish-Bashkimit Sovjetik, e bëri shtetin shqiptar të asaj kohe, të shpërthente në një valë të egër spastrimesh. Viktimat e radhës ishin ata për të cilët mendohej se bënin pjesë në kontingjentin e politikës antistaliniste.

66 vjet mё parё, pikёrisht mbrёmjen e 19 shkurtit 1951, forca tё shumta policore, hetues e prokurorё mbёrritёn nё Legatёn Sovjetike të Tiranës, pas zhurmёs sё krijuar nga njё shpёrthim i fuqishёm nё brendёsi tё mjediseve tё saj. Dёmet nga ky shpërthim, pikërisht nё garazhdin e makinave tё Legatёs, nё rrugёn e Durrёsit, atje ku sot ndodhet ministria e Arsimit, ishin tё papёrfillshme. Pёrveç disa xhamave tё thyer, nё pjesёn e pasme tё ndёrtesёs, ishte shtrembёruar edhe dera e jashtme e garazhdit, qepeni dhe shinat e saj. Vetёm kaq mjaftoi pёr ndёrmarrjen e masave tё ashpra tё represionit ndaj kundёrshtarёve tё regjimit, mbёshtetur mbi tё dhёnat e Sigurimit tё Shtetit. Ngjarja u mor me shumё zell nga Tirana zyrtare. Menjëherë u mblodh plenumi i Komitetit Qendror dhe më 20 shkurt, Byroja Politike e PPSH-së.

Shkelja e ligjeve

Gjatë mbledhjes së Byrosë, Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e ngjarjes dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje, më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Mehmet Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse sipas tij, “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur, sigurisht, ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare, brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”.

Përvoja nga vrasja e Bardhok Bibës

Me sa dukej, sa herë që e ndjente veten ngushtë, kupola drejtuese e Partisë së Punës i shkelte me të dyja këmbët ligjet që kishte miratuar po vetë. Këtë e vërtetoi dhe fjala e ish- ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Mehmet Shehu, i cili, vetëm dy vite më pas, do të emërohej në krye të ekzekutivit. Ai thotë: “Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”, - citohet Mehmet Shehu nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike, të datës 20 shkurt 1951, vetëm pak orë nga shpërthimi i bombës enigmë në oborin e brendshëm të Legatës Sovjetike në Tiranë. Me të gjitha masat e konsideruara si të marra, ishin dakord jo vetëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, por dhe vetë Enver Hoxha, i cili ishte pro spastrimit që do të bëhej nëpërmjet levave të ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykimi rekord

Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politikem të datës 20 shkurt 1951, shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike. E vetmja gjë që u bë nga Sigurimi i Shtetitm kishte të bënte me përzgjedhjen e personave që do të burgoseshin apo pushkatoheshin. Nga listat e përgatitura me kohë në ministrinë e Punëve të Brendshmem u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata të cilët cilësoheshin “më të rrezikshmit” për momentin. Arrestimi, akuza dhe gjykimi u bë në një kohë rekord, ndërsa pushkatimi i 22 personavem u krye më datë 26 shkurtit 1951, pra vetëm një javë nga dita e shpërthimit të bombës në oborrin e Legatës Sovjetike.

Përgjunja shtetërore

Nuk ishte rasti i parë dhe as i fundit, kur qeverisë shqiptare i duhej të servilosej përpara një fuqie të madhe. Por, në rastin konkret, përgjunja bëhej ndaj Bashkimit Sovjetik. Përveç shprehjes: “Qysh mbrëmë, ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke vënë nga njerëzit tanë për t’i shoqëruar”, që, në fund të fundit, ishte detyrim i shtetit shqiptar, ajo që të bën më shumë përshtypje janë fjalët e tjera të shqiptuara nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu: “Do të ishte mirë që ne, si Byro Politike, t’i bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë më me ashpërsi”. Të gjitha këto tregonin se, në fund të fundit, epoka e miqësisë me jugosllavet kishte përfunduar dhe miqësia me sovjetikët po konsolidohej gjithnjë e më shumë.

 

 

 

 

Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike

Seanca e mbrëmjes e datës 20 shkurt, dhe mbeten vetëm anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror

SHOKU KOMANDANT – Tani të shohim një propozim të Mehmetit, në lidhje me masat që duhet të marrim për atë çka na ngjau në Legatën Sovjetike

SHOKU MEHMET SHEHU – Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 7 e 47 minuta, nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike, është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, penxheret dhe ka bërë zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për ndjekje, por nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona, rreth kësaj ngjarje, janë se mund të jenë vazhda e një procesi, po pavarësisht nëse është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo, duhet ta zbulojmë patjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati. Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, por ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që të marrim masa represive të jashtëzakonshm,e pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi.  Unë mendoj se këto masa që do të marrim duhet të jenë në një shkallë të tillë që elementi të përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj., sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 200 ose 250 vetë nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur, sigurisht, ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare, brenda një muaji. Duhet që terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni dhe ju dakord, veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë, ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tanë për t’i shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen, pastaj kemi menduar të vemë roje edhe në të gjitha objektet ku punojnë e banojnë këta, rrotull këtyre do të bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pse kemi vënë re që janë futur tek ata njerëz të poshtër dy shoferë jo të mirë. Këto masa mendojmë t’i marrim kudo ku ka sovjetikë, që janë këtu rreth dyqind veta prej tyre. Do të marrim gjithashtu masa me këtë rast, pra, dhe disa masa më të mira për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat, sot për sot, kanë vetëm një roje. Me gjithë se në këto masa do të bëhen edhe mjaft harxhime po ne do ti bëjmë se janë masa të domosdoshme dhe duhet t’i marrim.

TË GJITHË ANËTARËT E BYROSË – (Njëzëri) Të gjithë jemi dakord me këto masa.

SHOKU MEHMET SHEHU – Do të ishte mirë që ne, si Byro Politike, t’i bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi.

TË GJITHË SHOKËT ANËTARË TË BYROSË POLITIKE – (Aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të shokut Mehmet Shehu).

SHOKU BEQIR BALLUKU – Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë ne duhet të gjejmë edhe një motivacion.

SHOKU MEHMET SHEHU – Këtë gjë e lidhim me atë që donin të bënin në 8 shkurt.

SHOKU KOMANDANT – Motivacioni të mos thuhet për atentat.

SHOKU MEHMET SHEHU – Për këtë gjë duhet të flitet pak edhe me Gjykatën dhe Prokurorinë Ushtarake.

(Mbyllet seanca e datës 20.2.1951)

 

 

Histori e shkurtër

Si u ekzekutuan 22 të pafajshmit

Për çështjen e “bombës në Legatën Sovjetike”, Sigurimi i Shtetit hartoi tre lista me mё shumё se 100 vetё. Nё kёto lista ishin shkruar emrat e personave qё do tё arrestoheshin edhe shёnime biografie, aktiviteti para lufte dhe pas saj si dhe akuza qё mund t’ju bёhej. Nё krah tё emrit u ishin vendosur edhe kryqe blu, qё do tё thoshin se ata ishin tё piketuarit pёr t’u ekzekutuar. Nё të tri listat, ishin vёnё kryqe nё emrat e 23 personave, por tё ekzekutuar rezultojnё 22 tё tillё. Nё datat 20, 21 dhe 22 shkurt, 102 persona tё arrestuar u shoqёruan nё zyrat e sigurimit dhe u mbajtёn nё burgun e ri tё Tiranёs. Mё 25 shkurt, prokurori ushtarak, Siri Çarçani hartoi akuzat pёr 22 personat e parё. Sipas akuzës, kёta persona ishin vёnё nё shёrbim tё spiunazheve tё huaja imperialiste, se ishin anёtarё tё njё organizate terroriste kishin bёrё propagandё pёr tё rrёzuar mё dhunё pushtetin popullor dhe se kishin hedhur parrulla pro shpёrthimit tё njё lufte tё re nga ana e imperialistёve. Nё dokumente thuhet se 22 vetё janё ekzekutuar, duke u gdhirё 26 shkurti, ndёrsa vendimi u dha njё ditё mё pas ekzekutimit tё personave. Vendimi i ekzekutimit ёshtё firmosur nga kryetari i Gjykatёs sё Lartё Ushtarake, Shuaip Panariti, e anёtari Vangjel Kocani, ndёrsa nuk ёshtё firmosur nga Nonda Papuli dhe Hydaji Bejo.

 

 

Dosja

Si u veprua nga Gjykata e Lartë Ushtarake

Akuza e prokurorit ushtarak

1-Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste.

2-Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste

3-Kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve.

Në dosjet e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, gjejmë vendimin nr.64 datë 27.02.1951, me këtë përmbajtje:

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga:

Kryetar: N/kolonel – Shuaip Panariti;

anëtar: Kapiten I – Vangjel Kocani;

anëtar: Kapiten Nonda Papuli;

anëtar dhe sekretar gjyqi: Hidai Bejo,

pasi konstatoi se, të 22 të pandehurit janë armiq të betuar të popullit e të pushtetit popullor, vendosi në bazë të ligjit 373 datë 11.12. 1946, dënimin e tyre më vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtës civile të përhershme dhe konfiskimin e së luajtshme e të paluajtshme.

Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.

Firmosur nga kyetari Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani.

 

Viktimat

1) Sabiha Kasimati

2) Pjerin Gurakuqi

3) Andon Delhysa

4) Zhydi Heri

5) Gafur Jeheni

6) Jonuz Kaceli

7) Manush Peshkepia

8) Mehmet Shkupi

9) Niko Laza

10) Lluka Rashkovic

11) Haki Kodra

12) Reiz Selfo

13) Myftar Jegeri

14) Thoma Katundi

15) Hekuran Troka

16) Qemal Kasaruho

17) Tefik Shehu

18) Gjon Temali

19) Fadil Dizdari

20) Petro Komi

21) Pandeli Nova

22) Ali Qoraliu

Shpërndajeni me miqtë tuaj: