Ulja e dëgjimit, si të kurojmë sëmundjen që prek fëmijë dhe të moshuar

Ulja e dëgjimit, si të kurojmë sëmundjen që prek fëmijë dhe të moshuar
Ulja e dëgjimit deri në shurdhësi, ndodh për shkak të faktorëve të jashtëm, por edhe atyre gjenetikë, pakujdesie e momentit, për shkak të medikamenteve të përdorura dhe, në raste të tjera, të sëmundjeve të ndryshme. Në ditën Botërore të Dëgjimit që organizohet çdo vit nё 3 mars, nё shumë vende të botës, Organizata Botërore e Shëndetit ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e shëndetit të dëgjimit. Çdo vit trajtohet një çështje e caktuar, e cila synon të tërheq vëmendjen nё një problem të veçantë. Pёr vitin 2017, tema e trajtuar ёshtё “Vepro kundёr humbjes sё dёgjimit – Bёj njё investim tё shёndetshёm!”.

Me anë të kësaj teme, kërkohet të tërhiqet vëmendja tek ndikimi ekonomik qё ka humbja e dëgjimit. Rastet me humbje të dëgjimit të patrajtuara kanë kosto të lartë për ekonominë nё nivel global, dhe kanë ndikim të rëndësishëm në jetën e atyre që preken. Ndërhyrjet për të trajtuar humbjen e dëgjimit janë tё realizueshme dhe kosto-efektive.

Përfitimet

Parandalimi, depistimi, identifikimi i hershëm i rasteve, përdorimi i pajisjeve të dëgjimit apo edukimi me gjuhën e shenjave, janë strategji të cilat zvogëlojnё rastet me humbje tё dëgjimit dhe pasojat e saj. Nga identifikimi i hershëm dhe ndërhyrjet nё kohë, personat me humbje tё dëgjimit mund tё kenë përfitime tё shumta në cilësinë e jetës, ndaj kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin jo vetëm të popullatës së përgjithshme, por edhe të politikëbërësve për hartimin e strategjive efektive, të cilat do të ndikojnë si në uljen e prevalencës së kёtyre rasteve, ashtu edhe në ndikimin qё ka humbja e dëgjimit në cilësinë e jetës.

Fakte

Të dhënat e OBSH-së tregojnë se 360 milionë njerëz nё mbarë botën kanë humbje tё dëgjimit, prej tё cilëve 32 milionë janë fёmijё, ndërkohë që 50% e rasteve me humbje tё dёgjimit vijnё nga shkaqe qё mund tё parandalohen. Humbja e dёgjimit mund tё rezultojë nga shkaqe gjenetike, ndërlikime gjatë lindjes, disa sëmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, përdorimi i disa mjekimeve specifike, si dhe ekspozimi nё një mjedis tё zhurmshёm. Rreth 50% e të gjitha rasteve me humbje tё dëgjimit, mund tё shmangen nёpёrmjet parandalimit parësor.

Njerëzit me humbjen e dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit, implantet kokleare dhe pajisje të tjera ndihmëse, ilustrimi, gjuha e shenjave dhe forma të tjera të mbështetjes sociale.

Shkaqet

Shkaqet e humbjes sё dëgjimit mund tё ndahen nё tё lindura dhe tё fituara. Shkaqet e lindura çojnё nё humbje tё dёgjimit qysh nё lindje. Ato mund tё jenë gjenetike ose si pasojë e ndërlikimeve që nëna mund të ketë gjatë shtatzënisë dhe lindjes, të tilla si: infeksionet gjatё shtatzënisë si rubeola dhe sifilizi, lindja me peshë tё vogël, asfiksia nё lindje. Pёrdorimi gjatё shtatzënisë i disa medikamenteve tё ndaluara si aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundёr malaries dhe diuretikёt. Ikteri i shprehur (verdhёza) nё periudhёn neonatale, i cili mund tё dёmtojё nervin e dëgjimit nё njё tё porsalindur.

Si shkaqe të fituara të cilat mund të çojnë në humbje të dëgjimit, mund të përmendim sëmundjet infektive si meningjiti, fruthi dhe parotiti (shytat), infeksionet kronike tё veshit ( otitis media me efusion). Po kështu, faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në humbjen e dëgjimit janë edhe përdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike si dhe dëmtimet traumatike tё kokёs dhe veshit. Bllokimi i kanalit tё veshit me dyll apo me trupa tё huaj, është një tjetër faktor që ndikon në uljen e dëgjimit.

Zhurmat ekstreme, pёrfshirё zhurmat nё mjediset e punёs nga makineritё apo shpёrthimet, zhurmat nё mjediset ku jetojmё dhe frekuentojmë (bare, klube nate etj.) Te fёmijёt, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes sё dëgjimit.

Pasojat

Njё nga ndikimet kryesore qё humbja e dëgjimit ka tek individi ёshtё paaftёsia komunikuese me tё tjerёt. Te fёmijёt me shurdhёsi, zhvillimi i tё folurit ёshtё i vonuar. Sipas ekspertëve të OBSH-së humbja e dёgjimit dhe sёmundjet e veshit, tё tilla si otiti media, kanё efekte negative nё performancёn e fëmijëve nё shkollё.

Ndikimi social dhe ekonomik

Humbja e dëgjimit çon nё kufizim tё aksesit pёr shumё shёrbime. Gjithashtu, pёrjashtimi nga komuniteti ka njё ndikim domethënës nё jetën e përditshme duke krijuar ndjenjën e vetmisë, izolimit dhe nënshtrimit, veçanërisht tek individët e rritur. Nëse një fëmije me shurdhësi të lindur nuk i jepet mundësia tё mёsojё gjuhën e shenjave qё në fëmijëri, ai/ajo do tё ndihet i përjashtuar nga ndërveprimet sociale.

Nё vendet nё zhvillim, fёmijёt me humbje tё dёgjimit, rrallё ndjekin shkollёn. Tё rriturit me humbje tё dëgjimit, kanë shkallë tё lartë papunësie, duke patur kosto tё lartё pёr individin, familjen dhe shoqёrinё.

Parandalimi

Sipas studimeve të kryera rezulton se rreth 50% e rasteve me humbje tё dëgjimit mund tё parandalohen. Strategjitë efektive që ndihmojnë në parandalimin e humbjes së dëgjimit janë vaksinimi i fëmijëve ndaj sëmundjeve infektive si fruthi, rubeola, meningjiti dhe parotiti. Vaksinimi i vajzave adoleshente dhe nё moshën riprodhuese ndaj rubeolës, përpara shtatzënisë po kështu edhe testet depistuese pёr sifilizin dhe sëmundje tё tjera infektive gjatë shtatzënisë. Përmirësimi i kujdesit ante dhe perinatal, duke pёrfshirё praktika tё testit tё dёgjimit qё nё lindje.

Një këshillë tjetër që japin ekspertët, është edhe diagnostikimi i hershëm i fёmijёve me otit media, dhe marrja e trajtimit të duhur pёr kёtё diagnozë. Por ajo çka është më e rëndësishme dhe vlen të theksohet, është shmangia e përdorimit tё disa medikamenteve qё shkaktojnë humbje tё dëgjimit, me përjashtim tё rasteve tё dhëna nga specialisti i cili monitoron gjendjen dhe ecurinë e mjekimit.

Këshilla kryesore e specialistëve është reduktimi i ekspozimit ndaj zhurmave tё larta nёpёrmjet rritjes sё ndёrgjegjёsimit ndaj këtyre rreziqeve, forcimi i legjislacionit lidhur me emetimin e zhurmave tё forta dhe kushtet nё vendin e punës, inkurajimi dhe nxitja e individëve pёr tё përdorur pajisje mbrojtëse pёr zhurmat si tapa veshësh apo kufje qё i reduktojnë zhurmat etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: