Vendimi, pensionet rriten me 3%, nga 1 marsi

Vendimi, pensionet rriten me 3%, nga 1 marsi
Në total, numërohen mbi 640 mijë pensionistë në rang vendi të cilët do të përfitojnë nga masa e re e indeksimit të pensioneve në nivelin prej +3%

J eni pensionist? Nuk ka rëndësi i cilës kategori. E sigurt është që, pas datës 1 mars 2017, ju do të përfitoni nga rritja e pensionit aktual në masën prej +3%. Kjo, falë një vendimi të posaçëm të marrë, dje, nga qeveria për indeksimin e tyre në këtë masë për të gjitha llojet e pensioneve, duke bërë që të përfitojnë prej tij mbi 640 mijë pensionistë në rang vendi. Efekti konkret i të cilit do të jetë fakti që pas datës 1 mars, në Shqipëri, nuk do të ketë pension qyteti më të vogël se 15.164 lekë në muaj apo më të madh se 26.528 lekë në muaj, apo edhe pension fshati më të vogël se 9.802 lekë në muaj. Ndërkaq, vendimi në fjalë i qeverisë parashikon, gjithashtu, që nga indeksimi prej +3% i pensioneve do të përfshihet edhe pensioni social si i tillë. Por, në të njëjtën kohë, edhe pensionet suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpë- timit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, trajtimet e veçanta financiare të familjeve të pilotëve apo ato punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, ata që përfshihen në statusin e veteranit etj.

Nga ana tjetër, ekspertët e qeverisë parashikojnë, gjithashtu, që nga rritja prej +3% përfitojnë edhe pensionet të cilat caktohen nga data 1 mars 2017 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 28 shkurt të këtij viti, përfshirë edhe këtë datë. "Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.3.2016, nuk do të jenë më pak se 13.014 lekë në muaj dhe më shumë se 26 028 lekë në muaj. Kurse ato të ndryshuara me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 8.912 lekë në muaj, por jo më shumë se 13.014 lekë në muaj", - përcakton, gjithashtu, VKMja në fjalë. Për të shtuar më tej se pensionet e parakohshme, me datë fillimi nga 1.3.2017 e në vazhdim, nuk do të jenë gjithashtu më pak se 13.014 lekë në muaj. Sikundër sqarohet mes të tjerash edhe fakti se "përfituesit e pensioneve, të caktuara, pas datës 1.3.2017, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale".

"

Sa do të jetë pensioni minimal dhe maksimal?

"Pas datës 1.3.2017, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit, me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15.164 lekë në muaj. Të ardhurat maksimale arrijnë 26.528 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit, nuk mund të jenë më të vogla se 9.802 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15.164 lekë në muaj", - sqaron vendimi i qeverisë, lidhur me indeksimin e pensioneve në masën prej +3%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: