Zbulohet dokumenti: 2 heroinat u spiunuan nga shqiptarët

Zbulohet dokumenti: 2 heroinat u spiunuan nga shqiptarët
Thanas MUSTAQI

Ngjarja e 67 viteve më parë, ende, trazon ata që janë etiketuar si kolaboracionistë, pasi konsiderohet jo vetëm tradhti, por dhe turp për burrat e Gjirokastrës: Në një trup gjykues prej 6 vetash, ku vetëm njeri ishte gjerman, kanë propozuar dënimin me varje në litar për himarioten Persefoni Kokëdhima (1924- 1944), dhe, pastaj, për bashkëqytetaren e tyre, Bule Naipi (1920-1944). Madje, dikush nga forcat e Ballit Kombëtar, tashmë i moshuar, është prononcuar kohët e fundit në shtyp se kallëzimin te Gestapoja e ka bërë një përfaqësues shqiptar pranë komandës shqiptare. Prandaj hakun ia mori Balli Kombëtar dhe e ekzekutoi.

BALLISTI: NE E VRAMË EKZEKUTUESIN E DY HEROINAVE

Ahmet Nivica, njëri nga veteranët më të vjetër të Ballit Kombëtar, në të cilin ka aderuar aktivisht që në themelimin e tij, në vitin 1942, thotë në shtyp: "Unë, si komandant i Rinisë Balliste të Qarkut të Gjirokastrës, në vitin 1944, mblodha shtabin dhe urdhërova që Xhaferr Bej Leskoviku, i cili deri atë ditë ishte përfaqësuesi shqiptar pranë komandës gjermane të qarkut, të dënohej me vdekje. Ekzekutimi i tij do të bëhej po atë ditë. Këtë vendim ma miratoi menjëherë Shtabi i Rinisë dhe, pas kësaj, nxituam për të bërë ekzekutimin e bashkëpunëtorit të nazizmit". Xhaferr Leskoviku ka qenë organizatori dhe bashkautori i ekzekutimit me varje të heroinave të Gjirokastrës, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima", - thotë Nivica. Por në arkiva nuk përmendet emri i Leskovikut. Janë disa personazhe të tjerë të xhandarmërisë dhe Ballit Kombëtar. Gjithsesi, pa hyrë në debate, nëse qëndrojnë ato që thotë Nivica, fakt është se dy vajzat antifashiste janë gjurmuar, spiunuar, kapur dhe ekzekutuar nga shqiptarë, bashkëpunëtorë të pushtuesit. Veçse, hakmarrjen nuk e ka bërë Balli Kombëtar, por çetat partizane.

SULMI I 18 KORRIKUT, HAKMARRJE PËR BULEN

Këtë e vërteton një dokument i arkivës së shtetit. Më 22 korrik 1944, 5 ditë pas ekzekutimit të Bule Naipit, prefekti i Gjirokastrës nën gjermanët, Vehip Runa, i raportonte zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se, në një informatë që kishte komanda e xhandarmërisë shqiptare, rezultonte që Bule Naipi, "shpesh këthente nga çetat në këtë qytet dhe merrej me shërbime të partisë. Në gjurmimet që i u bënë u-diktua, u-kap dhe u-burgos". Runa deklaron se varja në litar "është bërë kryesisht prej Gestapos dhe Komandës Gjindarmëris së këtushme". Madje, Runa, raporton se pas "këtij ekzekutimi, çetat partizane kanë qenë të revoltuara" - sulmi i datës 18 korrik, është bërë në shenjë hakmarrjeje për Bulen.

E PARA,VAJZA NGA QEPAROI

Është thënë se nga 5 femra të ekzekutuara nga nazistët gjatë Luftës II Botërore në Europë, katër janë shqiptare. Mes tyre, heroinat e popullit Persefoni Kokëdhima dhe Bule Naipi. Në qarqe antifashiste evropiane, ka bërë përshtypje dhe rasti i dy vajzave, të ekzekutuara në distancë kohore prej 6 ditësh, dhe jo njëkohësisht. Persefoni u ekzekutua në mesatën e 12 korrikut, në prani të Bule Naipit, si një mjet trysnie që të tërhiqej nga idealet dhe të tregonte bazat antifashiste. Kokëdhima, një nga 8 fëmijët e Petro Kokëdhimës nga fshati Qeparo, pavarësisht ngurrimit të të atit, doli partizane, duke prerë dhe gërshetat, një shenjë tejet e guximshme për mendësinë e bashkësisë dhe kohës. Ajo u kap nga forcat shqiptare dhe gjermane në fshatin e saj, teksa po fshihej, pasi ishte e sëmurë dhe e plagosur. U nxor para fshatit për ta demaskuar dhe u kërkua që bashkëfshatarët apo familja t'i jepnin plumb ballit pasi i paskësh turpëruar banorët. Pastaj e morën dhe e çuan në Sarandë dhe pastaj në burgun e kalasë së Gjirokastrës, në një qeli me Bule Naipin e cila sapo ishte arrestuar. Më 5 korrik, i bënë hetuesinë dhe e nxorën para trupit gjykues. Atje pranoi se si, partizane, mund të ketë vrarë dhe gjermanë. 4 nga 5 shqiptarët dhe një gjerman të trupit gjykues, kërkuan me të thirrura, dënimin me vdekje. Kur e çuan para trekëmbëshit, ajo kërkoi një krehër për të rregulluar flokët dhe pasi puthi Bulen, hipi në shkallë dhe e shtyu me këmbë stolin e vogël. Nuk priti xhelatin.

GJIROKASTRITJA E BUKUR, "E FEJUARA" E QEMAL STAFËS

Në përgjithësi, në jetëshkrimet e dy heroinave dhe më gjerë, del në pah Bule Naipi. Ajo ishte vajzë nga një familje me ndikim në Gjirokastër. Ishte dhe drejtuese e rëndësishme e Rinisë dhe Gruas Antifashiste. Veprimtaria e saj shtrihej në terren të gjerë, nga Bregu deri në Konispol. Deri dhe në Tiranë kishte shkuar fama e saj. Nuk është e rastit që edhe lideri i Rinisë Antifashiste në rang kombëtar, Qemal Stafa, u strehua në shtëpinë e Bule Naipit, një muaj para vrasjes. Në një çast delikat, kur Bule Naipi, një nga bukuroshet e qytetit provincial, mund të kapej nga agjentë terreni shqiptarë të italianëve, të strehuarin në shtëpinë e vet, Qemal Stafën, e paraqiti si të fejuarin e saj. Por ajo vazhdimisht gjurmohej. Nën gjermanët, në korrik 1944, ajo u kap nga forcat shqiptare-gjermane, teksa po përpiqej të arratisej jashtë qytetit. Kapja e Bule Naipit ishte ngjarje për krerët e regjimit pushtues kolaboracionist të Gjirokastrës, njëkohësisht, shqetësim për nacionalçlirimtarët dhe banorët e qytetit. Asaj iu kërkua të tërhiqej me shkrim nga Lëvizja dhe të dekonspironte shokët. U vu në tortura çnjerëzore, që i bënë kryesisht shqiptarët. Iu bënë oferta. I futën dhe provokatorë. Ndërkaq, sikurse doli më vonë, djali i prefektit Vehip Runa, toger Limozi, pjesëmarrës në tortura dhe për arsye seksuale, u orvat ta përdhunonte. Por një gardian, xhandar shqiptar, i lidhur fshehtas me Lëvizjen, ia behu në qeli, bashkë me një gjerman. Pas pak kohe, disa nga shqiptarët, mes tyre dhe toger Limoz Runa, pjesëmarrës në ekzekutimin e dy heroinave, u kapën nga partizanët dhe u ekzekutuan.

PAS VDEKJA

Për këto dy heroina, ka bërë një kompozim skulpturor mjeshtri, Odhise Paskali. Më vonë një autor anonim, ngriti një monument në gur në sheshin e Çerçizit, sot një atraksion turistik. Grafistja Lumturi Dhrami, ka bërë një gravurë. Por, mbi të gjitha, u xhirua një film, "Ngadhënjim mbi vdekjen", i cili u shfaq në vitin 1967, ku interpretonin yje të skenës dhe ekranit si Naim Frashëri, Antoneta Fishta, Pandi Raidhi, Edi Luarasi, Rikard Ljarja, por edhe Timo Flloko, Andon Qezari (bashkëfshatar i Persefonit) dhe 16-vjeçarja Eglantina Kume në rolin e Mira Koranit (mishërim i Bule Naipit).

DOKUMENTI

SHTETI SHQIPTAR PREFEKTURA E GJIROKASTRES Gjirokastrë, më 22/7/1944 Nr. 92/res

Z.T.

MINISTRISE P. T. MBRENDSHME (Drejtorisë së Korrespodencës) (Z y r ë s P o l i t i k e) T I R A N E

Referohet se, në mëngjesin e datës 17 të vazhduesit, në sheshin publik të këtushëm "Çerçiz Topulli" asht gjetur e varur e quejtura Bule Naipi, vjeç 22, nga lagjja Dunavat e këtij qyteti. E përmendura ka qenë e arratisur dhe, prej disa kohësh, bënte pjesë në çetat anarshiste. Në një informatë që kishte Komanda e Gjindarmëris së këtushme, rezultonte se e përmendura shpesh këthente nga çetat në këtë qytet dhe merrej me shërbime të partisë. Në gjurmimet që iu bënë u-diktua, u-kap dhe u-burgos. Pas disa ditësh, është ekzekutuar. Ky ekzekutim është bërë kryesisht prej Gestapos dhe Komandës Gjindarmëris së këtushme. Kundrejt këtij ekzekutimi, çetat partizane kanë qënë të revoltuara dhe, me sa asht folur, thuhet se sulmi i datës 18 së vazhduesit, të jetë bërë për hakmarrje të së përmendurës. P r e f e k t i (Vehip Runa) Firma vula

Shpërndajeni me miqtë tuaj: