50-vjeçaret, si kanë ndryshuar në dy dekada

50-vjeçaret, si kanë ndryshuar në dy dekada
nga Meri Dishnica

20 vite janë të mjaftueshëm për të realizuar një ndryshim. Ndryshimet ndodhin, nuk mund t’i shmangim, njësoj si rrudhat në fytyrë. Ndryshimet vijnë, të ulen pranë dhe nuk ke rrugë tjetër veçse të mësohesh me to, të mësohesh të pranosh se një rrudhë flet më shumë për përvojat tuaja. Përpos ndryshimit natyral të 20 viteve, femrat shqiptare kanë mbajtur mbi supe edhe 20 vjet tranzicion, një përmbysje të madhe dhe një rifillim të dhimbshëm.

Megjithatë, ato ia kanë dalë. Janë ato gra që duket se kanë gjetur çelësin ta shndërrojnë moshën e mesme në burim energjie dhe dëshirë për jetën. Janë femrat që shohim përditë, nënat tona në përpjekjet delikate për të fshehur moshën nën një sharm të spikatur, me fytyrë dhe trup të kuruar, të lira të zgjedhin veshjet që pëlqejnë (të eksperimentojnë, ndoshta, gjithmonë me karar) dhe mbi të gjitha me konceptim dhe mentalitet të ndryshuar. Megjithatë edhe pa u futur në refleksione të shumta, një fakt është sigurisht i dukshëm, një 50-vjeçare e sotme nuk ngjan kurrsesi me 50-vjeçaret e dikurshme, kurrsesi!

Jo pak herë, kemi dëgjuar togfjalëshin, atëherë të gjithë dukeshin njësoj, të gjithë të barabartë, nën petkun e standartizimit total; duke filluar që nga modeli i flokëve, prerjet e fustaneve, dizenjot e copave dhe pa harruar se duhej respektuar rreptësisht gjatësia e fustanit. Të ishe 50 vjeç në vitet 80, do të thoshte të ishe plakë,  detyrimisht larg ngjyrave të ndezura dhe buzëkuqit. Ishte ajo periudha ku lulëzonte më shumë se kurrë ideja e bukurisë së brendshme, edhe pse jashtë dukeshin si burra. Femra të patrajtuara, që nuk njihnin as parukerinë dhe jo më estetikën,  të veshura me kostume me prerje mashkullore, imagjinoni.  Imazhi i femrës shqiptare të para viteve ’90, është sot makthi i shumë grave që kujtojnë veten të keqardhura.

Në vitin 1953, ndërsa Marilyn Monroe këndonte “Diamonds are the girls best friend”, femrat shqiptare gjykoheshin madje edhe për përdorim buzëkuqi, edhe pse ky i fundit ishte i vetmi që i shoqëronte në betejën e tyre modeste për tu dukur mirë. Betejë të cilën ishin të destinuara ta humbnin, të dështonin në përpjekjet për të shfaqur sado pak feminilitet. Dhe ndërsa theksojmë se buzëkuqi ishte luks, imagjino produktet e tjera, - kujtoj se shampot ishin të rralla, nuk njihej balsami apo kremi i flokëve, nuk rezultonte i njohur asnjë produkt tjetër kozmetik.

Sot?!Ah, sot?! Nuk kam nga t’ia nis, sepse druaj se mos ngatërroj ekzibicionizmin me dëshirën për të provuar. 50-vjeçaret sot duken se janë “në garë” me 35-vjeçaret, dhe pse mos të jenë fundja! Trajtimet rikuperuese janë të pafundme, duke filluar që nga metodat e thjeshta deri tek kirurgjia plastike, - për të mos përmendur mundësinë e eksperimentimit në veshje, edhe pse jo çdo herë me sukses.

E adhuroj mamanë time kur ndryshon modelet e flokëve, kur nxiton të blejë parfumin me myshk të bardhë sa herë i mbaron!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: