7 marsi i luleve dhe dhuratave, tradita që vazhdon

7 marsi i luleve dhe dhuratave, tradita që vazhdon
Vëzhgim/ Lulet janë dhuratat më të shumta që nxënësit dhuruan për mësuesit, por nuk kanë munguar as dhuratat e shtrenjta nga parfumet, çantat, portofolat e deri te fustanet

Sonila Isaku

Dhuratat që nxënësit do t’i blinin mësuesve, duket se kanë qenë shqetësimi i prindërve gjatë ditës së djeshme, por edhe më parë. Qysh në orët e para të mëngjesit, dyqanet e luleve ishin të hapura dhe tejmbushur me njerëz. Ndërkohë, nuk kishin harruar të “mbinin” edhe shitësit ambulantë, të cilët shisnin nga buqetat e luleve e deri tek karafilat apo trëndafilat të paketuar nëpër letra celefoni.

Lulet ishin dhuratat më të zakonshme që nxënësit iu dhuruan mësuesve të tyre në ditën e 7 marsit, si mënyrë për t’u shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën. Por ka edhe nga ata fëmijë që nuk kanë zgjedhur lulet. Shumë prej tyre, mbanin në duar dhurata të ndryshme duke filluar nga portofolat, çantat, bizhuteritë, parfumet apo sete, fustane e deri te zarfet me pará. Por, të gjitha këto kanë qenë dhurata të menduara nga vetë prindërit, pasi askush nga mësuesit nuk ka kërkuar forma të tilla “shpërblimi” dhe kjo pohohet si nga prindërit ashtu dhe nxënësit. “Mësuesja, ditën e hënë, na tha se sot (dje) do të kishim orë të lira dhe nuk pranonte asnjë dhuratë. Ajo na tha se dhurata më e bukur që mund ti bënim, është të sillemi mirë dhe të jemi nxënësit më të mirë dhe të dalluar të shkollës”, - pohon Joni, nxënës i shkollës “4 Dëshmorët”. Po kështu edhe prindërit e tyre pohojnë se gjithçka është organizuar me dëshirën e tyre. “Përkushtimi që mësuesja ka ndaj fëmijës tim, por edhe fëmijëve të tjerë, nuk vlen sa kjo dhurata që bleva sot për të. Mësuesit duhet të ishin kategoria me pagat dhe shpërblimet më të larta. Kjo që ne japim sot, është një vlerësim për punën e tyre dhe jo ryshfet, apo diçka tjetër, - çka mund të konceptohet nga të tjerët”, - ka pohuar Erjona Muço, prind fëmije. Ndërkohë që ka edhe prindër të tjerë, të cilët pohojnë se kanë zgjedhur të dhurojnë vetëm lule. “Dy tufa me lule zgjodha për mësueset e vajzave të mia. Ndoshta kjo është dhurata më ideale që mund të dhuroja për këtë ditë”, - pohon Marsida. Por, ka pasur edhe nga ata prindër të cilët nuk kanë pasur mundësi ekonomike, por edhe kohë fizike për tu përkushtuar për blerjen e dhuratave, ndaj fëmijët e tyre kanë shkuar më një tufë mimozash në dorë.

 

E ndërsa prindërit kanë qenë në stresin se çfarë do të zgjedhin këtë vit për mësuesit e tyre, ka pasur edhe nga ata nxënës të cilët kanë gjetur vetë zgjidhjet duke menduar për dhurata simbolike, ku gjithë klasa të ishte e përfshirë. Kështu kanë qenë nxënësit e mësuese Lidës, të cilët fotografinë e përmbylljes së vitit të kaluar e kanë vendosur në kornizë duke i bërë edhe përpunimet e duhura të saj. Bashkë me këtë fotografi edhe një buqetë me lule, në shenjë mirënjohje për sakrificën që mësuesja e tyre ka përgjatë gjithë vitit.

Duket se festa e 7-marsit, tashmë, ka marrë një traditë e cila vazhdon nga viti në vit, ku ndryshimi i vetëm është sa dhurata apo tufa me lule mori mësuesja.

 

Parukeritë dhe restorantet të bllokuara nga mësueset

Festa e 7 marsit duket se nuk ka qenë vetëm një angazhim për prindërit sa i takon dhuratave që ata duhet të zgjedhin, por edhe për vetë mësuesit. Këta të fundit, prej më shumë se një jave, kanë filluar përgatitjet që nga veshjet e deri te lyerja e flokëve apo bërja e thonjve. Mes humorit, mësueset tregojnë se një javë më parë të gjitha ishin me fokë të palyera, apo pa i krehur, ndërsa sot (dje) të gjitha të kuruara në çdo detaj.

Pas përfundimit të festës me nxënësit, vetë mësueset kanë organizuar drekën mes kolegesh ku kanë uruar njëra-tjetrën në këtë ditë. Restorantet e kryeqytetit përgjatë pasdites së djeshme, përgjithësisht, kanë qenë të zaptuara nga mësueset, ndërsa sot nga gratë të cilat, grupe-grupe, do të festojnë festën e tyre.

 

Koncerte dhe aktivitete për ditën e mësuesit

Nuk harrohet asnjëherë të festohet 7 marsi, Dita e Mësuesit. Nxënësit me tufa lulesh apo dhe dhurata për mësuesit kanë uruar dhe falënderuar edhe këtë vit, ata që i drejtojnë në udhën e dijes, mësuesit e tyre, të cilët, si në asnjë ditë të vitit sot, rrethohen me vëmendjen më të madhe, jo vetëm nga nxënësit. Nuk kanë munguar as prindërit e nxënësve apo gjyshërit, por festa më tepër është zhvilluar brenda shkollave se sa në oborre për shkak të motit me shi. Edhe në rrjetet sociale njerëz të shumtë kanë falënderuar dhe uruar sot mësuesit, duke pohuar misionin fisnik e rëndësinë që ka arsimi për formimin e njeriut, e të një populli.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: