Administrata, pagat e reja sipas kualifikimit

Administrata, pagat e reja sipas kualifikimit
Jeni nëpunës i administratës publike? Tani e tutje duhet t’i kushtoni më shumë vëmendje arsimimit dhe kualifikimit tuaj profesional, pasi në bazë të tij do të ndryshojë edhe paga juaj. Dhe kjo, pasi pagat e reja pas datës 1 mars 2017 në administratën publike, për nëpunësit e saj, do të përllogariten pikërisht bazuar në pagën bazë sipas nivelit të arsimimit: bachelor, master i thjeshtë apo master shkencor.

Një risi kjo, teksa deri më dje paga e nëpunësve të të njëjtit pozicion në administratë publike, por me nivel të ndryshëm arsimimi ka qenë e njëjtë, 11 mijë lekë. Kurse sipas strukturës së re të pagave për nëpunësit civilë të të gjitha niveleve, tashmë e publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, parashikon nivele të ndryshme të këtij treguesi. Konkretisht, sipas saj, parashikohet që vlera e pagës për secilin prej nëpunësve publikë, e përllogaritur duke nisur nga arsimimi do të jetë në këto nivele: Duke nisur nga niveli prej 10 mijë lekësh, për të gjithë ata që figurojnë të diplomuar në nivelin bachelor; 11 mijë lekë për të gjithë të diplomuarit në nivelin master profesional dhe 14 mijë lekë për gjithë të diplomuarit në nivelin e masterit shkencor apo atij të arteve.

Kësaj shifre më tej, do t’i shtohet edhe paga e caktuar sipas pozicionit që nëpunësi mban respektivisht në një institucion publik, apo edhe në një institucion të pavarur. Shtuar kësaj edhe vjetërsinë në punë, e cila është e fiksuar në masën prej 2% në tërësi për të gjitha kategoritë e nëpunësve. Duke dhënë kështu një nivel final të pagës së re, shtuar këtu edhe rritjen e re në nivelin 7-12% , e zyrtarizuar pak ditë më parë prej qeverisë dhe që parashikon përllogaritjen e saj për pagat pas datës 1 mars 2017 për të gjithë punonjësit e administratës publike të vendit tonë.

Më tej, referuar gjithmonë nivelit të kualifikimit, gradës, apo titullit shkencor që një nëpunës publik mban, struktura e re e pagave parashikon që për të gjithë ata kanë titullin “profesor” (nivel zv/ministri), shtesën e pagës do ta kenë 30 mijë lekë në muaj, kurse ata me titullin “profesorë të asociuar” dhe me poste të drejtorit do ta kenë këtë shtesë në nivelin prej 25 mijë lekësh.

Gjithashtu, struktura e re e pagave e zyrtarizuar tashmë parashikon që për titullin “doktor i shkencave”, shtesa do jetë në nivelin prej 20 ose 25 mijë lekësh. Kurse për të gjithë ata nëpunës të administratës së lartë publike që zotërojnë titullin e studimeve “post-master”, shtesa e pagës do të jetë në nivelin prej 20 mijë lekësh.

Sa do të jetë shtesa e pagave sipas

nivelit të kategorive të nëpunësit?

Nga ana tjetër, nëse do t’i referohemi shtesës përkatëse që i bëhet secilës pagë sipas pozicionit të nëpunësit publik, struktura e re e pagave parashikon një nivelim të caktuar sipas kategorive përkatëse të nëpunësve të administratës publike, shtuar secilës edhe shtesën prej 2% të pagës për çdo vit të vjetërsisë në punë.

Konkretisht, shtesa për çdo nëpunës publik të kategorisë së parë a) do të jetë 141.900 lekë. Për të vijuar me shifrën prej 129.800 lekësh për nëpunësit e kategorisë së parë b); 118.100 lekë për punonjësit e kategorisë së dytë a) dhe 100.000 lekë për ata të kategorisë së dytë b). Më tej, për tre nivelet që përfshihen në kategorinë e tretë parashikohet niveli i shtesës së pagës prej 100, 80 dhe 75 mijë lekësh.

Duke përfunduar me listimin e tre niveleve të kategorisë së katërt, që kanë shtesa respektive prej 48 mijë, 39 mijë dhe 29.5 mijë lekësh.

Strukturë e re page

edhe për vendorët

 Struktura e re e pagave parashikon një nivel të ri të tyre edhe për disa nëpunës publikë që kanë pozicione kyçe në administratën vendore në rang vendi. Kështu sipas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare rezulton se Prefekti i Qarkut të Tiranës do ta ketë atë 130.300 lekë, kurse prefekti i qarqeve të tjera në nivelin e 118.300 lekëve. “Nënprefekti i nënprefekturave Kavajë, Lushnjë dhe Sarandë 99.800 lekë dhe nënprefekti i nënprefekturave Krujë, Pogradec, Librazhd, Tepelenë, Përmet, Mat, Pukë, Tropojë dhe Skrapar 92.400 lekë”, citon dokumenti në fjalë. Për të vijuar më tej me faktin se nënprefekti i nënprefekturave Malësi e Madhe, Bulqizë, Peqin, Gramsh, Devoll, Mallakastër, Has, Kuçovë, Mirditë, Delvinë, Kurbin dhe Kolonjë, do paguhet edhe me më pak lekë, vetëm 88.000 të tilla.

Gjithashtu, kjo strukturë e re pagash parashikon që këshilltari i Prefektit të Tiranës të paguhet deri në 69.800 lekë dhe zëdhënësi i tij me 59.300 lekë etj. Duke aplikuar edhe në rastin e administrarës vendore të gjitha rregullat për strukturimin e ri të pagave sipas përllogaritjeve të reja në kuadrin e nivelit të tyre të arsimimit, por në të njëjtën kohë edhe të kualifikimit, apo pozicionit konkret që secili nga këta punonjës mban realisht në to.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: