Administrimi i pallateve, çfarë ndryshon për qytetarët

Administrimi i pallateve, çfarë ndryshon për qytetarët
Qytetarët e Tiranës të cilët jetojnë në pallate, qofshin këto objekte të vjetra të ndërtuara para viteve ’90 apo të ndërtuara së fundmi, janë të detyruar të paguajnë administratorin e pallatit, i cili do të përgjigjet për çdo problematike që haset në mjediset e përbashkëta. Bashkia e Tiranës është institucioni përgjegjës i cili tashmë ka marrë në dorë zbatimin e ligjit për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” të miratuar në muajin prill të vitit 2009. Aktualisht janë organizuar 800 kryesi dhe asamble të cilat kanë marrë vendimin për zgjedhjen e administratorëve të pallateve, por edhe pagesave të cilat duhet të paguajnë banorët.

Admir Abrija, Drejtor për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative në bashkinë e Tiranës tregon për “Albanian Free Press” se nën mbikëqyrjen e bashkisë deri më tani janë ngritur në Tiranë plot 800 Kryesi dhe Asamble të pallateve të cilat kanë përcaktuar tarifat mujore që banorët duhet të paguajnë si dhe kanë zgjedhur administratorin e pallatit. “Deri më tani kemi organizuar 800 asambletë dhe kryesitë e pallateve, kur themi pallate kemi parasysh komplekse të mëdha por edhe grupe më të vogla pallatesh të cilat kanë përcaktuar pagesat mujore, si dhe kanë zgjedhur administratorin. Deri më tani kemi 100 administratorë të certifikuar, ndërsa janë dhe rreth 130 administratorë të tjerë në pritje për tu certifikuar”, - pohon Abrija.

Pagesat

Por sa do të paguajnë banorët për administrimin e pallateve? Pagesat gjithmonë do të jenë në varësi të hyrjeve që ka një pallat, ndërkohë që një administrator mund të marrë nga 8 deri në 10 hyrje pallatesh në administrim. Për pallatet e reja pagesat mesatare kryesisht janë 1000 deri në 1200 lekë në muaj, duke përfshirë këtu mirëmbajtjen e ashensorit, pagesën e pastrueses, pagesën e administratorit si dhe një pagesë për shpenzime për nevoja të pallatit. Kurse për pallatet e vjetra të ndërtuara para viteve ’90 banorët do të paguajnë një shumë prej 400-500 lekë. “Asambleja dhe kryesia e pallatit janë “institucioni” që përcakton pagesën mujore për administrimin e pallatit. Për pallatet e reja kjo pagesë shkon nga 1000-1200 lekë në muaj ku përfshihet pagesa e ashensorit, pagesa e pastrueses së bashku me paketën higjeno-sanitare, pagesa e administratorit si dhe një pjesë për shpenzimet. Ndërkohë për pallatet e ekzistuese, kjo pagesë është më e vogël 400-500 lekë duke përfshirë mirëmbajtjen e shkallës dhe paketën higjeno sanitare. Gjithmonë pagesa ndryshon në varësi të hyrjeve që ka pallati” pohon drejtori Abrija. Sipas tij, për pallatet ku është bërë mbledhja e kryesisë dhe është përcaktuar shuma që paguhet nuk ka rishikim të pagesave, vetëm në rastet kur asambleja dhe kryesia shohin të udhës të marrin vendime të tilla.

Pallatet e vjetra

E ndërsa pallatet e reja duket si janë të parët që kanë zbatuar ligjin, problematika më e madhe është hasur në pallatet ekzistuese. Por, drejtori i Njësive Administrative në bashkinë e Tiranës, Admir Abrija thotë se procesi i mbledhjes së asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të pallateve është përkrahur në masë edhe nga banorët e pallateve ekzistuese. “Zbatimi i ligjit për vendosjen e administratorëve është mirëpritur edhe nga këta banorë. Duke qenë se janë pallate pa ashensor shpenzimet bazike janë më të thjeshta, me tarifa të ulëta sepse janë banorët ata që përcaktojnë tarifën te 400 lekë ose 500 lek të reja. Interesimi më i madh ka qenë nga ato pallatet me tulla të cilët nuk kanë një termoizolim të mirë dhe kanë nevojë për ndërhyrje në fasadë”, - pohon Abrija. Por, edhe vetë banorët e këtyre pallateve pohojnë se vendosja e një administratori do të ishte procesi i duhur. “Unë banoj tek zona e Medresesë tek këto pallatet e vjetra dhe jam shumë dakord për vendosjen e një administratori. Ashtu sikundër mbajmë bukur banesat tona, pse të mos jetë edhe hyrja apo i gjithë pallati” pohon Petrit Bejko ndërsa tregon pallatin e tij i cili ka mungesë të fasadës. Por duket se edhe për këtë pjesë bashkia e Tiranës e ka gjetur një zgjidhje duke venë në dispozicion një fond ku administratorët e pallateve mund të aplikojnë për përfitimin e një buxheti për kryerjen e fasadave të reja. Sipas procedurës së përcaktuar, bërja e fasadave të reja do të jetë një pagesë e përbashkët mes banorëve të pallatit dhe bashkisë së Tiranës. Administratorët do të paraqesin projektin, ku 50% e fondit do të financohet nga bashkia e Tiranës dhe 50% nga banorët e pallateve.

Pagesa e administratorit

Sa do të paguhet një administrator? Në administrimin e procesit që po kryen bashkia e Tiranës një nga pikat që diskutohet është edhe pagesa e administratorit. Sipas Drejtorit për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësive Administrative në bashkinë e Tiranës kjo pagesë nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: