Ahmet Golemi: Pyetja e Dritëroit që nxiti ftohjen me Kadarenë

Ahmet Golemi: Pyetja e Dritëroit që nxiti ftohjen me Kadarenë
INTERVISTA/ Flet shkrimtari dhe ish-kampioni i boksit. Kush qëndronte pas kritikave për shkrimtarin nga Gjirokastra dhe momentet kur e pa veten më ngushtë

Albert Z. ZHOLI

Me Ahmet Golemin më ka lidhur krijimtaria, por më shumë kujtimet e tij. Ai është një bibliotekë e pa zbuluar dhe pse si pasion ka pasur boksin. Transmetimet e tij në televizion në ndeshjet ndërkombëtare të boksit profesionist të mbajnë të përqendruar para ekranit.  Kur bisedon flet qetë, me fjalë të plota, të ndara, që ke qejf ta dëgjosh. Në çdo bisedë është i qeshur dhe kurrë nuk zemërohet. Ish-i dënuar politik, ai nuk vuan nga kompleksi i hakmarrjes, përkundrazi. Nga shumë biseda që kam zhvilluar me të, biseda e fundit ka të bëjë me dy personalitetet më të mëdha të letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin.

Nga biseda e zhvilluar, por edhe nga kujtimet e shumë shokëve të tij, kam mësuar se  në vitet e pjekurisë letrare, Ahmeti ishte një nga shokët më të afërm të Kadaresë.  Por ajo që është për t’u shënuar dhe ndoshta më e pabesueshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, është se Kadareja ishte ndër të rrallët  që e ka takuar dhe e ka përkrahur kur ai ka dalë nga burgu. Madje, i ka dhënë kurajë kur disa të quajtur miq shmangeshin ta takonin, ndërsa Kadareja e ka përqafuar miqësisht në sy të ministres Tefta Cami, e cila është befasuar.

Lidhja e tyre tregohet qartë edhe në përcaktimin e titullit të romanit "Fundi i dorezave të zeza" që ia ka rekomanduar Kadareja. Po kaq lidhje kishte dhe me Agollin, i cili kur doli nga burgu ndali dhe i tha: Nuk ta kemi hequr emrin nga Lidhja e Shkrimtarëve.

Miqësia me këta dy korifej është shumë interesante, por në fund Ahmeti, nuk i shpëton dot simpatisë së madhe që ka për Kadarenë duke e quajtur Everest të letrave shqipe.

 

Kohët e fundit po bëhen shumë zhurmë për figurën e Agollit, miqësinë me Kadarenë dhe qëndrimet e tyre në regjimin komunist. Ju ishit anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i keni njohur të dy...

Vërtet, shoh se po bëhet një zhurmë e madhe në lidhje me Dritëroin dhe me Kadarenë. Disa hedhin baltë për Dritëroin se gjoja ka dënuar shkrimtarë, disa të tjerë akuzojnë Kadarenë se ka qenë shkrimtar oborri. Dhe kjo akuzë ka bërë që ai sot të mos marrë çmimin Nobel. Unë i kam njohur nga afër të dy këta kolosë, por di të them se me Kadarenë kam qenë shumë i afërt.

Kjo lidhje me Kadarenë ka filluar në vitin 1963 kur unë kam botuar poezinë e pare dhe më vonë tregimin e parë në gazetën "Drita". Mund të them se  ne njiheshim më parë: ai si shkrimtar, unë si një boksier i njohur; të dy gjirokastrite. Kishte dhe diçka interesante: ai ishte i dhënë shumë pas boksit, sepse në rini të tij ka qenë në rrethin e boksit në Gjirokastër, ndërsa unë si boksier isha shumë i lidhur më letërsinë. Kjo miqësi kishte rënë shumë në sy në atë kohë, aq sa poeti Koçi Petriti më thoshte: Vetëm ti mund t'ja bësh monografinë Ismail Kadaresë.

Kur e keni takuar së fundmi Kadarenë?

Nuk ka veçse pak kohë kur më mori në telefon botuesi Bujar Hudhri dhe më tha se donte të pinte një kafe me mua Kadareja tek "Juvenilja" . Kisha disa kohë që nuk  kisha takuar. Shkova me shumë dëshirë. Në këtë takim folëm për shumë gjëra por në fund Bujari më tha se: Ti ke shumë kujtime për Ismailin, ndaj të lutem hidhi në letër që ti botojmë.  I thashë po, do ulem. Kur u ndava i them Bujarit ti je njeriu më i lumtur që ke botuar të gjitha veprat por dhe që rri pranë këtij gjeniu. E takova sërish pas disa ditëve. Këto dy takimet e fundit me të ishin  takimet nga më të bukurat e jetës time.

Si janë  në sytë tuaj këta dy kolosë të letrave shqipe?

Në sytë e mi janë të dy të mëdhenj, por Kadare është, një majë më e lartë. Këtu flas në sensin e krijimtarisë. Kadare ka arritur Everestin. Të dy janë të mëdhenj, janë gjenialë por me disa karakteristika...Agolli ishte pak tip flegmatik. Shumë i  talentuar, që kishte privilegje por dhe shumë  popullor. Ndërsa Kadare është tip sanguin. Në dukje duket paksa si i përhumbur, por përbrenda ka shumë perceptime. Nën syzet e tij me dy lloj xhamash, percepton dhe thith shumë. Merr, akumulon, zhbiron, sodit, përcjell, depërton. Është një tip shumë interesant brenda natyrës së tij. Luante shah në klubin e Lidhjes dhe kur e shikoja ashtu mendoja çfarë ka ky njeri që është kaq i jashtëzakonshëm, ndryshe nga ne të tjerët?

Kadare dhe Agolli ishin shokë të mirë dhe krijues të rrallë. Ftohja nisi kur Dritëroin e emëruan Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Dritëroit ja donte puna që të kërkonte dhe llogari, pasi ishte një komunist  i pozicionuar, ndërsa Kadareja, ishte emëruar nënkryetar i Frontit Demokratik dhe nuk qe aktiv në punët e partisë.  Madje, nuk e kishte shumë qejf anëtarësimin në parti, pasi edhe stazhin e bëri në gjirin e klasës punëtore, ku ata ndiheshin të lumtur që e kishin  në gjirin e tyre. Agolli ishte shpirt njeriu, babaxhan, ulej këmbëkryq me këdo, pinte me këdo, ishte pijetar i zellshëm, ja merrte këngës me njerëzit e krahinës së tij dhe ishte një komunist i mirë. Por duhet ta dini se, ai komunizmin nuk e shikonte si e shikonin në tërësi komunistët,  ai e shikonte ndryshe, siç ishte, jo si thuhej. Ai  ishte një komunist bohem. Por "gabimi" tij ishte se duke qenë komunist pinte kur statuti i partisë nuk i donte njerëz të tillë (qesh). Ismaili hyri në parti i dyzuar, ndoshta ngaqë kundërvënia do krijonte mëdyshje ose diskutime.

Si erdhi ndarja e madhe mes dy korifenjve? Ka shumë hamendësi, shumë variante, por ju që ishit mik i ngushtë me Kadarenë si keni perceptuar?

Mendoj  dhe besoj qe "goditja" që mori Kadareja në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ndodhi edhe nga një pyetje e kryetarit Agolli. Kjo solli prishjen e madhe. Por që kjo "kritikë" në fakt ishte e imponuar nga dyzimet, dilemat, alibitë, kundërvëniet, që krijoi tek anëtarët e Plenumit, (kuptohet që ishin shkrimtarë, piktorë, artistë) romani i sapo botuar i Kadaresë "Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave".

Më ka mbetur në mendje pyetja e drejtpërdrejtë që Dritëroi i drejtoi Ismailit: Ç’ke dashur të thuash me fabulën e romanit? Dhe të tjerët: Mos bën analogji Sulltanatin me Sigurimin e Shtetit? Kjo gjendje Ismailin e vuri në pozitë të vështirë.

Do bëj një parantezë: Gjatë kohës së hetuesisë në orën një të natës, dy hetues më kanë thirrur madje më kanë futur në dhomë me pranga (jashtë rregullit) dhe pyetja kryesore ishte: Na fol për atë mikun tënd shkrimtarin e njohur (nuk ma përmendën emrin e Kadaresë)?. Ngurrova dhe shtrëngova dhëmbët. Njëri rrinte ulur ndërsa tjetri në këmbë pranë meje më goditi me gju poshtë barkut dhe më pështyu kur u bind se unë nuk do t’ja plotësoja kureshtjen dhe nuhata që ishte paksa i pirë. Gjatë këtyre minutave, ngaqë ngulmonin shumë, munda t'ju them: E kuptoj, doni kokën e tij në tavë, por nga unë mos prisni gjë!

Këtu filloi ndarja Agolli-Kadare... Romani  "Pallati i ëndrrave" e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme. Aty dalin me të gjitha cilësitë dhe mangësitë, intrigat,  nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij, por në fakt indirekt ishte sistemi që ai jetonte vetë.

Karakteri shumëkohësh i " Pallatit të Ëndrrave", përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigante të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor. Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Kjo vepër ishte një grusht i rëndë për burokracinë e shtetit të saj kohe. Të gjithë krijuesit e nënkuptonin fabulën e romanit ndaj dhe trembeshin.

E parë nga koha e sotme, mendoj se Agolli ishte i detyruar ta bënte atë pyetje, pasi ja diktonte pozicioni, ja diktonte vendi punës, tesera e partisë. Çdo gjë duhet vënë në kohë. Kjo mbetet për mua thyerja e madhe ku Isamili desh u bë “kokë turku” për paranojën e diktatorit. Ndërkohë që, shumëkush e dinte që paranoja e Enverit për të zbuluar armiqtë e partisë dhe të shtetit  vinin nga letrat anonime që, edhe pse të ndaluara me ligj, ai u bënte thirrje hapur shqiptarëve që, për çdo dyshim që kishin për njerëz në çfarëdo posti të lartë, t'ja bënin të ditur nëpërmjet denoncimit me letra të futura në zarf...

E keni parë ndonjëherë të stresuar apo në gjendje të vështirë Ismailin?

Kur Ismaili e kishte shtëpinë në hyrje të Pazarit të Ri, te pallati me kolona, sapo kishte botuar romanin "Dimri i vetmisë së madhe". Një roman epik, që u përpi nga lexuesit por që ngriti shumë dilema. Ajo çka i zemëroi komunistët fanatikë, fillonte qysh me titullin, çka nënkuptonte se RPSH ishte një vend tërësisht i izoluar nga bota mbarë. Ky ishte një realitet, por fanatikët dhe të tjerë që u vinin pas kishin parasysh se PPSH i dilnin në krah partitë e tjera m-l në botë, si kundërvënie të dy superfuqive që dëshironin që ky vend të mbetej si peshku pa ujë.

I hodhi benzinë zjarrit shkrimi i parë që u botua në gazetën "Zëri Rinisë", (që ishte ndër më të lexuarat) nga inxhinieri Eduart Shalsi me të cilin u hap fushata kundër Ismailit. Pas këtij artikulli ai u bë objekt i sulmeve të cmirëzive dhe pritej që Ismaili ta pësonte keq. Vetë, kohët e fundit Ismaili e ka pohuar që nga Enver Hoxha mund ta shpëtonte vetë Enver Hoxha. Thënie kjo mbështetur në shkuarjen e Enver Hoxhës në Kombinatin Metalurgjik Elbasan, ku midis kuadrove  drejtuese të partisë dhe të klasës punëtore midis të tjerave shtroi dhe pyetjen: Po për romanin e Kadaresë "Dimri i vetmisë së madhe çfarë mendimi keni?

Shumë nga të pranishmit mbështetën kritikat e thëna në gazetën "Zëri Rinisë" dhe këtij mendimi ju bashkëngjit edhe fjala e Drejtorit të Kombinatit, anëtarit të Byrosë Politike Hajredin Çeliku. Ahere Enveri  me "zgjuarsinë" e tij u tha: Po kapitujt që flasin për mbledhjen e Moskës ku jam dhe unë personazhi kryesor?- pyetje e cila u zgjerua dhe më tej nga vetë udhëheqësi i partisë dhe që i vuri kapakun hamendësive  dhe gjithë debatit. Në ato ditë unë trokita tek Ismaili për t’i çuar me autograf librin me tregime. Çuditërisht, Ismaili hapi derën dhe ashtu i parruar siç ishte, me pizhame (çka tregonte se nuk kishte dalë ditë të tëra nga shtëpia), për habinë time tek dera më pa në dritë të syrit dhe duke ditur që unë isha kryetar i rrethit letrar tek Pallati Kulturës “Ali Kelmendi” pyeti: Po për romanin tim çfarë thonë? I thashë që është mirëpritur shumë mirë nga letrarët e rinj dhe madje Roland Gjoza është shprehur se ky roman duhet të marrë çmimin Nobel. Vonë u mësua se kritika kundër Kadaresë ishte iniciuar nga kryeredaktori Miço Verli, kurse në fakt, në krye të kësaj fushate ishte indirekt Ramiz Alia.

 

Cilat nga krijimet e tjera të Kadaresë kanë krijuar problem gjatë botimit?

Së pari ka qenë novela "Përbindëshi"  botuar në revistën "Nëntori". Nga çfarë kisha mësuar, redaktori, shkrimtari i njohur Sterjo Spasse, dy herë ja kishte krasitur për ta bërë të botueshme që Kadare të mos kishte andralla. Por botimi nxori në pah dobësinë ideologjike kur në qendër ishte fabula që revizionizmi nuk goditet nga disa shishe birre që studentët i hodhën mbi një  objekt të dyshimtë  si kontenier duke hamendësuar që aty brenda ishin fshehur diversantët.

Goditja e dytë  erdhi pas botimit në gazetën "Drita" të tregimit "Mina".

Goditja e radhës erdhi nga botimi po në revistën "Nëntori" të novelës "Provokacioni". Një fabul që kishte të bënte me postën kufitare në rrethin e Korçës përballë postës kufitare të Greqisë. Ishte nata e Vitit të Ri, një dimër i acartë. Në postën përballë ushtarët grekë po festonin duke pirë në mënyrë të hapur duke provokuar ushtarët tanë me festim modest. Me ushtarët grekë ishin dhe tre femra studente greke për t’u treguar rojeve që nuk jemi të vetmuar. Në një atmosferë të ndezur provokuese këndonin  dhe ata nga qejfi shkrepën dhe armë në drejtim të postës tonë. Përgjigja ishte e menjëhershme dhe si rezultat njëra nga studentet që kishte ardhur për festë për shoqëri, u plagos. U ngrit një flamur i bardhë çka tregonte që na ndihmoni në dobi të shëndetit, pasi ushtarët grek e dinin se posta jonë kishte dhe infermier.

Gabimi i parë (që u hodh në diskutim) ishte një kompromis i heshtur dhe e plagosura erdhi në kapanonin e ushtarëve tanë. Ndodhi që komandanti i postës kishte shkuar pranë familjes për vit të ti. E dyta nga dëbora e madhe ishte ndërprerë lidhja telefonike me qendrën për të njoftuar ç'po ndodhte (pasi u shkrepën armë). Posta ishte e izoluar dhe me qendrën nuk lidhej. Studentja gjatë kohës që qëndroi tek reparti ynë u shërua dhe shkoi tek posta e ushtarëve grekë, por problemi ideor  që u ngrit nga kritizerët ishte që si mundët që posta të shkëpuste çdo lloj lidhje me qendrën.

Pra kjo novelë binte ndesh me parimet tona, me korrektesën tonë, me sigurinë tonë, me disiplinën  tonë. U kritikua shumë.

Jehona e novelës "Provokacioni" u shua, ndërkohë që Kadaresë ju faturua dhe një gabim tjetër ideor.

Por ajo çka Kadarenë e dogji më shumë ishte poema "Pashallarët e kuq" që u bë gati për t’u botuar në gazetën "Drita" (të shtunën në darkë për të dielën) por që vigjilenca e komunistëve të shtypshkronjës "Zëri Popullit" ndërkaq e bëri problem më lart dhe ajo u ndalua. U hoq nga botimi. Ndërkohë që Kadareja me këtë poemë donte të godiste burokracinë, nënkuptohej në bazë, që pashallarët e kuq (burokratët) i kemi në ndërtesën e KQPPSH. Ishte rasti i parë kur Enver Hoxha e pa Kadarenë si një person të përkëdhelur nga partia dhe pushteti dhe që donte  t’i vinte stërkëmbësin unitetit parti-popull. Pasojat? Kadareja shkoi për t’u riedukuar në një kooperativë në rrethin e Beratit.

Një "shthurje ideologjike" (në fakt e vërteta e hidhur) e Kadaresë  kishte ardhur  nga që lexonte letërsinë e disidentëve rusë. Ndikimi prej tyre ishte një shtysë që shkrimtari yshtej për të trajtuar në letërsinë tonë, me tema, konflikte, fabula mbresëlënëse të veçanta, që për to kishte bërë autokritikë (pas jehonës së "Pashallarëve të kuq")  në Lidhjen e Shkrimtarëve në prani të redaktorëve të gazetës "Drita" dhe revistës "Nëntori".

Tek poema, indirekt kritikohej apo shigjetoheshin udhëheqësit e Byrosë politike. Kjo vinte pasi Ismaili lexonte shumë disidentët rusë. Mbase ishte ndikimi i tyre. Në bibliotekën e tij kisha parë disa libra të tillë që më vonë ai i fshehu.

Çfarë të bënte përshtypje tek Kadareja?

Kadare nuk ishte njeri i zyrave të luksit, thashethemeve apo i zymtësisë. Ai zhytej në detin e krijimtarisë dhe nuk donte as makinë, as kushte zyrash që të rrinte. Ai çdo moment donte vetëm të krijonte. Nga natyra Kadare ishte shumë i ftohtë, cerebral. Ata që e donin, i respektonte shumë.

Për mendimin tim dobësia e vetme e Kadaresë ishte që ngulmonte të mbronte krijimtarinë e tij kur ishte e diskutueshme deri në kokëfortësi. Mbaj mend që, një ditë, duke drekuar me të në restorantin "Vollga" vjen Nasho Jorgaqi. Në atë kohë ishte redaktor në shtëpinë botuese Naim Frashëri pranë stabilimentit "Mihal Duri". Në bisedë e sipër i thotë se romani "Gjenerali ushtrisë së vdekur" sërish është vënë në diskutim për t’u botuar, ngaqë  redaktoja përkatëse, Donika Omari ngulte këmbë që të redaktohej episodi kur plaka Nicë zbulon kolonelin të cilin e kishte vrarë me sëpatë dhe e kishte varrosur në oborr.

Ismaili u prek, nuk i erdhi mirë, duke pasur parasysh se ai ishte një nga kulmet  e dramacitetit dhe urrejtjes që kishte populli shqiptar ndaj pushtuesve italian. Në anën tjetër, për lexuesit shqiptarë, një skenë e tillë ishte tejet makabre, çka do të tregonte që shqiptari (akoma me keq një femër) është tejet mizore. Por romani u botua ashtu siç e dëshironte Kadareja.

Po kur shkove në burg a mbajte lidhjet me Kadarenë?

Nuk kisha si t’i mbaja. Nuk mundesha sikur dhe ai të donte unë nuk mund ta pranoja këtë sakrificë.

(Vijon)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: