Baba Mondi: Na kanë persekutuar, por sërish predikojmë paqe

Baba Mondi: Na kanë persekutuar, por sërish predikojmë paqe
Nesër është dita e sulltan Novruzit, një ditë e shenjtë për bektashinjtë në mbarë botën. Po çfarë përfaqëson kjo festë e pranverës? Shpjegimin e bën Edmond Brahimaj, kryegjyshi që tashmë njihet si Baba Mondi. Ai shpjegon edhe të veçantën e një tarikati që ka tradita të ngjashme, por edhe të ndryshme nga myslimanët e tjerë. Ai flet edhe për tolerancën dhe dëshirën për paqe që karakterizon këtë tarikat, me gjithë persekutimet që ka pësuar në vite

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Baba Mondi, çfarë përfaqëson dita e Sulltan Novruzit për bektashinjtë?

Sulltan Novruz do të thotë ditë e re. Çdo gjë gjallërohet, çelin lulet, bimët dhe çdo gjë që buron nga toka. Edhe gjaku fillon përtërihet. Kjo ditë shënon ekuinoksin e pranverës dhe pas kësaj, dita fillon t’i marrë natës. Por kjo ditë ka edhe një simbolikë të veçantë. Në këtë ditë ka lindur në Qabé, Imami Ali, që edhe vetë Profeti Muhamed e ka cilësuar si prijësi i shenjtorëve.

Aliu ishte krahu i djathtë i Profetit, një luftëtar që mbrojti fenë islame dhe njëkohësisht një nga dijetarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ka 110 thënie të Profetit Muhamed për Imamin Ali, një këngë të titulluar “Mevludi Ali” dhe një lutje.

Dita e Sulltan Novruzit simbolizon pajtimin dhe paqen mbarënjerëzore. Në këtë ditë, ne falënderojmë Zotin dhe ata që punojnë për të mirën e njerëzimit dhe mallkojmë ata që kryejnë vepra djallëzore dhe sjellin shkatërrim.

Si festohet në këtë ditë?

Është traditë që besimtarët të ndërrojnë veshjen në këtë ditë dhe të vishen me rroba pranverore. Ata vijnë të luten në teqe pa gdhirë, marrin urimin, bekimin dhe pastaj drekojnë në shtëpitë e tyre me gatime tradicionale. Në këtë ditë nuk mund të mungojë sultjashi, pasi qumështi është simboli i jetës dhe vazhdimësisë së saj, ashtu si qumështi i nënës që na ka rritur. Ka disa lutje të veçanta në këtë ditë të shenjtë. Më pas mund të vijnë për vizitë në teqe.

Ku dallon një bektashi nga një mysliman?

Besimtarët islamë mund të jenë sunitë apo shiitë. Këta të fundit ndahen në Imamije dhe Zejdie. Nga Imamijet kanë rrjedhur alevitët të cilët ndahen në katër grupime, njëri prej të cilëve janë bektashinjtë.

Bektashinjtë priren të nderojnë përveç Profetit Muhamed, edhe familjen Profetike, pra: Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysenin. Besimtarët vijnë në teqe për t’u falur kur kanë dëshirë dhe jo kur përcakton kleriku.

Në çfarë numri arrin tarikati i bektashinjve në Shqipëri?

Shifra të sakta nuk ka. Një regjistrim i popullsisë i bërë nga shteti, disa vite më parë, na nxori me 2,6% të popullsisë, por është një regjistrim që ne e kemi kundërshtuar si totalisht të pasaktë. Ne llogarisim të jemi rreth 45% e popullsisë dhe për këtë kemi nisur vetë të bëjmë një evidentim të besimtarëve.

Sa i përhapur është ky tarikat në botë?

Jemi të shtrirë në 31 shtete të botës. Ka në Amerikë, Kanada, Australi, Gjermani, Holandë, Britani të Madhe, Turqi, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Bullgari, Rumani, Greqi, Hungari, Iran etj.

Në të gjithë këta shtete është i njohur statusi i Kryegjyshatës Botërore?

Po, është një status i njohur në mbarë botën, madje, edhe atje ku nuk ka bektashinj. Ka një ligj: Ku është kryegjyshi, është Kryegjyshata. Dhe Kryegjyshata Botërore është e vendosur në Tiranë që nga viti 1929, kur Ataturku, i cili ishte vetë bektashi, mbylli teqetë. Pasi humbi gjyqin që zgjati 5 vjet, kryegjyshi i atëhershëm, Salih Niazi Dede, i cili ishte me origjinë shqiptare, erdhi në Shqipëri. Kongresi i atij viti vendosi që selia e Kryegjyshatës Botërore të vendosej në Tiranë dhe kështu ka mbetur. Edhe komunitetet e tjera fetare na njohin zyrtarisht. Mjafton të përmend këtu vizitat zyrtare në Vatikan dhe takimet me Papën e Romës.

Ne njohim Naim Frashërin, si simbol të bektashizmit në Shqipëri. Po cilët janë bektashinj të tjerë të shquar?

Janë shumica e njerëzve që kanë bërë historinë, duke filluar me Skënderbeun. Jeniçerët ishin bektashinj dhe atje edhe Skënderbeu u konvertua. Më pas mund të përmend Ali Pashë Tepelenën. Ju thoni Naimi, por unë do të them se bektashinj ishin gjithë Frashërllinjtë, madje edhe Faik Konica. Mehmet Aliu, shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore në Egjipt, ishte bektashi. Të mos harrojmë, Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun!

Kur lindi bektashizmi dhe si erdhi në Shqipëri?

Fillesat janë në vitin 1281, nga kleriku me origjinë perse, Haxhi Bektash Veliu. Më 1282, u ndërtua teqeja e parë në botë. Në Shqipëri e solli Sari Sëlltiku, më 1330. Aktualisht, numërohen 170 teqe në Shqipëri, ndërsa në gjithë trojet shqiptare janë tetë gjyshata: Ato të Krujës, Elbasanit, Korçës, Skraparit, Vlorës, Gjirokastrës, Kosovës dhe Tetovës.

A ka patur ky tarikat martirët e tij?

Bektashizmi shquhet për tolerancën ndaj çdo besimi tjetër dhe respekton të gjithë njerëzit, pa dallim feje, ideje, race, ngjyre apo etnie. Por, shpeshherë, është bërë “shënjestër” nga ata që nuk i kanë pranuar këto cilësi tolerance. Mjafton të përmend mbi 1 milion bektashinj të vrarë në Perandorinë Osmane, në vitin 1826 nga Sulltan Mahmudi II. Kjo ka qenë një ndër periudhat më të tmerrshme për tarikatin. Ndërsa në Shqipëri numërohen 57 martirë në kohën e komunizmit, njerëz që u vranë për të ruajtur ritet e shenjta, ndërsa shumë të tjerë u burgosën.

Por pavarësisht këtyre persekutimeve, bektashinjtë mbeten një tarikat paqedashës. Të tillë kanë qenë që nga koha e Skënderbeut, i cili mbrojti paqen në Ballkan. Edhe Haxhi Dede Reshat Bardhi ka dhënë në vazhdimësi mesazhe paqeje. Mjafton të kujtojmë se në sulmin terrorist të 11 shtatorit, ai lëshoi mesazhin e parë kundër ekstremizmit. Prania jonë me mesazhe paqeje ishte edhe në Paris, pas sulmeve terroriste, së bashku me drejtues të tjerë të komuniteteve fetare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: