Enada Vaso: Vitet nën drejtimin e Ilir Kernit, ishin një ëndërr e keqe

Enada Vaso: Vitet nën drejtimin e Ilir Kernit, ishin një ëndërr e keqe
 

Enada Hoxha Vaso është balerinë e parë prej vitit '95, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit . Gjatë këtyre 2 viteve karrierë, ajo së bashku me Gerti Vason, bashkëshort i saj dhe partner skenik, kanë interpretuar mbi 30 role solistike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 2001, vlerësohen si "Ambasadorë të Kombit" nga Presidenti Rexhep Mejdan; në vitin 2005, nderohen si “Balerinë të Vitit ” nga Akademia “KULT”; në të njëjtin vit, Enada Hoxha nderohet në Kanë (Francë) si “Etoile del balletë, 2000”, gjithashtu vlerësohet si “Interpretuesja më e mirë” nga Shoqata “Tirana” .

Koreografë dhe balerinë të parë në “10 Comandamenti”, “Katedralja e Parisit”, “Romeo dhe Xhulieta”, “Çikago”, “Moulin Rouge” etj.

Si koreografë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ato kanë realizuar operën “Një jetë me stuhi” , musical “Kiss me Kate”, operën “Aida”, Baleti “Dhimbje dhe Dashuri” , baletin “ La Traviata” , baletin “ Historia e një kënge” dhe koreografi të shumta të ndryshme në festivalet dhe shfaqjet më të rëndësishme në vendin tonë.

intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Enada Vaso i ka kaluar 22 vite mbi puante. Kur e njoha ishte një vajzë e imët, e brishtë, me qerpikë të gjatë dhe gërshet. Dallonte që atëherë për elegancë dhe figurë skenike të jashtëzakonshme. Më pas, u duk qartë që për skenën shqiptare të baletit klasik, është një Carla Fracci e kohëve moderne. E lamë të takohemi për intervistën në kafen e Operës, në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës. Një ditë me diell në një kafe historike për artistët e Tiranës, që do të jetë edhe për pak kohë në punë. Shpejt kjo godinë që është një shtëpi e dytë për Enadën, do të mbarojë procesin e boshatisjes dhe do të rindërtohet, duke u kthyer, siç thonë projektuesit dhe drejtuesit, në një objekt multifunksional modern të artit.

E prisja të vinte dhe nuk e njoha. E veshur sport, me pantallona stil ushtarak, me flokët e shkurtër, pa make up, mu duk si një vajzë e re që po nxitonte për në universitet. U ulëm dhe duke pirë një çaj, e shikoja të përshëndeste kolegët. Tashmë, ajo është në një pozicion të ri, si Drejtoreshë e Trupës së Baletit, e kolegët e saj të dikurshëm tani, në një farë mënyre, janë vartës e kjo nuk është e lehtë për një artist. Ndaj bëhem kureshtare dhe e pyes, menjëherë, për këtë.

AFP: Enada, nga një primabalerinë, tani je një Drejtoreshë e Trupës së Baletit; të shkon për shtat ky rol? Si janë raportet tani me kolegët?

Mu besua ky rol nga Drejtuesja e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe për mua është respekt, vlerësim për punën time. E prita me kënaqësi, por me shumë emocione, në kontrast me njëra-tjetrën. Nga njëra anë do të jap kontributin tim në ripërtëritjen e trupës së baletit, me të gjithë forcën e përvojës time. Nga ana tjetër, kam një pasion dhe vetëm një. Jam balerinë soliste dhe dua të jem mbi puante. Ka qenë dhe është ëndrra ime, dëshira ime më e madhe. Vitet nuk e kanë ndryshuar këtë dëshirë. Unë jam e lumtur, vetëm kur kërcej. Vetëm aty jam vetvetja. Është normale që nuk mund të jem në skenë shpesh, por në mundësinë e parë, sigurisht nëse zgjidhem, dua të jem në skenë si balerinë. Zana Çela, drejtuesja, ma njeh këtë pasion, por më fton gjithmonë të jem e qetë e të jap kontribut; e unë këtë e vlerësoj shumë.

AFP: Unë e kam ndjekur nga larg atë që u kthye gati në një telenovelë. Pati disa vite, u fol shumë edhe në shtyp, kur ti vetë, por edhe Gerti, - partneri yt në jetë e në skenë, - u vutë në një pozicion të vështirë dhe gati u larguat nga trupa e baletit. Sot je më e qetë. Janë stabilizuar situatat?

Ah, e dashur. Sot jam zgjuar nga një ëndërr e keqe. Kanë qenë vitet më të vështira në jetën time profesionale. Nga sot nesër u ndjeva e parespektuar, e gjithë puna ime, puna jonë u hodh poshtë. Pati një përbuzje të habitshme. Në teatër u krijua për të gjithë një situatë stresi e jashtëzakonshme, një terror mund ta quaj. Ne artistët mbi të gjitha, kemi një ndjeshmëri të madhe mbi dukuritë dhe respektin njerëzor. Artisti duhet të punojë i qetë. Ai është krijues. Ato vite nën drejtimin e Ilir Kernit ishin një ëndërr e keqe, e përsëris. E kur e gjithë kjo trysni të vjen nga një ish -  balerin, është edhe më e shëmtuar. I gjithë Teatri i Operas, në atë kohë, kaloi një fazë të shëmtuar, por veçanërisht ndaj meje dhe Gertit, dyshes kryesore të baletit, u ndërmor prej tij një trysni, presion, sjellje e paprecedentë, që na bëri gati të largoheshim. Jam ndjerë vërtetë shumë keq dhe kam mbrojtur dinjitetin tim prej artisteje, me të gjithë forcën. Por shpirtërisht, ajo situatë më vrau shumë.

 

 

 

 

AFP: Mban mend ndonjë situatë të veçantë në ato kohë?

Mbaj mend që çdo ditë pune ishte ngarkesë emocionesh të forta. U krijua një situatë që më kujtoi sistemin e shkuar. Ku ruheshim, spiunoheshim, quheshim të “vjetër” për të kërcyer, ofendoheshim, ironizoheshim, anashkaloheshim. Ndërkohë baletmaestër apo producentë të huaj që vinin, më shihnin të kërceja, apo pranoja të bëja edhe audiencë e të konkurroja sërish, më thoshin hapur që vleja shumë, e ndërkohë në sekondën e fundit nuk merrja asnjë pjesë, e më thuhej haptazi nga të huajt (sepse ata nuk dinë të shtiren) që ishte Drejtuesi i institucionit që ngulte këmbë që as unë dhe as Gerti të mos kërcenim. Ka qenë një kohë që nuk dua të ndodhë për asnjë artist, asnjëherë!

Mbaj mend që jam nisur për në Mexhugorje, në një vend të shenjtë. Unë besoj shumë. Por edhe me ndjeshmërinë e një artisteje, kisha nevojë për një dritë, një afërsi me Zotin, që të çliroja shpirtin e ngarkuar. U nisa bashkë me disa shoqe. Dhe tek ecnim në pelegrinazh, në mes të shkëmbinjve të thepisur, nuk e harroj figurën e një zonje të moshuar. E pashë disa herë. Më kërkoi ujë edhe pse kishte ujë me vete. Figurën e asaj të zonje të vjetër, nuk do ta harroj kurrë! Ishte për mua si një bekim. U luta shumë në atë udhëtim pelegrinazhi. U luta për njerëzit e mi të dashur, por edhe u luta që e drejta të vihej në vend. Dhe ndodhi.

AFP: Të kthehemi tek pasioni për baletin. Ti dhe bashkëshorti jeni çift në jetë e në skenë. Sa të ka ndihmuar kjo?

Lidhjen me Gertin si artist, si profesionist, si partner e kam përjetuar gjithmonë pozitivisht. Është një emocion skene që ndaj me të, emocion provash apo debate pune që i ndajmë bashkë. Ne kemi shumë produktivitet së bashku. Në momentin kur vendosa që Gerti të ishte partneri im edhe në balet, isha unë fatlumja, sepse të gjesh partnerin e duhur në skenë, është pika kyçe e suksesit.

 

AFP: Me baletin, çfarë apo kush ju lidhi?

Nëna ime, pasioni i saj për artin. Ka qenë shtatzënë me mua, ka parë baletin “Zhizel” me Carla Fraccin, është përlotur duke parë atë artiste të madhe dhe ka thënë që vajzën time do ta bëj balerinë. Kjo ishte dëshira e saj dhe fati e deshi që të kisha të dhënat dhe talent. Nga ana tjetër kisha edhe punën në gjak, doja të punoja fort pavarësisht talentit, dhe kjo më ndihmoi. E të mendosh që, vite më pas, pata fatin ta takoja Karla Fraccin; veprën time të parë kam kërcyer baletin “Zhizel”, e përpara dy vitesh, teksa kërceja për “Una note per Caruso”, kam veshur pikërisht veshjen e Carla Fracci tek “Romeo e Zhuljeta”. Rastësitë e jetës, por që kanë lidhje me fatin e njeriut. Carla Fracci ka qënë një pikë referimi për mua, i punës së jashtëzakonshme.

AFP: Unë kam në kujtesë ekspresivitetin tënd, që e vogël. Ndalojmë pak tek ekspresiviteti, pamja e jashtme e një balerine. A e ndihmon një balerinë?

Është pika më e fortë, është ajo që e bën unike një balerinë. Tashmë, bota ka balerina pa fund, të jashtëzakonshme, perfeksioni ka arritur kulmin në këtë profesion. Jashtë Shqipërisë teknika tani ka arritur nivele tejet të larta, nuk gjen më balerina teknikisht nën mesataren. Ajo që tani i dallon është se, kush arrin të emocionojë publikun, të interpretojë bukur rolin në të gjitha dimensionet. Ndaj e quaj veten me fat, sepse është në pikat që luftoj fort, e mendoj që kam arritur ta emocionoj dhe përlot publikun. Kjo, për mua, është arritja më e madhe.

AFP: Ti dhe Gerti keni një djalë të hijshëm, një kombinim i bukur mes jush. Disi ai ka përkrahur artin, por luan edhe futboll. Nga do e shtysh të anojë djali?

Roanin e kam marrë qysh të vogël me vete. Ka qenë pjesë e provave tona, punës tonë, që kur ishte një vjeç. Ka parë çdo shfaqje dhe i ka lindur instinktivisht. Kur ktheheshim në shtëpi ai mundohej të përshkruante shfaqjen me lëvizje. Ai ka dhuntinë e interpretimit dhe stilin, por ajo që më pëlqen më tepër është se ka disiplinë. Është aktivizuar në disa shfaqje nga Monika Lubonja dhe ka spikatur aty. Por edhe sporti, më parë tenisi dhe tani futbolli, i pëlqejnë. Zgjedhja i takon atij. Unë sigurisht jam tifoze për baletin, por nuk dua ti imponoj asgjë.

 

AFP: Kur do të të shohim përsëri në skenë?

Shpejt. Jemi në përgatitjen e një version origjinal dhe mjaft interesant të baletit “Liqeni i Mjellmave”. Kam adrenalinë të lartë për këtë projekt, i parë ndryshe. Libreti është përpunuar duke ruajtur lëvizjet e sigurisht muzikën, por i përshtatur në një Amerikë të viteve ’20-’30, me detaje interesante në kostumografi dhe skenografi. Të tjerat po ua lë surprizë.

 

Shënim

Redaksia u përpoq të kontaktonte me z.Ilir Kerni, por komunikimi me të ishte i pamundur. Gazeta është e hapur dhe mirëpret çdo qëndrim reagues të z.Kerni lidhur me vlerësimet ndaj tij gjatë intervistës së mësipërme

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: